Bayern Munchen zhgënjen në Rusi

Barcelona, Bayern Munchen, Atletico Madrid, PSG dhe Arsenal sigurojnë biletën për në fazën tjetër të Champions League. Katalanasit siguruan një sukses të lehtë 2-0 në transfertën skoceze të Celtic me gola të Lionel Messit. Argjentinasi realizoi nga një gol në çdo pjesë për të siguruar suksesin katalanas në transfertën e Glasgow. Pas këtij suksesi, skuadra e Luis Enriques zyrtarizoi edhe vendin e parë në Grupin C, ku Borussia Mounchengladbach e Manchester City u ndalën në barazim 1-1 dhe e lënë të hapur çështjen e kualifikimit për në ndeshjen e fundit.
Në Grupin D, Bayern Munchen mori një goditje të papritur në Rostov ku u mund 3-2 dhe humbi përfundimisht shpresat për vendin e parë. Skuadra e Ançelotit e mbylli pjesën e parë në barazim 1-1, por gjatë fraksionit të dytë u thye në stadiumin e Rostovit duke ia dorëzua kreun e grupit Atleticos së Madridit që kaloi 2-0 PSV Eindhoven. Spanjollët kryesojnë me pikë të plota pas 5 ndeshjeve dhe do ta luajnë transfertën gjermane në ndeshjen e fundit thjesht sa për statistikë. Ndërkohë, në Grupin A, Arsenal dhe Paris Saint Germain u mjaftuan me një barazim 2-2 për të hipotekuar kualifikimin në fazën tjetër. Parisienët mbajnë momentalisht vendin e parë të ndjekur nga londinezët, ndërsa sfida Ludogorets-Basel u mbyll me rrjeta të paprekura. Të dyja skuadrat mbyllin klasifikimin me nga dy pikë dhe biletën për në Europa League do ta kërkojnë në sfidat e fundit. Francezët kaluan të parët në avantazh me anë të Kavanit në minutën e 19, por Zhirud barazoi në të 45-tën falë një penalltie, e cila njëkohësisht ishte gjuajtja e parë e Arsenalit në këtë ndeshje. Në pjesën e dytë Verrati në të 60-n dhe Ajuobi në të 77-n realizuan nga një autogol, duke vulosur rezultatin përfundimtar në barazim 2-2. Një statistikë e çuditshme nga ky takim është se u regjistruan më shumë gola sesa gjuajtje në portë.
Situata mbetet delikate në Grupin B ku Besiktas-Benfica e Napoli-Dynamo Kiev ndanë nga një pikë. Në Stamboll, turqit kthyen një ndeshje të çmendur pas tri golave të pësuar, ndërsa Napoli nuk arriti të kalonte në “San Paolo” ukrainasit duke u ndalur në barazim pa gola. Pas këtij raundi, të kaltërit kryesojnë me 8 pikë, po aq sa Benfica, ndërsa Besiktas mbetet në vendin e tretë me një pikë më pak.

Artikulli paraprakBayerni në krizë
Artikulli tjetërMos na krahasoni me Leisterin!