Bayerni në krizë

Tashmë mund të thuhet me plot gojën se Bayerni i Mynihut është në krizë. Humbja ndaj Rostovit në Champions League që erdhi menjëherë pas disfatës ndaj Dortmundit në Bundesligë, i kushtoi vendin e parë në Grupin D skuadrës bavareze me të besuarit e Ançelotit që nuk kanë më asnjë shans për të parakaluar Atleticon e Madridit në renditje. Në këtë kontekst, shorti parashikohet shumë i vështirë për Bayernin që në fazën e 1/8-ave të Champions-it.
Barazimi ndaj Hoffenheimit në shtëpi ishte një sinjal ose më saktë një tregues se Bayerni i këtij sezoni ka probleme. Ky është një nga momentet më delikatë për kampionët e Gjermanisë në këto vitet e fundit dhe pesha më e madhe e përgjegjësisë i takon trajnerit Karlo Ançeloti. Italiani nuk ka arritur t’i përcjellë ende filozofinë e tij fituese skuadrës dhe fjala krizë tashmë mund të përmendet pa frikë.
Rotacioni në transfertën ruse ndaj Rostovit nuk funksionoi dhe fajtori më i madh për atë disfatë është padiskutim trajneri Ançeloti. Për herë të parë nën drejtimin e italianit, Bayerni pësoi 3 gola në një ndeshje, një tregues ky se diçka nuk shkon. Problemet për bavarezët në këto momente janë të shumta, sepse ka edhe pakënaqësi mes futbollistëve. Gazeta prestigjioze gjermane “Bild” ka zbuluar se Jerome Boateng, ka shfryrë ndaj shokëve të skuadrës në përfundim të ndeshjes ndaj Rostovit, duke i kritikuar për paraqitjen, por menjëherë në drejtim të mbrojtësit të kombëtares gjermane ka ardhur kundërpërgjigjja e shefit ekzekutiv, Karl Heinz Rummenigge. Ky i fundit i ka kërkuar Boateng-ut të kthehet me këmbë në tokë dhe të ulë tonet. Bayerni në krizë, kjo mbetet për t’u parë, por për Karlo Ançelotin po vijnë kohë të vështira sepse gishti i akuzës është ngritur tashmë mbi trajnerin italian.
Mbrojtësi Jerome Boateng deklaroi se ekipi ishte i shkatërruar, kurse në krahun tjetër, Filip Lahm i tërhoqi veshin skuadrës. “Jemi Bayerni dhe duhet të fitojmë, pavarësisht temperaturave apo terrenit. Problemi është që jemi tepër të shkujdesur. Nuk mund të them nëse besojmë se s’ka kundërshtar që na del para, por me gabime të tilla të gjen belaja me çdo skuadër. Rostovin e ftuam te porta pasi bëmë shumë gabime. Diçka duhet të ndryshojë sa më shpejt”, deklaroi kapiteni.
Ndërkaq, vetë trajneri italian nuk kërkoi justifikime dhe mori përsipër përgjegjësitë për humbjen. “Si trajner, më duhet të marr përgjegjësi dhe ta rikthej skuadrën në rrugën e duhur sa më shpejt të jetë e mundur”, u shpreh 57-vjeçari. Mirëpo nuk kanë qenë fort dashamirës as tifozët e as mediat. Në rrjetet sociale, mbështetësit bavarezë nuk i kanë kursyer komentet negative ndaj trajnerit. Kurse tabloidi i njohur “Bild” dje ka dalë me titullin “Dimri i ftohtë i Ançelotit” dhe thekson se me vendin e dytë në grup, Bayerni rrezikon të përballet me Barcelonën në fazën tjetër të Ligës së Kampioneve.
Në fundjavë, skuadra nga Mynihu do të presë Leverkusenin në kampionat me misionin jo vetëm për t’u rikthyer te fitorja, por edhe për ta mbajtur portën të paprekur. Këtë gjë Bayerni ka mundur ta bëjë vetëm në një nga shtatë ndeshjet e fundit.

Artikulli paraprakMurinjo konfirmon qëndrimin e Ibrahimoviç
Artikulli tjetërBayern Munchen zhgënjen në Rusi