Drejtori sportiv i Milanit, Masimiliano Mirabeli, në një intervistë të gjatë për “Radio Rosonera”, foli edhe për objektivin kryesor të kuqezinjve në merkaton që sapo u mbyll.
“Nuk është sekret se tentuam ta sillnim Belotin tek Milani, por për arsye të ndryshme ishte e vështirë. Ai është lojtar i fortë dhe mbi të gjitha, tifoz i Milanit. Ndoshta një ditë do ta veshë fanellën që ka ëndërruar që fëmijë”, u shpreh Mirabeli.
“Gjeli” i Torinos ka një klauzolë largimi prej 100 milionë eurosh, por kjo vlen vetëm për klubet jashtë Italisë. Edhe pse drejtuesit e djallit ofruan 70 milionë, oferta e tyre u refuzua.
“Para se të nënshkruajmë me një lojtar, interesohemi ta njohim mirë punën që është bërë me të përgjatë viteve. Duam ta shohim dhe me sytë tani performancën e tij. Jemi në bisedim të vazhdueshëm me trajnerin Montela për lojtarët që kërkojmë. Për shembull, për Kaliniç ishim të gjithë dakord dhe pasi nuk arritëm tek Beloti, vendosëm për kroatin”.