Portugalia kaloi pa shumë vështirësi 4-1 Letoninë, në një sfidë ku Cristiano Ronaldo realizoi dygolësh. Sulmuesi i Realit të Madridit iu dha avantazhin luzitanëve me 11-metërsh në fund të pjesës së parë, ndërsa në të 59-ën gaboi nga pika e bardhë e penalltisë. Letonia i befasoi vendasit në të 67-ën me Zjuzins, por vetëm 3 minuta më pas Carvalho shënoi golin e dytë për Portugalinë, para se Ronaldo t’i çonte shifrat në 3-1. Aleves në kohën shtesë tundi sërish rrjetën për vendasit.
Në Grupin H Belgjika poshtëroi 8-1 Estoninë për të forcuar pozitat në krye të klasifikimit. Në pjesën e parë për “djajtë e kuq” shënuan Meunier, Mertens dhe Hazard, ndërsa Anier shkurtoi përkohësisht diferencën. Në fraksionin e dytë realizuan Carrasco, Mertens sërish, Klavan autogol dhe dy herë Lukaku.
Përfundoi në barazim derbi i Ballkanit Greqi-Bosnje-Hercegovinë. Ekzekutimi i një goditjeje të lirë të Pjaniç në pjesën e parë përfundoi në rrjetë pas një devijimi të një futbollisti grek, gjithsesi pas shumë përpjekjesh Greqia barazoi me Tzavellas në kohën shtesë, edhe pse nga minuta e 80-të Papadoupulos i la helenët me një lojtar më pak pasi u ndëshkua me karton të kuq.
Holanda mori vendin e dytë në Grupin A kualifikues të “Rusi 2018” pasi fitoi 3-1 në transfertë me Luksemburgun. Në fakt, vendasit befasuan në pjesën e parë, duke barazuar 1-1. Golit të Roben në të 36-ën iu përgjigj Chanot me 11-metërsh në të 44-ën. Gjithsesi, në pjesën e dytë Memphis Depay realizoi dy herë në minutat 58′ dhe 84′ për rezultatin përfundimtar 1-3.
Kthehet te fitorja pas dy humbjeve radhazi Bullgaria, që kaloi me rezultat minimal Bjellorusinë në Sofie falë golit të Popov që në minutën e 10-të. Në Grupin B kryeson Zvicra me pikë të plota. Skuadra e Petkoviç u kursye ndaj Ishujve Faroe, duke e gjetur vetëm dy herë rrugën e rrjetës, në pjesën e parë me Derdiok, ndërsa 7 minuta para përfundimit të kohës së rregullt realizoi Listeiner.
Hungaria bëri detyrën në Budapest ndaj Andorrës, duke shënuar dy gola në çdo pjesë. Gera zhbllokoi rezultatin në të 34-ën, ndërsa Lang pak para përfundimit të pjesës së parë i çoi shifrat në 2-0. Në pjesën e dytë për vendasit realizuan Gyurcso dhe Szalai për t’i vulosur shifrat në 4-0.
Në Grupin H Qipro mori pikët e para duke mundur 3-1 Gjibraltarin, që tentoi madje të bënte surprizën në këtë sfidë. Laifis në të 29-ën i dha epërsinë skuadrës vendase, por modestët e Gjibraltarit arritën të barazonin në 51 me Casciaron. Gjithsesi qipriotët gjetën forca për të reaguar me dy gola të tjerë të shënuar nga Soteriu-s dhe Sielis.
Fitore me goleadë ndaj Lihtenshtejnit për të mos iu ndarë Spanjës në krye të Grupit G, kualifikues të Botërorit Rusi 2018. Italia e Giampiero Venturës tashmë ka një fytyrë tjetër, por gjithsesi është një skuadër që fiton atëherë kur duhet. Ish-trajneri i Torinos në përfundim të sfidës së Vaduzit vlerësoi paraqitjen e djemve të tij ndaj Lihtenshtejnit duke e hedhur vështrimin njëkohësisht nga miqësorja e luksit ndaj Gjermanisë. “Ishte e rëndësishme të fitonim, por po aq e rëndësishme sesi do të shkonim te suksesi, jam i kënaqur, por mund të shënonim më shumë.
Do të mjaftonte goli i 5 që këtë sfidë ta fitonim me rezultat akoma edhe më të thellë, megjithatë më pëlqeu mënyra sesi skuadra ime sulmoi deri në minutën e 94-t”, deklaroi fillimisht Ventura. Të martën Italia sfidon Gjermaninë. Edhe pse është vetëm një miqësore Itali-Gjermani është gjithmonë një klasike e futbollit europian dhe atij botëror dhe vlerësimi për këtë ndeshje është maksimal nga të dy kampet. Duam të bëjmë një paraqitje pozitive, në atë takim shtoi më pas Ventura, i cili theksoi se të gjithë te Italia po bëjnë një punë të mirë për federatën, por edhe për përfaqësuesen.