Bayern/ Shtypi katalanas “si zakonisht”, flet për favorizim të Real Madridit

“Si zakonisht”, ky është titulli i “Mundo Deportivo”, pas triumfit të të bardhëve në Mynih, ndërsa “Sport” zbulon mesazhe nga peshat e rënda të Barçës në frëngjisht.
Fitorja e Real Madridit zë një pjesë të madhe të shtypit katalanas, ditën e sotme.
“Mundo Deportivo” ankohet për një ndërhyrje të gabuar të Carvajal ndaj Lewandowski, që nuk është evidentuar si penallti nga kryesori holandez, Bjorn Kuipers, ndërsa flet për një Bayern Munich të pasaktë dhe një Real Madrid, që i shfrytëzoi maksimalisht mundësitë e veta.
Nga ana e saj, “Sport” kthehet te situata me Antoine Griezmann dhe flet për mesazhet nga “peshat e rënda” të Barçës, për ta bindur sulmuesin francez të vijë në “Camp Nou” dhe të “lulëzojë” aty nga sezoni i ardhshëm. “L’Esportiu”, nga ana e vet, zgjedh Coutinho për faqen e parë, në titullin “I zgjedhuri”. Sipas mendimit të këtij mediumi, braziliani është njeriu i duhur për të marrë “stafetën” nga Iniesta.
Heynckes ankohet për mënyrën se si Bayerni i pranoi golat dhe pamundësinë e të tijve për t’i shfrytëzuar më mirë mundësitë e krijuara.
“Ne i dhamë Real Madridit dy gola, me gabime të qarta, tha Heynckes për “ZDF”. Patëm një sërë shansesh, që nuk i shfrytëzuam, kështu që nuk është për t’u habitur që kemi humbur”. Bayern Munich kishte më shumë goditje drejt portës dhe dominonte posedimin e topit, por tashmë përballen me një detyrë të madhe, që zhvendoset në “Santiago Bernabeu”, në gjysmëfinalen e kthimit.

Muller: U treguam naivë, ky Real Madrid është absolutisht vulnerabël…
Kapiteni i Bayern Munich, Thomas Muller, tha se çelësi për humbjen e skuadrës së tij në shtëpi, kundër Real Madridit, ishte se të tijtë u treguan shumë naivë dhe, mbi të gjitha, nuk shfrytëzuan shanset për të shënuar.
“Nëse shikoni të gjithë ndeshjen, ne ishim shumë naivë, nuk arritëm të bëjmë atë që kemi bërë në javët e fundit, duke i shfrytëzuar shanset tona, – tha Müller për mediat gjermane. – Mund të kishim një rezultat shumë më të mirë, për shkak të mënyrës se si shkoi ndeshja”.
Müller shtoi se nuk mund të kritikoni ndonjë gjë te Bayerni, sa i përket qasjes taktike, përderisa golat e kundërshtarit erdhën nga aksione të përpikta, të nisura nga gabimet e bavarezëve: “Goli i dytë erdhi nga një gabim yni individual, i pari ishte i çuditshëm, por gjëja përfundimtare është se nuk i kemi shfrytëzuar mundësitë tona”.
Megjithë humbjen 2-1 në “Allianz Arena”, Müller beson se “ka ende shumë për të bërë në këtë raund dhe asgjë nuk është vendosur për kualifikimin”. Nga ana tjetër, duke folur për “Kicker”, ai pranoi se e pa Real Madridin shumë të dobët: “Ky Real Madrid është absolutisht vulnerabël, ne duhet të kemi një mentalitet vrasës, sepse kemi mundësi reale”.

Exit mobile version