Bëjini vetting Xhafës për torturat si hetues i diktaturës

Në foto: Fatmir Xhafa në kohën kur ishte hetues gjatë kohës së diktaturës në krah me ish-ministrin e Brendshëm, Hekuran Isai
Bëjini Vetting Fatmir Xhafës për torturat në kohën e diktaturës se pas krimeve të asaj periudhe është do të dalë një njeri monstruoz.
Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafaj, ka dalë vullnetar që t’i nënshtrohet i pari procesit të vettingut në rradhën e politikanëve. Në përgjigje të pyetjeve të anëtarëve të Komisonit për Sigurinë Kombëtare, gjatë shqyrtimit në parim të projektligjit për Vettingun në polici, Xhafaj tha se procesi duhet të shtrihet edhe për politikanët, në mënyrë të veçantë tek ata që kanë pasur rol vendimmarrës në fatet e vendit.
“Pyetja e parë ishte, a mund dhe duhet të përfshihet Ministri i Brendshëm në procesin e Vetting-ut? Natyrisht, nëse unë do të isha punonjës i Policisë së Shtetit, i Gardës apo SHÇBA-së, do të isha sot subjekt i këtij ligji vlerësimi. Nëse bëhet fjalë që të vetohem unë si politikan, unë vetohem sot si gjithë politikanët e tjerë, përfshirë edhe ju që jeni në këtë tavolinë. Nëse duhet një ligj i Vetting-ut për politikanët, unë jam i pari që do ta votoja me të dy duart dhe mund t’ju jap një draft që mund ta keni në konsideratë, nëse do të ndërmerrni një inciativë të tillë.
Dhe do të ishte një gjë tejet pozitive dhe besoj që ai draft duhet të ketë të parin, si do që të jetë, që të vetohem unë i pari, meqenëse jam hartuesi i Reformës në Drejtësi, hartuesi i këtij projektligji dhe Ministër i Brendshëm për momentin në këtë detyrë, nëse kjo është e nevojshme për t’u parë si e tillë. Kjo do të ishte një gjë shumë pozitive.
Por besoj fort që në mënyrën si është ndërtuar dhe vetë Reforma në Drejtësi, në mënyrën se si është konceptuar ajo, unë besoj shumë shpejt që do të kemi dhe Vetting për politikën, qoftë për çështje të figurës, qoftë për çështje të njerëzve në politikë. Dhe në mënyrë të veçantë të atyre që kanë pasur rol vendimmarrës, në fatet e këtij vendi dhe në pasuritë e qytetarëve të këtij vendi”, tha Xhafa.

Denoncimi i Valbona Malokut
Valbona Maloku, 51-vjeçarja nga Kruja e cila pak kohë më parë denoncoi publikisht torturat në Hetuesinë e Krujës të ish–hetuesit të diktaturës, Fatmir Xhafa ka reaguar dje pas intervistës të dhënë nga Xhafa në “Opinion”, ku ai tentoi të mashtrojë opinionin se njerëzit që e kanë akuzuar atë për torturat në kohën e diktaturës kanë qenë të nxitur dhe të paguar dhe se këtë ai e kishte të dokumentuar edhe nga një noter gjerman.
Zonja Valbona Maloku ka reaguar menjëherë, pasi ka dëgjuar mashtrimin tipik të një hetuesi të diktaturës në studion e “Opinion”. Ajo i ka dërguar menjëherë mesazh gazetarit Fevziu, ku i konfirmonte torturat dhe se ishte e gatshme të përballej me hetuesin e saj. Fevziu i ka thënë Malokut pas emisionit se nuk kishte mundur të lexonte mesazhin e saj gjatë emisionit, pasi nuk e kishte parë.
Ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafa gjatë intervistës në “Opinion” të enjten në mbrëmje foli edhe për akuzat që ka ngritur një shtetase shqiptare që jeton në Gjermani se ai ka ushtruar dhunë ndaj saj gjatë kohës që punonte si hetues në Krujë. I pyetur nga Blendi Fevziu për këto akuza, Xhafa u shpreh se, ka dy dokumente që vërtetojnë se akuzat e saj janë paguar nga persona të caktuar.
“Disponoj dy dokumente dhe të gjitha këto janë bërë të nxitura dhe të paguara nga këta persona dhe kjo e deklaruar para noterit gjerman. Nuk ka ndodhur kurrë që unë të kem ushtruar dhunë, kurrë. Nuk kam shqyrtuar kurrë çështje politike. Aty kam punuar vetëm 1 vit”, u shpreh Xhafa.
Ne iu drejtuam zonjës Valbona Maloku për të marrë një prononcim të saj për deklaratën e ministrit të Brendshëm, Fatmir Xhafa. Valbona u shpreh për Gazetën “RD” se nuk ka asnjë të vërtetë në ato që deklaroi Xhafa në emisionin“Opinion”.

Intervista për “RD” me znj.Valbona Maloku
-Zonja Valbona, ministri i Brendshëm, Fatmir Xhafa u shpreh gjatë një interviste në emisionin “Opinion” se ju jeni paguar nga persona të caktuar për të deklaruar se jeni torturuar në hetuesinë e Krujës, kur Xhafa ishte hetues. Xhafa tha më tej se, ka dy dokumente ku tregohet se akuzat janë bërë të nxitura dhe të paguara nga këta persona dhe kjo, sipas tij, e deklaruar para noterit gjerman. A mund të na thoni si qëndron e vërteta?
Kush më ka paguar mua, ore? Kurrkush! E dëgjova mbrëmë në televizion dhe i shkruajta menjëherë Blendi Fevziut për t’i thënë në sy, por e pa me vonesë Blendi dhe nuk munda të flas në televizion. Të gjitha çfarë kam thënë ndaj tij janë të vërteta. Nuk kam nevojë me rrejt.
-A jeni e gatshme të përballeni me akuzat e Xhafës?
Po, i dal përballë kur të dojë. Jam grua, por i kam muhabetet si burrat. S’kam nevojë për para. As s’më ka paguar kërrkush, as më ka nxitur kush, veç kam thënë të vërtetat dhe ja them edhe në sy.Prandaj i kërkova Blendi Fevziut mbrëmë që të flisja përballë tij. Kam thënë veç të vërtetat, për Zotin!

Exit mobile version