Bayerni në telashe, dëmtohet Muller

Të tjera telashe në horizont për Karlo Ançelotin. Bayern Munich në fushë po shkëlqen dhe trajneri italian duhet të ndihet krenar për rezultatet që po arrin skuadra e tij gjatë kësaj periudhe. Megjithatë problemet më të mëdha janë në infermieri. Pas portierit Manuel Neuer dhe brazilianit Douglas Costa, në listën e lojtarëve të dëmtuar së fundmi ka përfunduar edhe Thomas Muller. I pari, ka kryer një operacion në këmbë para pak ditësh dhe do t’i duhet minimalisht edhe 1 javë kohë të kthehet në dispozicion të skuadrës. Douglas Costa nga ana tjetër, ka probleme në gju dhe me shumë mundësi do të humbasë edhe sfidën e parë të çerekfinaleve të Championsit ndaj Realit të Madridit.
Ndërkohë sulmuesi Thomas Muller, autori i një dygolëshi në sfidën e fundit ndaj Augsburgut ka pësuar një dëmtim dhe do të humbasë dy sfidat e ardhshme të Bundesligës, duelin e mesjavës ndaj Hoffenheim-it dhe klasiken ndaj Dortmundit që do të zhvillohet në fundjavë. Në lidhje me dëmtimin e Muller-it, Ançeloti këtë të hënë u shpreh se lojtari ka nevojë për disa ditë pushim dhe gjasat janë që të rikthehet në dispozicion të ekipit për sfidën ndaj Realit në Champions, por ekziston mundësia që rikuperohet që për takimin kundër Borussias. Përsa i përket portierit Neuer, trajneri italian shtoi se shtatlarti 31-vjeçar do të pushojë edhe për 2 apo 3 ditë për të qenë i gatshëm për Dortmundin, ndërsa Douglas Costa ka disa shpresa për të luajtur mesjavën e ardhshme ndaj Realit. Ndaj Hoffenheim-it, Ançeloti konfirmoi edhe mungesën e mesfushorit Thiago Alcantara, i cili do të lihet pushim nga trajneri.

Exit mobile version