Bayern do të blejë kartonin e Coman

Pas 3 muajve, Kingsley Coman do të jetë me të gjitha efektet një futbollist i Bayern Munich. Fjalë këto të shefit ekzekutiv të skuadrës bavareze, Karl Heinz Rummenigge, i cili në një intervistë për mediat gjermane konfirmoi se kampionët e Gjermanisë do të aplikojnë klauzolën që ekziston në kontratën që ka firmosur 20-vjeçari francez me Bayernin përpara 2 sezonesh, duke e blerë përfundimisht kartonin e lojtarit. “Duhet ta ekzekutojmë klauzolën deri në prill”, theksoi Rummenigge, duke nënvizuar se plus 7 milionë eurot për huazimin 2-vjeçar, Bayerni do të derdhë në arkat e Juventusit për Coman edhe 21 milionë euro të tjera.
Pasi shkëlqeu në sezonin e tij të parë në “Allianz Arena” me Pep Guardiolën në stol, me Ançelottin në drejtim e bavarezëve, Coman po gjen shumë pak hapësira edhe për faktin se ka pësuar dëmtime të njëpasnjëshme. Megjithatë drejtuesit e Bayernit kanë besim te aftësitë e 20-vjeçarit, pasi francezi premton shumë për të ardhmen. Së fundmi kishin lindur dyshime nëse kampionët e Gjermanisë do ta aplikonin ose jo të drejtën e blerjes, por me deklaratat e Rumenigges gjithçka është mëse e qartë. Deri në prill, Kingsley Coman do të jetë jetë një futbollist i Bayernit në kuptimin e plotë të fjalës.

Artikulli paraprakJeta pas hekurave, rrëfehet Hënes
Artikulli tjetërJuve, gati rinovimi me Paulo Dybala-në