BDI mohon bisedimet me VMRO-DPMNE, BESA ka tre kushte

Partia shqiptare në Maqedoni, BDI, ka mohuar zërat se ka patur bisedime me forcën politike të drejtuar nga ish-Kryeministri Nikolla Gruevski, VMRO-DPMNE, deklaratë e cila konfirmon se partitë vijojnë të mbeten të pasigurta në lidhje me formimin e një kabineti qeverisës. Ndërkohë, partia tjetër shqiptare, Lëvizja BESA, ka njoftuar se çdo forcë politike që do t’u ofrohet për koalicion duhet të përmbushë tre kushte që janë: largimi i të inkriminuarve nga politika, reforma në sistemin juridiko-kushtetues si dhe transparenca ndaj qytetarëve.
Bashkimi Demokratik për Integrim, partia shqiptare në Maqedoni që kryesohet nga Ali Ahmeti, ka mohuar zërat se ka patur bisedime me VMRO-DPMNE, në lidhje me mundësinë e formimit të një tjetër koalicioni qeverisës.
Nëpërmjet një komunikate zyrtare, BDI njoftoi se në këtë moment, kjo forcë politike nuk ka komunikim me asnjë prej partive të tjera.
Në njoftim thuhet gjithashtu se do të pritet deri në përmbylljen zyrtare të procesit nga ana e Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, e më pas do të shihen mundësinë e bashkëpunimit.
BDI thekson gjithashtu se, nëse do të vendosë që të bëhet pjesë e një qeverie, do të kërkojë një përfaqësim të denjësishëm të shqiptarëve në Maqedoni.
Bashkimi Demokratik për Integrim ka arritur të fitojë 10 mandate në sallën e Parlamentit, duke u kthyer kështu në një aleat të domosdoshëm për formimin e qeverisë, që mund të bëhet me VMRO-në e Nikolla Gruevskit, ose me LSDM-në e drejtuar nga Zoran Zaev.
Ndërkohë, e pavendosur për të ardhmen është shfaqur edhe partia tjetër shqiptare, Lëvizja BESA.
Në një komunikatë për mediat, lideri i kësaj partie, Bilal Kasami, nënvizoi se forca politike e drejtuar prej tij është e gatshme që të bashkëpunojë për një koalicion qeverisës në rast se partnerët do të pranojnë tre kushte, të cilat janë shmangia e figurave të inkriminuara politike, ridimensionimi i sistemit juridiko-kushtetues si dhe transpaeranca ndaj qytetarëve.
Pas zgjedhjeve të parakohshme të 11 dhjetorit, asnjë prej partive politike në Maqedoni nuk ka mundësinë që të formojë qeverinë e vetme, gjë që u jep partive shqiptare tagrin për të përcaktuar kahun e pushtetit.
Ekspertët kanë këshilluar liderët shqiptarë që të dalin me një platformë  të përbashkët me qëllim që të kërkojnë respektimin e të drejtave për popullsinë shqiptare në Maqedoni.

Artikulli paraprakKokëdhima: Rama vjedh dhe manipulon zgjedhjet
Artikulli tjetërA po ikin call center-at?