Batërdia e trarëve

Në vitin 2015 qeveria shqiptare pajtoi një kompani të njohur greke për të hartuar strategjinë kombëtare të rrugëve me pagesë. Për 6 muaj, Egnatia Odhos studioi të gjithë rrjetin rrugor kombëtar dhe në fund dorëzoi raportin me rekomandimet përkatëse se cilat akse duhet të bëheshin me pagesë dhe se sa duhet të paguanin qytetarët për kalimin në to.

Sipas raportit, tarifat e kalimit në rrugë duhet të varionin nga 0.01 euro për kilometër deri në 0.035 euro për kilometër. Kjo e fundit ishte gjykuar nga konsulenti si nivel maksimal i tarifës së kalimit që mund të përballonin qytetarët shqiptarë pa cënuar në mënyrë domethënëse jetesën e tyre. Por korrupsioni e çoi rekomandimin në kosh. Që në muajt e parë.

tarifa

Kur vendosi traun në rrugën Durrës-Kukës, qeveria miratoi një tarifë kalimi 5 euro për automjet. E gjithë gjatësia e kësaj rruge është 114.5 kilometër, që do të thotë se tarifa mesatare e kalimit u vendos 0.044 euro për kilometër. Pra 26 për qind më shumë se sa niveli maksimal i përballueshmërisë që kishte rekomanduar konsulenti.

Dhe kjo nuk ishte e gjitha. Në rrugën Milot-Morinë nuk tarifohet me kilometra, por pagesa është fikse. Pra edhe një automjet që përshkon vetëm 20 kilometër të rrugës paguan sërish 5 euro. Rezultati i kësaj batërdie tani nuk fshihet dot më as në bilancet e koncesionarit.

Vitin e kaluar kompania Albanian Highway Concession arkëtoi 19.6 milionë euro nga tarifa e kalimit. Kjo shifër ishte 20 për qind më e lartë edhe se sa skenari më optimist i kontratës së koncesionit.

ardhurat

Kontrata koncesionare sanksionon se çdo tejkalim të ardhurash mbi skenarin bazë të parashikuar në kontratë do të ndahet në masën 60 për qind me 40 për qind mes qeverisë dhe kompanisë koncesionare. Sipas bilancit zyrtar, vitin e kaluar të ardhurat e mbledhura nga tarifa e kalimit të rrugës ishin 3.8 milionë euro më të larta se sa limiti i parashikuar në kontratë. Rrjedhimisht qeveria përfitoi 2.3 milionë euro nga tejkalimi i të ardhurave. Pra rrjep koncesionari, rrjep dhe qeveria.

E megjithatë Durrës-Kukës ishte vetëm fillimi. Pas saj erdhën koncesionet e tjera. Tek të gjitha ato, tarifat e kalimit kanë kapur qiellin. Në aksin Thumanë-Kashar të ndërtuar tashmë, tarifa e kalimit është 0.12 euro për kilometër. Në aksin tjetër nga Miloti në Balldrenë tarifa e kalimit do të jetë po 0.12 euro për kilometër. Pra 3.5 herë më shumë se sa niveli maksimal i përballueshmërisë që pati rekomanduar konsulenti ndërkombëtar në vitin 2015.

Tani çfarë ka ndodhur, që tarifa u katërfishua? A e beson Edi Rama se të ardhurat mesatare të shqiptarëve janë 4-fishuar krahasuar me vitin 2015? Që kjo të ndodhte rritja ekonomike e Shqipërisë duhet të ishte minimalisht 40 për qind në vit.

Pra të ardhurat nuk janë katërfishuar, që mund të rrisnin nivelin e përballueshmërisë së familjeve. Ajo që është katërfishuar është korrupsioni. Dhe ai është galopant. Merrni vetëm një rast.

Një qytetar shqiptar që duhet të udhëtojë nga Tirana në Balldrenë të Lezhës duhet të paguajë 5.6 euro vetëm në një drejtim. Rruga është vetëm 51.7 kilometër e gjatë. Një qytetar grek që udhëton nga Kosturi në Selanik paguan 3.8 euro tarifë kalimi. Rruga është 195 kilometër e gjatë. Bëni shumëzimet vetë dhe llogarisni se sa ju vjedhin.

Por mos prisni që SPAK-u të kapë hajdutët. Kjo është vjedhje me ligj, që nuk ka vepër penale. Kjo ndalohet vetëm me votë./Kapitali.al

Artikulli paraprak“Dhjetë muaj në arrati kishte qëndruar në një shpellë me një ujk”- Dëshmia e rrallë e fratit të famshëm: Në kampin e Kënetës së Maliqit njoha një të burgosur nga Kurbini, i cili…
Artikulli tjetërDefektet në linjat elektrike lënë pa drita Durrësin, Lushnjen, Fierin dhe Vlorën