Bayerni me mungesa ndaj Borusia Dortmund

Këtë të shtunë në orën 18:30 luhet klasikja e futbollit gjerman. Në Signal Iduna Park, Borussia e Dortmundit pret Bayern Munich në një duel që gjithmonë ka prodhuar spektakël dhe emocione të shumta. Dortmundi aktualisht numëron 6 pikë më pak se bavarezët e Karlo Ançelotit në tabelën e klasifikimit, por në një sfidë të tillë nuk ka favoritë dhe diçka të tillë e lanë të kuptohet në intervistat e tyre, mbrojtësi brazilian i Bayern-it, Rafinha, por edhe kapiteni Philip Lahm, i cili vlerësoi maksimalisht Dortmundin.  Nëse skuadra e Thomas Tuchel vjen në këtë sfidë pas fitores bindëse me shifrat 5-2 ndaj Hamburgut në transfertë, Bayerni shkon në Westfali pas barazimit zhgënjyes ndaj Hoffenheim-it në shtëpi, hap fals ky që i lejoi debutuesve të Leipzigut t’i bashkoheshin ekipit të Ançelotit në kuotën e 24 pikëve në krye të Bundesligës.
Megjithatë, problemet janë të shumta për Bayernin në vigjilie të klasikes së futbollit gjerman. Përveç Jerome Boateng, trajneri Karlo Ançeloti për arsye dëmtimi nuk mund të ketë në dispozicion tre lojtarë të tjerë me peshë për këtë sfidë. Kështu, Arjen Robben, Arturo Vidal dhe Javi Martinez, janë në dyshim të madh për duelin e kësaj të shtune. Të tre futbollistët nuk u stërvitën me grupin këtë të enjte dhe me shumë gjasa do të mungojnë ndaj Borussias së Dortmundit. Robben dhe Martinez kanë probleme fizike, ndërsa Vidal u largua i dëmtuar nga sfida mes Kilit dhe Uruguay-it. Drejtuesit e Bayern-it i kishin kërkuar federatës kiliane të futbollit të mos e aktivizonte lojtarin në atë sfidë, pasi Vidal kishte probleme, por këta të fundit nuk pranuan dhe tashmë pasojat duhet t’i vuajë Bayerni.

Exit mobile version