Bayern Munchen konfirmon se nuk po përjeton momentin më të mirë, megjithatë skuadra e Carlo Ancelotti-t arriti të fitonte 3-1 me përmbysje në fushën e Mainz, në ndeshjen që hapi javën e 13-të të Bundesligës. Sfida nisi në ngjitje për bavarezët, që e panë veten në disavantazh pas 4 minutave lojë, me Mainz që shënoi me Cordoban që shfrytëzoi shpejtësinë e tij për të kaluar Hummels dhe mposhti Neuer. Një dush i ftohtë për Bayernin që me golin e pësuar në ndeshjen e pestë radhazi në kampionat, barazoi rekordin negativ të dhjetorit 2011.
Megjithatë, reagimi ishte ai prej një ekipi kampion. Avantazhi i Mainz zgjati vetëm 4 minuta, sepse Robert Lewandowski riktheu baraspeshën, pas asistit të Robben. Për të kthyer qetësinë te Bayerni mendoi holandezi fluturues në minutën e 21-të. I pambuluar në zonë, Arjen Robben realizoi me kokë, pas harkimit të Muller dhe i dha bavarezëve avantazhin. Megjithatë, me Mainz-in që nuk u dorëzua deri në fund, ku Neuer u tregua i vëmendshëm në tentativën e Latza-s, ndërsa goli i qetësisë u realizua nga Lewandowski në minutën e parë shtesë.
Ekzekutim i jashtëzakonshëm i polakut nga goditje standarde, që vulosi suksesin 3-1 të Bayernit. Me rrjetat e realizuara, Lewandowski i ka shënuar të paktën dy gola Mainz-it në 4 ndeshjet në “Opel Arena”, duke u bërë lojtari i parë në historinë e Bundesligës që e realizon këtë në ndeshjet radhazi jashtë fushe përballë të njëjtit kundërshtar. Me fitoren e arritur, Bayerni u rikthye në krye të Bundesligës, në kuotën e 30 pikëve, aq sa ka edhe surpriza Leipzig që këtë të shtunë luajti përballë Schalkes.