Bayerni ekip i madh

Karlo Ançeloti jep përshtypjet e tij të para për Bayern e Mynihut. Trajneri i bavarezëve ka folur në lidhje me aventurën e tij tek skuadra gjermane. Ançeloti shprehet se, Bayern është një klub i madh, i cili mbart me vete shumë suksese dhe për të është një nder i madh që po stërvit kampionët e Gjermanisë. “Është një eksperiencë shumë e bukur për mua dhe mezi po e pres nisjen e kampionatit. Bayern është një ndër klubet më të mëdha në Europë. Ndihem mirë këtu, kam në dispozicion një skuadër të kompletuar. Ata stërviten çdo ditë dhe janë shumë të vëmendshëm ndaj këshillave të mia. Deri më tani mund të them se gjithçka po ecën shumë mirë”, u shpreh Ançeloti.
Më pas, italiani tregoi dhe sekretet që e çojnë një trajner drejt suksesit, duke vënë theksin se është shumë e rëndësishme që të krijosh një marrëdhënie shoqërore me lojtarët dhe t’i ndihmosh që ata të shfaqin më të mirën e tyre në fushë. “Personalisht çdo skuadër që kam stërvitur si fillim kam krijuar një marrëdhënie shoqërore me ta. I kam studiuar me kujdes aftësitë e tyre dhe se në cilin pozicion ata mund të japin më të mirën e tyre. Çdo futbollist ka karakterin e tij dhe detyra e trajnerit është ta kuptojë atë dhe ta menaxhojë sa më mirë”, tha trajneri i Bajernit.
Në fund ish-tekniku Realit të Madridit u pyet nëse do të këtë ndonjë transferim në radhët e Bayern, Ançeloti u përgjigj. “E kam thënë edhe më parë, kam një skuadër të kompletuar dhe nuk e kemi të nevojshme të kryejmë blerje të tjera. Do të kërkojmë me çdo kusht që ta nisim sa më mirë këtë sezon të Bundesligës, duke fituar Super Kupën e Gjarmanisë, përballë Borussia Dortumund”, tha Ançeloti.
Bayern Munchen mundi para tre ditësh Manchester City në një ndeshje miqësore me rezultatin 1-0. “Mirë se u ktheve”, ishte parulla e dedikuar e vendosur në dhomat e zhveshjes dhe e vetmja përshëndetje miqësore gjatë përballjes testuese të luksit. Pritja nga tifozët bavarezë ishte e ftohtë, ndërsa në fushë Guardiola u mposht 1-0 nga Karlo Ançeloti, që e pasoi në krye të stolit të Bayern-it. Miqësorja prestigjioze, e karakterizuar nga mungesat e shumë yjeve pas Euro 2016 dhe Kupës së Amerikës, u vendos nga goli i të riut Erdal Ozturk. Në të 76-ën, ylli i ri i Bayernit devijoi në rrjetë harkimin e Gael Clichy. Një sukses i merituar për kampionët e Gjermanisë, që aktivizuan formacionin më të mirë, me Franck Ribery që dukej në formë mjaft të mirë.

Exit mobile version