Bauza: Icardi, i vëzhguari special

Trajneri i Kombëtares Argjentinase, Edgardo Bauza është duke përgatitur një udhëtim nëpër Europë, me qëllim për të vëzhguar nga afër disa nga futbollistët që ai do të grumbullojë për albicelstet. Mes një numri të madh lojtarësh, më speciali që do të ketë dhe vëmendjen më të madhe do të jetë sulmuesi i Interit, Mauro Icardi. 23-vjeçari në vitet e fundit, ka bërë disa paraqitje pozitive, të shoqëruara edhe me një numër të konsiderueshëm golash por, duket se për dikë në radhët e kombëtares këto fakte nuk vlejnë. Në fakt për mungesën e grumbullimit të tij te Argjentina thuhej se ka ndikuar edhe Lionel Mesi, i cili është edhe kapiteni i skuadrës por, kjo gjë hidhet poshtë nga tekniku Bauza.
“Ka shumë njerëz të cilët flasin pa ditur asgjë. I kam pyetur të gjithë futbollistët e kombëtares, nëse kanë ndonjë problem me Icardin dhe të gjithë më janë përgjigjur, që nuk kanë. Madje, edhe nëse ka pasur mosmarrëveshje i kanë zgjidhur me njëri-tjetrin në qetësi. I kam thënë edhe Javier Zanettit, që Icardin e kam në vëzhgim. Gjithashtu dua të shtoj, Mesi nuk ka ndikuar aspak në  mosgrumbullimin e sulmuesit”, u shpreh Bauza.
Sulmuesi i zikaltërve përballet me një mision të vështirë, për të siguruar një vend te Argjentina, ku reparti i avancuar ka rivalitet të madh, mjafton të përmenden emrat e Gonzalo Higuain, Sergio Aguero dhe Paolo Dybala.

Artikulli paraprakLegjenda e Lacios: E ardhmja e klubit është Strakosha
Artikulli tjetërCikalleshi te Akhisar