Bashkimi Europian këshillon qeverinë shqiptare që në Programin e Reformave Ekonomike 2017-2019, të ketë në fokus uljen e papunësisë dhe të borxhit. BE dhe Organizata e Kooperimit dhe Zhvillimit Ekonomik do të japin ekspertizën e tyre në këtë program me qëllim rritjen e konkurrueshmërisë ekonomike të Shqipërisë. Yngve Engstrom, shef i Operacioneve, Delegacioni i BE në Shqipëri: Ka zhvillime pozitive sa i përket rritjes ekonomike, por mbeten akoma edhe shumë pengesa që duhet të shihen me kujdes. Që në afatgjatë të arrihet një rritje e qëndrueshme dhe gjithpërfshirëse, duhet të ndiqen çështjet që lidhen me rritjen e produktivitetit, nivelin e lartë të papunësisë dhe të zgjidhet çështja e borxheve në rritje. Nga ana tjetër një studim i fundit i Fondit Monetar Ndërkombëtar për ecurinë e varfërisë në rajon ka gjetur se, Shqipëria dhe Mali i Zi panë rritje të mprehtë të varfërisë në krahasim me vendet e tjera të Ballkanit pas krizës financiare të vitit 2008. Në një analizë të gjatë për fenomenin, Fondi vë në dukje se, varfëria aktuale dhe pritshmëritë për të ardhurat në të ardhmen ka të ngjarë të ndikojë në rritjen e migrimit nga rajoni, duke i cilësuar si më të prekurat Shqipërinë, Kosovën dhe Serbinë. Karakteristikat e varfërisë kanë ndryshime të thella mes vendeve. Të anketuarit në Maqedoni, Mal të Zi dhe Serbi të ndjehen statistikisht në mënyrë të konsiderueshme më të varfër se ata në Shqipëri (të nxitur nga opinionet shumë negative mbi të ardhurat në të ardhmen). Ekspertët e Fondit kanë vërejtur se ballkanasit e perceptojnë varfërinë më të lartë se sa gjendja e tyre reale. Në rajon të gjitha qeveritë janë trashëgimi e së kaluarës. Por teksa roli i shtetit për të vepruar si një stimul për familjet dhe ekonominë është tkurrur, zhvillimi i sektorit privat nga ana tjetër ka mbetur prapa, siç pasqyrohet në normat e larta të papunësisë. Gjatë krizës dhe pas saj, të ardhurat e qeverive janë ulur, duke vënë nën presion shpenzimet, duke përfshirë pagat, pensionet dhe mbrojtjen sociale. Bumi i fillimit të viteve 2000 solli një rritje të qëndrueshme në të ardhura në të gjithë rajonin. Varfëria ra ndjeshëm, si në aspektin e numrave absolute, megjithatë rritja e shpejtë ka sjellë edhe pabarazi në shpërndarjen e përfitimeve. Edhe në raportin e Vlerësimit të Transparencës Fiskale (FTE) për Shqipërinë, raport i kryer me kërkesë të qeverisë së Shqipërisë nga një ekip nga Departamenti i Çështjeve Fiskale të Fondit në qershor 2015, FMN ka shprehur shqetësime në lidhje me ecurinë e ekonomisë së vendit.