Bayern Munich këmbëngul se opsioni i tij kryesor për të zënë stolin e “Allianz Arena” në sezonin e ardhshëm është për të rinovuar edhe një sezon më shumë për Jupp Heynckes. Trajneri veteran, i cili ishte në pension, e pranoi thirrjen e bavarezëve si një zgjidhje emergjente për të zëvendësuar Carlo Ancelottin deri në qershor 2018, por performanca e mirë e ekipit ka bërë drejtuesit e Bayern Munich të duan ta zgjerojnë këtë vizitë të tretë të trajnerit në Mynih.
Presidenti Uli Hoeness i Bayern e ka shprehur tashmë këtë dëshirë në nëntor, gjatë Asamblesë së Përgjithshme të klubit dhe dje e përsëriti në Dusseldorf, 35 kilometra larg nga Monchengladbach, qytetin e lindjes të Heynckes, në një ngjarje të organizuar nga “Rheinische Post”. “Ne përpiqemi për të përcjellë faktin se misioni i tij te Bayern Munich nuk ka mbaruar. Unë shpresoj që ne ta bindim Jupp për të qëndruar edhe një vit tjetër. Nuk kemi plan B”, tha Hoeness për “Bild”.
Hoeness pranoi se marrëdhënia me trajnerin Heynckes është pothuajse idilike. “Ne kemi një histori ëndrre me Jupp. Është një ëndërr për ne, ka çdo gjë nën kontroll. Jupp është shumë i aftë, ka bërë një punë të jashtëzakonshme”, tha ai. E vërteta është se Bayern po nënshkruan një ecuri pothuajse të paparë që nga kthimi i Jupp Heynckes.
Nga 19 ndeshje, Bayern Munich ka humbur vetëm një (interesant, kundër Gladblach) dhe ka fituar 18 të tjerat. Heynckes i mori bavarezët në vendin e dytë, pesë pikë prapa Dortmundit dhe 13 javë më vonë është një lider i Bundesligës, me 16 pikë përpara Leverkusenit dhe Schalke (i dyti dhe i treti). Ai, gjithashtu, ka një rrugë të qartë në Kupën e Gjermanisë, ku është tashmë në çerekfinale, pasi eliminoi Dortmundin në raundin e dytë.
Ndeshjen e fundit bavarezët e nisën shumë keq, me dy gola të pësuar në vetëm 12 minuta lojë, njëri nga të cilët pas një penalltie të humbur, por gjigantët e Bundesligës treguan “dhëmbët” ndaj Hoffenheimit, edhe pse kanë një distancë të jashtëzakonshme në tabelën e renditjes nga ndjekësi më i afërt.
Bayern Munchen shënoi dy herë në pjesën e parë, për të barazuar fillimisht rezultatin me Lewandowskin dhe Boatengun, e për ta thelluar atë më pas me tri gola të tjerë, me autorë Coman, Vidal dhe i ardhuri më i fundit Wagner, i cili sapo ishte futur si zëvendësues. Për t’u theksuar, asistet e Arjen Robben në golin e dytë e të katërt, ndërsa sulmuesi polak ndihmoi në shënimin e golit të tretë.
Me këtë fitore, bavarezët ngjiten në kuotën e 50 pikëve, 16 më shumë sesa Schalke e vendit të dytë, që fitoi takimin e saj në transfertë me Stuttgartin, me dy gola të shënuar herët në pjesën e parë.









