BE: Turqia nuk do të kthejë dënimin me vdekje

Bashkimi Europian i ka kujtuar Turqisë se duhet të veprojë në përputhje me Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut dhe të mos e rikthejë ndëshkimin me vdekje.
“Asnjë vend nuk mund të bëhet anëtar i Bashkimit Europian nëse zbaton dënimin me vdekje”, tha shefja e Politikës së Jashtme të BE-së, Federica Mogherini.
Mogherini iu përgjigj kërkesës së gazetarëve në Bruksel për të komentuar spekulimet se Turqia mund të ekzekutojë organizatorët e grushtshtetit të dështuar më 15 korrik. Mogherini tha se Turqia është anëtare e Këshillit të Europës dhe nënshkruese e Konventës Europiane për të Drejtat e Njeriut, e cila ndalon dënimin kapital në gjithë kontinentin.
Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, ka thënë se ekziston mundësia që në këtë vend të kthehet dënimi me vdekje pas përpjekjes për grusht shteti nga një pjesë e ushtrisë së vendit.
Autoritetet turke tashmë kanë arrestuar mbi 7,500 veta, në mesin e tyre ushtarakë të lartë dhe gjykatës, nën dyshimet se kanë organizuar puç. Qeveria tha të hënën se 208 njerëz, përfshirë 145 civilë, janë vrarë në dhunë.

Exit mobile version