Edgardo Bauza paralajmëron me largim nga stoli i Argjentinës, nëse një ditë Lionel Mesi, ylli i La Selecion do t’i bënte formacionin. Në shumë raste në media kanë dalë zëra se 5-herë fituesi i Topit të Artë ka shumë influencë te kombëtarja albiceleste madje, Mesi vendos veton edhe në listën e të grumbulluarve. Por trajneri i 2-herë kampionëve të Botës në një prononcim për mediat e përgënjeshtroi të gjitha aludimet që thonë se Mesi bën formacionin te Argjentina, me Bauzën që shtoi se nëse kjo do të ndodhte ai do të jepte dorëheqjen nga stoli i La Selecion. Në një konferencë për shtyp ku foli për lojtarët që mund të grumbullohen për sfidat e radhës, Bauza foli me superlativa për Mesin duke nënvizuar.
“Leo është një nga futbollistët më të lehtë për t’u drejtuar, sepse ai punon vetëm e vetëm që ekipi të funksionojë mirë. Atyre që mendojnë se Mesi më bën formacionin nuk mund t’u përgjigjem, por dua të them që, nëse kjo ndodh atëherë unë shkoj në shtëpinë time, deklaroi trajneri i Argjentinës. Ish-trajneri i San Lorenzos foli edhe për një rikthim të mundshëm të Carlos Tevez në kombëtare. “Unë nuk i mbyll dyert e Argjentinës askujt. Kemi një listë me rreth 60 emra futbollistësh dhe të gjithë mund të jenë pjesë e ekipit përfaqësues, duke përfshirë këtu edhe Perottin apo Garay-in, deklaroi Edgardo Bauza, me këtë të fundit që harroi të përmendte edhe njëherë emrin e Mauro Icardit, i cili është kryegolashënuesi i Serisë A dhe po shkëlqen me fanellën e Interit.