Bayern Munich ka marrë hak ndaj Paris Saint-Germain, duke fituar 3-1 në stadiumin “Allianz Arena”, gjithsesi bavarezët duhet të pajtohen me vendin e dytë në Grupin B të Champions League, sepse barazuan me pikë francezët, por kishin humbur 3-0 në ndeshjen e parë në “Parc des Princes”, që solli edhe shkarkimin e trajnerit Karlo Ançeloti. Me Jupp Heynckes në stol është një Bayern ndryshe dhe kjo u pa me dy golat e shënuar që në pjesën e parë.
Në minutën e tetë Robert Lewandowski u shfaq si “grabitqar” në mbrojtjen e PSG, duke realizuar golin e tij numër 52 në 51 ndeshje të luajtura gjatë vitit kalendarik 2017. Tetë minuta para fundit të pjesës së parë, James Rodriguez dha krosimin e duhur për Tolisso, i cili shënoi me kokë golin e dytë për vendasit. Reagimi i PSG erdhi në fillimin e pjesës së dytë, kur Edison Cavani shërbeu për Kylian Mbappe, i cili bëhet 18-vjeçari i parë që arrin kuotën e 10 golave në Champions League, pasi mposhti portierin Ulreich.
Gjithsesi, Bayern Munich i mbylli llogaritë me golin e dytë të shënuar nga mesfushori francez Corentin Tolisso, 20 minuta para fundit. PSG dhe Bayern e mbyllën grupin me 15 pikë, por kokë grupi gjatë shortit do të jenë francezët e Unai Emery. Në ndeshjen tjetër të Grupit C, Anderlecht fitoi 1-0 në Skoci kundër Celtic, por janë këta të fundit që marrin vendin e tretë dhe “biletën” për të vazhduar më tej në Europa League, pasi kishin fituar 3-0 në ndeshjen e parë të luajtur në Belgjikë.
Juventus ka siguruar kalimin në fazën me eliminim direkt të Champions League pas fitores 2-0 të marrë në fushën e Olympiakos. Bardhezinjtë kanë zgjidhur gjithçka brenda 15 minutave të para të ndeshjes. Alex Sandro ka futur një top në zonën e rreptësisë nga krahu i majtë për Cuadrado-n, i cili nuk ka gabuar një metër larg portës. Para këtij momenti, portieri i grekëve, Silvio Proro, ka bërë një pritje të bukur ndaj Paulo Dybala. Kampionët e Italisë kanë siguruar fitoren në minutën e 89-të me golin e dytë të realizuar nga Bernardeschi dhe e kanë mbyllur Grupin D në vendin e dytë, me 11 pikë.
Grup ky që është fituar nga Barcelona, me katalanasit që kanë marrë fitoren e 15-të radhazi në ndeshjet e fazës me grupe të Champions League të luajtura në shtëpi. Leo Mesi, ashtu siç ka ndodhur në ndeshjen e javës së pestë kundër Juventus, e ka nisur ndeshjen nga stoli. Argjentinasi është futur në fushë në minutën e 61-të, dy minuta pasi Paco Alcacer ka shënuar golin e fitores për vendasit pas një asisti të marrë nga Denis Suarez. Kështu, Barcelona e ka mbyllur grupin në vendin e parë me 14 pikë, ndërsa Sporting duhet të ngushëllohet me një vend në Europa League.