Batutaxhiu Rama

Nga Namir Lapardhaja

Sa herë që Edi Rama është në hall, ai e gjen menjëherë mënyrën për të dalë prej tij, duke lëshuar ndonjë batutë pesëlekshe dhe duke bërë humor banal. Kur dështimet janë kaq të dukshme, çfarë tjetër mund të bësh?
Pikërisht këtë ka zgjedhur edhe ai, duke u munduar të mbulojë problemet me një fasadë argëtuese, ashtu si një artist cirku që provon të argëtojë publikun ndërkohë që ka mbaruar shfaqja.

Përmendja e tij me ironi herë pas here e Lulzim Bashës, padyshim është një mënyrë për të mbuluar dështimet dhe pazaret e tij me Berishën.

Nuk u tregua kaq ironik kur liroi të korruptuarit apo mbylli listat e deputetëve në pazar të hapur me Sali Berishën, ku njëri do mbante opozitën, ndërsa shakaxhiu i sotëm pushtetin.

Në mbyllje të mandatit të tij të tretë, Edi Rama është një politikan që ka pasur mundësinë për të ndryshuar vendin, sepse i ka pasur të gjitha pushtetet, por në pikën ku është Shqipëria sot, më shumë se sa mirëqenien, ka shtuar varfërinë, më shumë se sa optimizmin, ka mbjell pesimizmin dhe ka institucionalizuar një sistem të korruptuar, ku është qelbur i gjithë peshku, por koka nuk mban asnjë përgjegjësi.

Ky është bilanci i Ramës: një batutaxhi banal, që ëndërronte të ndryshonte gjithçka, por përfundoi duke larguar shqiptarët nga vendi i tyre si pasojë e keqqeverisjes dhe e korrupsionit endemik.

Artikulli paraprakDemokratët Euroatlantikë: Nuk bëhemi pjesë e pazarit Rama-Berisha – Pa lista të hapura dhe votim elektronik, nuk garantohet vota e shqiptarëve brenda dhe jashtë vendit
Artikulli tjetërMilaim Zeka: Sikur të mos ishte SPAK-u, në Shqipëri as si turist nuk do vija