Bejl: Gati për të ngritur trofeun

Nëse Kristiano Ronaldo nuk është në një ditë të mirë, këtë vit Reali i Madridit ka Garet Bejlin në versionin e bomberit dhe liderit të ekipit, sepse ashtu siç ka ndodhur së fundmi në kampionat, është uellsiani ai që i vendos ndeshjet për “galaktikët”. Sulmuesi pranon se gjysmëfinalja e djeshme ishte shumë e komplikuar, por në sfidën e “San Siro”-s do të shihet një tjetër Real.
“Prisnim një goleadë? Gjysmë-finalet janë gjithmonë kështu. Po flasim për nivele shumë të larta, prandaj është shumë e vështirë që të mundësh kundërshtarët që ke përballë me një diferencë të madhe golash. Mançester Siti, edhe pse nuk bëri shumë për të na vënë në vështirësi, ishte gjithmonë në pritje të një gabimi nga ne, por në fund ia dolëm që të kalojmë në finale dhe jemi të gjithë shumë të lumtur, shpjegon Bejl.
Sekreti i formës sime? Përveçse po përmirësohem, tashmë jam ambientuar, e njoh më mirë spanjishten dhe kuptohem më mirë me trajnerin dhe mbi të gjitha me shokët e skuadrës.
Finalja me Atletikon? Në Milano na pret një finale më 28 maj dhe rivalët që gjen në finale janë gjithmonë shumë të komplikuara. Atletiko është një ekip tepër i komplikuar për t’u përballuar, shumë i fortë fizikisht dhe mjaft i rrezikshëm, me lojtarë cilësorë. Por, gjithsesi, Reali i Madridit është në një moment të mirë, sepse po përmirësohemi me kalimin e ndeshjeve dhe jam i sigurt se në finale do të jetë një Real edhe më i fortë dhe gati për të ngritur trofeun e Champions-it”, tha britaniku 26-vjeçar.
Edhe ylli i skuadrës, portugezi Ronaldo, është i bindur se finalja me Atletikon e Madridit do të jetë speciale, por në fund do të fitojë Reali i Madridit. “Nëse llogarisim të 180 minutat e luajtura me Mançester Sitin, besoj se ne ishim ata që e meritonim. Nëse në Angli meritonim të dilnim të paktën me një gol të shënuar, sot meritonim të shënonim më shumë, por fatkeqësisht nuk arritëm ta ‘vrasim’ ndeshjen. Ishte e komplikuar, por arritëm objektivin që donim dhe finalja me Atletikon e Madridit do të jetë sërish një ndeshje speciale. Ky takim, kjo finale që përsëritet dy herë brenda dy vitesh tregon edhe një herë nivelin e kampionatit spanjoll, por ashtu si dy vite më parë, në fund duam që të jemi ne ata që do të festojnë sërish”, tha Ronaldo.
Zidan frymëzues? “Zizu po bën një punë fantastike, sepse na frymëzon teknikisht e psikologjikisht. Dhe, mbi të gjitha, unë shpresoj që ai të jetë sërish me ne, sepse e vlerësoj maksimalisht si trajner dhe si person”, përfundoi “CR7”.

Artikulli paraprakDepresioni kap edhe Guvernatorin e Bankës: S’ka rritje ekonomike
Artikulli tjetërZidan: Arritëm çfarë deshëm, por nuk kemi fituar asgjë