Bashkimi Europian duhet të frenojë rregullat e planifikuara për sektorin e tij bankar për të rritur aftësinë e bllokut për të konkurruar ndërkombëtarisht, thanë Franca, Gjermania dhe Italia. Krerët e thesareve të tre vendeve – ekonomitë më të mëdha të BE-së – e bënë kërkesën në një letër drejtuar Komisionit Evropian, të siguruar nga POLITICO.
“Sa më konkurrues sistemet tona bankare, duke përfshirë kampionët kombëtarë, aq më mirë do të jenë të pajisur për të financuar qëllimet kryesore evropiane,” shkruajnë autorët në letrën e datës 24 shtator.
Lufta bëhet për zbatimin e të ashtuquajturës korniza Bazel III, e cila vendos kërkesa më të forta rregullatore mbi bankat. Këto rregulla të dakortësuara ndërkombëtarisht vite më parë, fillimisht u zmbrapsën nga SHBA dhe Anglia. Me sa duket tani edhe vendet e Bashkimit Europian po kërkojnë të njëjtën gjë.
Kërkesa vjen ndërsa Evropa kërkon mënyra për të konkurruar ekonomikisht me SHBA-në dhe Kinën – një fokus kryesor i liderëve si presidenti francez Emmanuel Macron, i cili tha këtë javë se BE-ja “mund të vdesë” nëse ekonomia e saj bie prapa në nivel global dhe duhet të përqafojë një axhendë më shumë proteksioniste nëse dëshiron të mbijetojë.
Tre vendet më të fuqqishme të BE-së duan një pauzë rregullatore në sektorin financiar, duke thënë se blloku duhet “të ndërrojë ingranazhet dhe të rifitojë kapacitetin e tij për të konkurruar në arenën globale” dhe “të vërë theks më të fortë në konkurrencën e sektorit financiar, veçanërisht atë bankar”.
Si pjesë e kësaj ndërprerjeje, vendet besojnë se BE-ja duhet të ndryshojë sjelljen e saj në paraqitjen e standardeve globale të kapitalit të bankave, pas vonesave të të njëjtave rregulla në SHBA për shkak të lobimit të rëndë nga industria bankare.
Letra i bën thirrje ekzekutivit të BE-së të përgatisë legjislacionin për të ndryshuar standardet globale të kapitalit të bankave, të quajtura rregullat e Bazelit pas origjinës së tyre në Komitetin e Bazelit për Mbikëqyrjen Bankare, në rast se SHBA-të vendosin të “divergojnë ndjeshëm” nga rregullat e miratuara ndërkombëtarisht.
Pasojat në Shqipëri
Shtrëngimi i kërkesave rregullatore sipas kornizës së Bazelit dhe Autoritetit Bankar Europian ka prekur edhe bankat në Shqipëri. Pesë bankat më të mëdha të vendit janë detyruar që të shtojnë ndjeshëm kapitalin si pasojë e rregullave të reja të përmbledhura në të ashtuquajturin “Minimum requirement for Regulatory Capital Instruments and Eligible Liabilities”
Vitin e kaluar, Banka Kombëtare Tregtare, Credins, Raiffeisen, OTP dhe Intesa u detyruan të përmbushnin një shtesë prej 1.5% në raportin e përgjithshëm të mjaftueshmërisë së kapitalit në raport me hyrjen në fuqi të kërkesave. Por nuk mjafton këtu. Sipas programit, deri në vitin 2027, raporti i kërkuar i mjaftueshmërisë së kapitalit për bankat më të mëdha mund të arrijë deri në 27%, nga 12% që ishte kërkesa minimale deri në vitin 2019.
Përveç kërkesës bazë prej 12%, të parashikuar në rregulloren “Për mjaftueshmërinë e kapitalit”, që nga viti 2019 kanë nisur të aplikohen edhe shtesat makrprudenciale të kapitalit.
Shtesa konservuese e kapitalit për të gjitha bankat e sektorit për vitin 2022 ishte 1.5%, ndërsa deri në fund të vitit 2023 duhet përmbushur niveli i rritur prej 2%. Ndërkohë, për katër bankat me rëndësi sistemike, aplikohet edhe shtesa e posaçme, në vlerat 0.5%, 1% dhe 1.5%, në varësi të notës së rëndësisë sistemike të bankës.
Duke marrë në konsideratë shtesat e mësipërme, si dhe shtesën specifike që kanë disa banka të sektorit, kufiri i raportit të kërkuar të mjaftueshmërisë së kapitalit varion ndërmjet 16% dhe 19% për bankat me rëndësi sistemike, dhe 14% dhe 17% për bankat e tjera.
Këta numra nënkuptojnë se brenda tre viteve të ardhshme, bankat shqiptare duhet të shtojnë minimalisht 1 miliardë euro kapital. Por kjo rritje e madhe dhe e vazhdueshme e kërkesave rregullatore për kapitalizimin ka shkaktuar pakënaqësi mes bankave tregtare.
Në fund të vitit të kaluar, Shoqata e Bankave iu drejtua me një letër Bankës Qendrore ku kërkon marrjen në konsideratë të shtyrjes së hyrjes në fuqi të rritjeve të pritshme të raportit të mjaftueshmërisë së kapitalit që lidhet me kërkesën minimale për instrumente të kapitalit rregullator dhe detyrime të pranuara MREL.
Rritje kostosh
Sipas Bankës së Shqipërisë, raporti i mjaftueshmërisë së kapitalit në fund të vitit të kaluar arriti në 19.63%, nga 19% që ishte në fund të vitit 2022. Treguesi i mjaftueshmërisë së kapitalit mat vlerën e kapitalit rregullator të sektorit bankar në raport me vlerën e aktiveve të ponderuara me koeficientët përkatës të rrezikut dhe është parametri më i rëndësishëm rregullator për sektorin bankar dhe treguesi kryesor i aftësisë së bankave për t’iu rezistuar humbjeve të mundshme në të ardhmen.
Bankat tregtare e konsiderojnë të tepruar dhe të paarsyeshëm valën e rritjeve të njëpasnjëshme të kërkesave rregullatore për kapital nga Banka e Shqipërisë.
Sipas tyre, kjo lëvizje rrit kostot e ndërmjetësimit dhe e bën sektorin bankar gjithnjë e më pak tërheqës për investitorët. Rritja e vazhdueshme e kërkesave për kapital i vendos bankat përballë nevojës për të injektuar vit pas viti kapital shtesë, ose përndryshe për të ulur vlerën e aktiveve me rrezik, kryesisht të kredive.
Në këtë mënyrë, rritja e vazhdueshme e kërkesave për kapital mund të ketë ndikime të konsiderueshme negative në kreditimin e ekonomisë. Bankat janë përpjekur në vitet e fundit që një pjesë të kërkesës shtesë për kapital ta mbulojnë nëpërmjet emetimit të obligacioneve me ofertë private.
Deri tani, 8 nga 11 bankat tregtare në vend kanë emetuar ose janë në process emetimi të këtyre obligacioneve. Megjithatë, këto instrumente mund të njihen deri në masën 33% të kapitalit rregullator dhe banka të veçanta janë afër këtij kufiri. Nga ana tjetër, përmasat e vogla të tregut financiar e bëjnë të vështirë mbulimin e kërkesës në rritje të sektorit bankar.
Hedhja në sulm e Francës, Gjermanisë dhe Italisë për të zbutur kërkesat e forta rregullatore të kornizës së Bazelit pritet me interes të madh edhe nga bankat shqiptare. Lehtësimi i këtyre kërkesave në Europë do të cconte automatikisht edhe në lehtësimin e tyre në Shqipëri, pasi kërkesat rregullatore që zbaton Shqipëria burojnë pikërisht nga ato që vendos Bashkimi Europian.