Kohë për një reformë gjithëpërfshirëse zgjedhore- Rekomandimi i prerë ka mbërritur nga ambasadori i BE në Tiranë, Silvio Gonzato. Nga një aktivitet në Korçë për Javën e Europës, përfaqësuesi më i lartë i BE në Tiranë, më shumë se një herë, ka vënë theksin te nevoja e një reforme të re zgjedhore, duke përcaktuar qartë se përgjegjësia për këtë bie mbi qeverinë shqiptare.”Është koha tashmë që qeveria shqiptare, por edhe parlamenti, të miratojë një reformë gjithëpërfshirëse zgjedhore, e cila të përfshijë të gjitha rekomandimet e shkuara e të tashme nga OSBE/ODIHR. Rezultati dhe përgjegjësia bie mbi qeverinë që të ndërmarrë e të kryejë këtë reformë kaq të gjerë sepse, me patjetër, që i ka numrat.”
Nevoja për këtë reformë u duk qartë, sidomos në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, ku legjislacioni aktual favorizoi partitë e mëdha dhe, më shumë, PS-në në pushtet. Ndonëse pasaporta europiane ishte dhe “karta fituese” e Edi Ramës në fushatë, ai vetë nuk e ka përmendur kurrë nevojën për një reforme të re zgjedhore dhe gjithëpërfshirëse. Nuk dihet nëse kryeministri do ta marrë në konsideratë këtë porosi nga Brukseli, që me gjasë duhet të jetë dhe një nga kushtet e reja të BE për ecjen përpara të procesit të integrimit.
Po sot, ambasadori i BE, Gonzato, iu përgjigj dhe pyetjes nëse PD nuk do të njohë rezultatin e zgjedhjeve:
“Do doja të thoja që çdo parti e cila mendon apo ndjen se ka pasur parregullsi, patjetër le t’i raportojë ato e të ankohet te organet përkatëse, që janë organet që administrojnë zgjedhjet dhe natyrisht edhe te organet e tjera përkatëse. Kjo është mënyra se si duhet të shkojnë gjërat. Megjithatë, shpresoj që të dyja partitë kanë theksuar një sërë herësh dedikimin e tyre ndaj procesit të anëtarësimit dhe përpjekjeve të Shqipërisë për të shkuar drejt BE-së. Do të punojnë realisht në këtë drejtim.”, tha ambasadori i BE.