BE i kërkon Britanisë të sqarojë pozicionin

Pas votës historike britanike për t’u larguar nga Bashkimi Evropian, udhëheqësit e vendeve anëtare po debatojnë marrëdhëniet e ardhshme me vendin që së shpejti do të jetë ish-anëtar.
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, tha në Parlamentin gjerman të martën se, ndonëse Britania do të humbë privilegjet e saj si anëtare e BE-së, ajo do të mbetet aleat i ngushtë në NATO. Ajo tha se BE-ja nuk duhet të harrojë çështjet e tjera të ngutshme, siç është kriza e migruesve, por duhet të ngrihet edhe më e fortë dhe të shmangë shpërbërjen e mëtejme.
Ajo përmendi Norvegjinë si një shembull se mund të jenë marrëdhëniet ndërmjet Britanisë me Evropën, një vend jashtë BE-së që ka qasje në tregun e lirë për shkak të vullnetit që të respektojë lëvizjen e lirë.
Kancelarja Merkel, tha se asnjë diskutim formal lidhur me marrëdhëniet e ardhshme nuk mund të hapet përderisa Britania nuk fillon procedurat formale të largimit.
Në një takim të jashtëzakonshëm të Parlamentit Evropian për të diskutuar votën britanike, Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, tha se shpreson që Britania do të ruajë marrëdhëniet miqësore me BE-në, por nënvizoi se negociatat nuk janë të mundura përderisa Britania nuk e sqaron pozicionin e saj.
“Ne nuk mund të lejojmë që të mbetemi në një periudhë të zgjatur pasigurie”, tha ai.
Votuesit britanikë miratuan largimin nga BE-ja me një epërsi të ngushtë, por Kryeministri David Cameron, tha se Parlamenti duhet të ratifikojë vendimin para se të fillojë procesi i largimit. Cameron tashmë ka paraqitur dorëheqjen, duke theksuar se do të respektojë rezultatet e referendumit, ndonëse teorikisht, qeveria mund të përmbysë atë.
Nëse Parlamenti ratifikon vendimin, procesi i largimit mund të zgjasë dy vjet dhe brenda asaj kohë, Mbretëria e Bashkuara do të vazhdojë të jetë formalisht anëtare e Bashkimit Evropian.

Exit mobile version