Përfaqësuesja e Lartë e Bashkimit Europian për Politikë të Jashtme, Maja Koçijançiç, ka thënë se muri që u ndërtua në urën e Ibrit në Mitrovicë, do të lidhë unazën me zonën e këmbësorëve.
“Nuk do të jetë mur, por një shkallë që lidhë unazën me zonën e këmbësorëve. Gjatë bisedimeve të djeshme palët ranë dakord se do të ngrihen shkallët që sigurojnë lirinë e lëvizjes nga njëra anë në tjetrën”, ka thënë ajo, shkruajnë mediat serbe, transmeton Klan “Kosova”. Ndër të tjerash, Koçijançiç ka shtuar se Bashkimi Europian do të monitorojë me kujdes zbatimin e kësaj Marrëveshjeje.
Muri në Mitrovicë po prishet
Punëtorët që kanë filluar të presin murin në lartësi prej 60-70 centimetra nuk po i tregojnë inspektorëve të MMPH-së në vend të ngjarjes, se për kë punojnë. Po ashtu të pranishëm janë edhe policia e Kosovës.
Edhe disa organizata joqeveritare do të zhvillojnë sot një performancë në Mitrovicë në shenjë mospajtimi, tek vendi i ndërtimit.
Ndryshe murin në afërsi të urës së Ibrit, para dy ditësh kanë filluar ta ndërtojnë serbët, duke ndarë kështu Mitrovicën.
Bëhet e ditur se në vendngjarje është edhe kryeinspektori i Ministrisë së Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor, Bedri Halimi, i cili thotë se muri do të rrënohet.
Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Urban në Kosovë të enjten urdhëroi ndërprerjen e ndërtimit të murit dy metra të lartë në anën veriore serbe të lumit Ibër në Mitrovicë. “Ministria vendosi të ndalojë ndërtimin e murit për shkak se ai është në kundërshtim me ligjet e Kosovës”, tha për BIRN Bedri Halimi, kryeinspektori në ministri.
Ndërtimi i murit ka zemëruar zyrtarët shqiptarë të Kosovës, edhe pse zyrtarët serbë në Mitrovicë këmbëngulin se ndërtimi është thjesht praktik dhe nuk nënkupton agresion.
Ministrja për Dialog e Kosovës, Edita Tahiri këmbënguli të mërkurën se puna ndërtimore duhet të ndalojë dhe muri të rrëzohet, sepse ai është i paligjshëm.
“Ka ikur koha e mureve. Është kohë e lëvizjes së lirë dhe heqja e barrikadës së ndërtuar nga serbët nga ura e lumit Ibër në vitin 2014 i dha fund epokës famëkeqe të barrikadave”, tha ajo.
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, tha të enjten megjithatë se ligji duhet të vendosë nëse muri është i paligjshëm apo jo.
“Muri do të trajtohet sipas ligjit. Ne nuk do të tregojmë muskujt, sepse muskujt i tregon ligji”, tha Mustafa.
Ndërtimi i barrierave në ose pranë urës së lumit Ibër është një çështje shumë e ndjeshme në qytetin e ndarë etnikisht.
Për disa vite me radhë, një barrikadë e madhe prej guri dhe rëre e ndërtuar nga serbët vendas – të njohur si “Rojtarët e Urës” – parandalonte lëvizjen e lirë të automjeteve mbi urë.
Ajo u hoq në qershor të vitit 2014 dhe tani ura pritet të hapet si për këmbësorët ashtu edhe për automjetet me 20 janar 2017, si rezultat i një marrëveshjeje në gusht mes Kosovës dhe Serbisë.
Kur barrikada u hoq në qershor të vitit 2014, ajo u zëvendësua menjëherë me një të ashtuquajtur Parku i Paqes, i përbërë kryesisht nga dru halorë të mbjellë në vazo prej betoni.
Ky park u hoq në gusht 2015, kur filloi rinovimi i urës si një shenje se marrëdhëniet normale midis banorëve serbë dhe shqiptarë të qytetit mund të rivendoseshin.
Rakiç: Përfaqësuesit e BE janë mirëinformuar për murin
Zëdhënësja e Punëve të Jashtme e BE-së, Maja Koçijançiç tha se Brukseli po shqyrtonte raporte për ndërtimin e murit të ri për shkak se projekti për rinovimin e urës po financohej nga BE-ja, raportoi të enjten Gazeta Express me bazë në Prishtinë.
Tahiri tha se, muri i ri mund të dëmtojë marrëveshjen për urën dhe të rrisë tensione.
Kryetari serb i Mitrovicës së veriut, Goran Rakiç, këmbënguli ai ishte një “mur mbështetës” për projektin e rivitalizimit.
“Ne nuk do ta shembim murin që është në ndërtim e sipër pranë anës veriore të urës mbi Ibër dhe Tahiri nuk do të vendosë se çfarë do të ndërtohet dhe çfarë jo në atë anë të qytetit”, tha Rakiç për agjencinë serbe të lajmeve “Tanjug”.
Ai pohoi se përfaqësues të BE-së, si dhe zyrtarë të Prishtinës, janë mirinformuar në lidhje me ndërtimin e murit. Ai tha se muri do të garantojë sigurinë e shëtitores pranë lumit dhe do të veprojë si një izolues zhurme.
Ndërkohë Ramush Haradinaj, kryetari i partisë opozitare Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, kritikoi gjithashtu edhe zyrtarët në Prishtinë.“Para së gjithash, unë mendoj se muri si mur është gabim, por Prishtina po bën gjithashtu shumë lëvizje të gabuara në lidhje me veriun”, tha Haradinaj të enjten.