Deri para pak ditësh në media u fol shumë për një rikthim të mundshëm të Thiago Alcantarës te Barcelona. Drejtuesit e klubit blaugrana janë vendosur në kërkim të një mesfushori shumë cilësor për të përforcuar skuadrën në merkaton e ardhshme. Për momentin Marco Verrati mbetet alternativa e vetme për Barçën, pasi tashmë nuk mund të flitet më për një rikthim të Thiagos. Mesfushori i përfaqësueses spanjolle ka rigjetur veten te Bayerni me Carlo Ancelottin në drejtim, duke u shndërruar në një titullar të padiskutueshëm te bavarezët.
Thiago Alcantara në fakt nuk do të ishte kundër rikthimit te skuadra ku u bë i famshëm, por duke marrë parasysh kërkesat e kampionëve të Gjermanisë dhe buxhetin e vogël që ka në dispozicion Barcelona për merkaton e verës, gjasat që 25-vjeçari të veshë sërish fanellën e Barcelonës sezonin e ardhshëm janë vërtet të pakta. Te Bayerni e konsiderojnë Thiago Alcantarën, një lojtar të pazëvendësueshëm dhe interesimit fillestar të Barcelonës për mesfushorin drejtuesit e klubit bavarez u janë përgjigjur me një JO kategorike, duke kërkuar 90 milionë euro për kartonin e futbollistit. Një shifër e parezistueshme kjo edhe për një emër të madh të futbollit europian si Barcelona që tashmë do të shikojë për alternativa të tjera për të përforcuar mesfushën.