Bayerni i Mynihut është skuadra e parë finaliste e Kupës së Gjermanisë. Kampionët e Bundesligës fituan 2-0 në gjysmëfinale ndaj Verder Bremenit, në një sfidë që u vendos nga një dygolësh i Thomas Mullerit. Në fakt edhe pse ndeshja u luajt në “Allianz Arena”, bavarezët u treguan të kujdesshëm për të mos rrezikuar në fazën mbrojtëse çka u reflektua edhe me rastet e pakta të pastra për shënim, sidomos në pjesën e parë. Kinsley Coman iu afrua fillimisht golit në minutën e 28-të më një goditje brenda zonës që përfundoi mbi tra, për të ardhur më pas te goli që i dha kualifikimin Bayernit.
Goditje këndi për bavarezët në minutën e 30-të. Muller, pasi iu shmang me zgjuarsi mbulimit të mbrojtjes, i vetëm në qendër të zonës goditi saktë me kokë, duke e bërë të pavlefshme ndërhyrjen e Widewald. Në pjesën e dytë, Verderi ushtroi më shumë presion në gjysmëfushën e Bayernit, por në të 71-ën miqtë shkaktuan një 11-metërsh që u shndërrua në gol po nga Muller. Në finale të Kupës së Gjermanisë, Bayerni do të përballet me fituesin e çiftit Herta e Berlinit – Borussia e Dortmundit.