Ish-lojtari i Interit, Lothar Matthaus beson se Juventus nuk është më ai ekipi që kontrollonte Serinë A në vitet e kaluara. Bardhezinjtë do të ndeshen me Tottenham në 1/8 e Champions League, dhe gjatë një diskutimi legjenda e futbollit gjerman dha opinionin e tij për kampionët në fuqi të Serisë A. “Juventus nuk është i njëjti ekip që ka kontrolluar Seria A për vite me radhë”, shprehet Matthaus për “The Sun”.
“Mbase skuadra të tjera janë përmirësuar. Por mendoj se është më shumë nga që Juve ka humbur diçka, sidomos në prapavijë”. Ata duhet të bënin disa ndryshime, pasi humbën Dani Alves dhe Leonardo Bonucci.
“Bonucci ishte një lider në mbrojtje. Pa të, fuqia e vërtetë, bërthama e skuadrës së Juve-s ka ikur dhe Gigi Buffon nuk është më aq i ri sa për të bërë diferencën. “Nuk janë më aq të fortë në prapavijë si sezonin e kaluar, diçka e mirë për Kane dhe Pochettino-n”.
Sipas raportimeve, Chelsea po udhëheq bisedimet për të blerë mbrojtësin e Juventus, Alex Sandro në këtë merakto janari. Chelsea u përfol për mundësinë e transferimit të Alex Sandro që në merkaton e verës, me trajnerin Antonio Conte, që synonte të përforconte mbrojtjen. Trajneri i “Bluve të Londrës” kërkonte mbrojtësin e përfaqësueses së Brazilit për të konkuruar me Marcos Alonso, por Juventus u tërhoq nga marrëveshja, duke kërkuar një shumë të lartë për futbollistin. Klubi nga Seria A kërkoi plot £ 80milionë për mbrojtësin e majtë, duke detyruar klubin nga “Stamford Bridge”, që të zbehte interesimin.
Gjithsesi, sipas pretendimeve të tabloidit britanik, “The Sun”, transferimi i Alex Sandro, tashmë është sërish i mundshëm, dhe një marrëveshje që në merkaton e janarit ka gjasa që të realizohet. Raportohet gjithashtu se braziliani po insiston, duke u imponuar te Juventus, në mënyrë që të rrisë shanset e tij të transferimit. Ai thuhet se ka bërë të qartë se dëshiron të largohet nga ekipi gjigant i Serisë A, dhe se ka zgjedhur Chelsean si destinacionin e preferuar. Por, në garë për mbrojtësin e majtë të Juventus është edhe Manchester United, që synon 26-vjeçarin pas dështimit në blerjen e Danny Rose nga Tottenham. Sipas “The Sun”, Sandro është një objektiv prioritar për Jose Mourinho, që në janar, por vetë mbrojtësi brazilian është i vendosur të transferohet në “Stamford Bridge”.
Ndërkohë, Kapiteni legjendar i Romës, Francesco Totti, parashikon se skuadra e tij mund të fitojë titullin kampion këtë sezon në Serinë A. “Romës nuk i mungojnë golat e mi, pasi ka në sulm lojtarë të aftë që e bëjnë shumë mirë këtë gjë. Unë besoj se është më e lehtë për Romën që të fitojë kampion, ndërsa Juventusi të fitojë Champions League, ky është parashikimi im”, u shpreh Totti.
Francesco Totti u largua nga futbolli në fund të sezonit të kaluar dhe ka marrë dje nga e përditshmja italiane “Gazzetta Dello Sport” çmimin e karrierës. Ai e ka vlerësuar ecurinë e skuadrës në kampionat, duke thënë se me trajnerin di Francesco, ekipi mund të ecë shumë përpara. “Duhet të jemi të kujdesshëm, për të fituar ndeshjet me ekipet e “vogla”, pasi pikët e fituara aty të japin kampionatin”, tha Totti.