Shqipëria është shndërruar në prodhuesin më të madh të cannabis-it në Europë. Bima narkotike konsiderohet si “ari i gjelbërt” nga fermerët kultivues. Në një vend të varfër, kjo është një industri prej miliarda eurosh.
Pas një rruge të shkatërruar, në një fshat të vogël në veri të Tiranës, shfaqet një shtëpi me tulla gjysmë e rrënuar. Është e vetme dhe duket e rrënuar. Në fakt nuk është. Aroma që vjen nga një prej dhomave të saj zbulon funksionin që ka tani: prodhimin e cannabis-it. Brenda, më shumë se gjysma e dyshemesë është e mbuluar me drogën që po thahet.
“Janë rreth 20 kg këtu”, thotë pronari i saj. Ai është i ri – rreth të njëzetave ndoshta – i veshur me xhinse, bluzë dhe atlete. Edhe ai është një nga mijëra njerëzit që po bëjnë para me cannabis-in.
Në Shqipëri, një kilogram drogë shitet mes 100 dhe 200 eurove. Në Itali arrin në 1 500 euro. Dhe pjesa më e madhe e cannabis–it trafikohet jashtë – në veri nëpërmjet Malit të Zi, në jug në Greqi dhe nëpërmjet Adriatikut në Itali. Tregu vendas është i papërfillshëm. Burimet tona vlerësojnë se industria e paligjshme mund të gjenerojë rreth 5 miliardë euro në vit – thuajse gjysma e Prodhimit të Brendshëm Bruto të Shqipërisë.
20 kilogramët e bimës që po thahet ngadalë nën rrezet e diellit që hyjnë nga një dritare nuk përfaqësojnë të gjithë prodhimin e këtij njeriu.
“Kam prodhuar 350 kg”, thotë ai. “Këtë vit, thuajse çdo familje në fshat ka kultivuar cannabis – tonelata dhe tonelata janë prodhuar vetëm në këtë fshat”. Ky njeri ka punësuar 15 vetë për korrjen dhe përpunimin dhe njerëz të armatosur për të mbrojtur prodhimin. Ai thotë se komandon, por me shumë mundësi është pjesë e një rrjeti të gjerë. Kështu që, nëse çdokush po kultivon dhe duket se këtë e dinë të gjithë, përse nuk ka patur këtu aksione të policisë?
“I paguaj 20% policisë. Të gjithë i paguajmë. Nëse nuk paguan, të arrestojnë”, thotë ai. Më pas vihet në mbrojtje. “Ky është mallkimi ynë –këtu nuk ka punë, s’ka. Nuk ka para me asgjë tjetër që mund të mbillet. E di që nuk është gjë e mirë kjo që po bëj, por s’kam rrugë tjetër”.
Për dekada me radhë shqiptarët jetuan nën një regjim ndëshkues dhe të mbyllur. Pastaj, pas rënies së komunizmit, erdhi një kohë trazirash civile dhe një rritje e shpejtë e krimit të organizuar. 25 vjet më vonë, papunësia është ende e lartë dhe korrupsioni i përhapur –kushte që e lejojnë trafikun e cannabis–it të lulëzojnë.
Qeveria ka pasur disa suksese në luftën kundër industrisë së paligjshme. Ajo thotë se më shumë se 2 milionë bimë janë shkatërruar gjatë këtij viti dhe tani që sezoni i kultivimit është mbyllur, policia është e përqendruar në konfiskimin e drogës që përgatitet për t’u trafikuar jashtë Shqipërisë.
Disa nga sasitë e kapura kanë qenë të mëdha.
Në një magazinë të madhe në Rrëshen, cannabis–i është hedhur palë–palë për t’u tharë në rafte prej rrjete. Në dyshemenë e betonit ka më shumë drogë. Disa thasë janë radhitur poshtë dhe përhapen deri tek një furgon i mbushur plot.
Në mesin e këtij deti me drogë – me syzet në fund të hundës dhe me një armë në brez – qëndron oficeri në detyrë, Agron Cullhaj, i cili e përshkruan këtë si sasinë më të madhe të drogës të gjetur ndonjëherë në këtë zonë.
BBC: Droga u pesëfishua krahasuar me vitin 2015
Vetëm në këtë magazinë janë më shumë se 4 tonë cannabis, me një vlerë tregu prej 6 milionë eurosh. “Kur unë mora detyrën në vitin 2013, nisa të planifikoja aksione të shumta kundër kultivimit të cannabis–it”, thotë ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri.
Në misionin e saj për të shpëtuar Shqipërinë nga kanabisi, qeveria ka mbështetjen e italianëve. Guardia di Finanza paguhet për mbikëqyrjen ajrore për të identifikuar plantacionet dhe janë statistikat e saj që citojnë politikanët shqiptarët.
“Nga 2013 më 2016, të dhënat tregojnë një ulje me 30% të sipërfaqeve të kultivuara me cannabis. Kjo do të thotë se jemi në rrugën e duhur”, thotë Tahiri.
Ulja me 30% është pasojë e operacionit policor të vitit 2014 që shkatërroi industrisë e mirëndërtuar të kanabisit në Lazarat, një fshati të vogël në jug që dikur quhej si “kryeqyteti i drogës në Europë”. Në operacionin që u angazhuan forca speciale dhe mjete të blinduara u kapën shumë ton me cannabis dhe u shkatërruan mijëra plantacione.
Por nëse krahasoni të dhënat e italianëve për vitet 2015 dhe 2016, ato tregojnë një rritje me 5 herë të zonave të kultivuara me kanabis. Burime në Shqipëri thonë se shumë fshatra kanë kultivuar drogë për herë të parë këtë vit.
Korrupsioni është thelbësor në suksesin e këtij biznesi të paligjshëm – diçka që ministri i Brendshëm e di. “Sigurisht që janë korruptuar policë”, thotë ai. “Që prej ditës sime të parë në detyrë, më shumë se 3 000 policë janë nën hetim penal apo disiplinor. Kjo është thuajse 20% e të gjithë trupës së policisë”.
Por asnjë nga këta policë nuk është nën hetim për cannabis-in. Korrupsioni në Shqipëri rrjedh në kaq shumë të çara në jetën e përditshme. Një arsye tjetër përse trafiku i kanabisit është i vështirë për t’u luftuar është sepse ata (trafikantët) paguajnë 20 euro në ditë në disa vende.
“Si kamerier paguhesha vetëm sa një e treta e asaj që merrja nga cannabis–i”, thotë një 20–vjeçar, prindërit e të cilit e ndaluan kur kuptuan se çfarë po bënte.
Ai jeton në periferi të Tiranës, në një familje rurale të migruar pas rrëzimit të sistemit komunist në fillim të viteve ‘90. Ata erdhën për të kërkuar punë, por më shumë se dy dekada më vonë është ende e vështirë për të gjetur punë të rregullt e të ligjshme. Cannabis–i mbylli një boshllëk.
“Në orën 4 të mëngjesit mund të shihni njerëz që shkojnë në punë”, thotë një i ri tjetër. “Rrugët janë plot me gra, burra e të rinj –madje edhe fëmijë…”.
Një flotë furgonash i dërgon punëtorët jashtë në fshat. Në sezonin e kultivimit ata punojnë në plantacione. Pas të korrave, ata përgatisin dhe bëjnë gati drogën për trafikim.
Kritikët thonë se këta punëtorë të përditshëm kanë më shumë gjasa të jenë kapur në aksionet e policisë, ndërsa peshqit e mëdhenj shpëtojnë. Dhe, edhe në qoftë se dikush i lidhur me krimin e organizuar kapet, ndaj pak prej tyre ngrihen akuza serioze, të tilla si pjesëmarrja në një rrjet kriminal.
Ministri Saimir Tahiri thotë se kjo nuk është e vërtetë.
“Ne nuk kemi zgjedhur të shkojmë pas fshatarëve që kultivojnë plantacione të vogla për të luftuar varfërinë. Ne ndjekim ata që, sipas analizave tona, janë ‘peshq të mëdhenj’. Kemi 1 600 procedime penale dhe kemi bërë më shumë se 400 arrestime, të cilat tregojnë se ne po ndjekim ata që financojnë, organizojnë dhe fitojnë nga ky biznes”.
Ka shumë shqetësim në Shqipëri mbi impaktin e prodhimit të cannabis–it dhe se si të rinjtë – ambiciozë dhe të paduruar për një jetë më të mirë – mund të rezistojnë pa u përzjerë. “Ka shumë të rinj në burg. Unë mendoj se ata janë viktima”, thotë prifti katolik Gjergj Meta.
“Shumë prej tyre – burra e gra – janë të bindur se mund të fitojnë shumë para. Kështu që kultivimi i cannabis–it nuk na jep një kulturë pune. Njerëzit janë të dëshpëruar. Ata nuk shohin të ardhme”.
Atë Gjergji shkruajti një letër që u publikua online dhe u përhap me shpejtësi në Shqipëri. Ai ia drejtoi atë një të riu imagjinar.
“Ti ndoshta nuk ke mundësi ta lexosh këtë letër”, shkruante ai. “Sepse ti ndoshta sot je roje në ndonjë parcelë të mbjellë me kanabis me kallash në krah ose po qëron bimët në ndonjë magazinë, ose po mban thasët e po i transporton, ose thjesht je në burg, sepse kësaj here të kanë kapur…”.
Më tej, në një prozë të bukur ai përshkruan se si historia e turbullt e Shqipërisë – komunizmi, kulti i të fortit dhe krimi i organizuar – i kanë pakësuar mundësitë. Letra mbyllet me një apel për të rinjtë që t’u kthejnë shpinën parcelave me kanabis.
“BBC”