Bledi KASMI
Rama e ka marrë mesazhin e parë nga Shtetet e Bashkuara për zgjedhjet. E ka lexuar, nuk e ka përtypur dhe më pas ka thirrur në ndihmë mediat Fake News për ta manipuluar. Çfarë tha dje Departamenti amerikan i Shtetit? E gjitha është në një fjali të vetme që është keqinterpretuar nga mediat e pushtetit. Fjalia thotë se Nënsekretari Shannon, theksoi në takim (me ministrin e Jashtëm, Bushati) “rëndësinë e pjesëmarrjes së të gjitha partive politike në Shqipëri në zgjedhjet parlamentare”.
Pra, nuk ka asnjë thirrje të Departamentit të Shtetit për partitë politike në Shqipëri, siç e paraqiti Rama dhe mediat Fake News, por një thirrje të këtij institucioni që i është drejtuar ministrit të Jashtëm, pra qeverisë. Këtu bie e gjithë alibia e Ramës sikur kemi një thirrje të Departamentit amerikan të Shtetit për partitë politike.
Po pse duhej kjo thirrje për qeverinë dhe pikërisht në këtë moment? Është shumë e thjeshtë. Sepse është qeveria dhe kreu i saj që prej javësh po thonë se do të bëjnë zgjedhje pa opozitën më 18 qershor. Dhe përgjigjen e parë e ka marrë. Uashingtoni ka hapur semaforin e kuq për Ramën. Nuk mund të shkojë më tej, nëse shkon, e pëson.
Nëse në deklaratën e DASH i thuhet qeverisë se “është e rëndësishme që të gjitha partitë politike të marrin pjesë në zgjedhje”, atëherë duhet nënkuptuar se zgjedhjet nuk kanë pikë rëndësie nëse bëhen pa pjesëmarrjen e të gjitha partive politike. Dhe nëse do të kemi zgjedhje të parëndësishme, atëherë kjo nënkupton se ato nuk mund të kenë legjitimitet dhe nëse nuk kanë legjitimitet, atëherë ata nuk mund të njihen si proces i rregullt. Pasojat pastaj dihen…
Kjo është një fjali që i djeg shumë Ramës, prandaj ai u angazhua personalisht dje me të gjitha artileritë për ta manipuluar mesazhin e lëshuar nga Departamenti amerikan i Shtetit. Kjo është thjesht si të gënjesh veten. Mund të bësh sikur nuk kupton dhe të luash rolin e Shvejkut “çmë duhet mua se çfarë bëj unë”, por kjo është e përkohshme.
Mesazhi i dytë që nënkuptohet përmes asaj fjalie të DASH që nuk ka më shumë se 8 fjalë është’ se çfarë duhet bërë që partitë politike të bëhen pjesë e procesit zgjedhor ? Kjo është një detyrë që DASH ja lë në dorë qeverisë, duke i thënë vetëm se” për Shtetet e Bashkuara e rëndësishme është që opozita të jetë pjesë e procesit”. Se si do të bëhet pjesë e procesit zgjedhor opozita e ka bërë të qartë; vetëm përmes një qeverie teknike.
Natyrisht që kemi të bëjmë me një deklaratë mjaft të kujdesshme diplomatike dhe me një gjuhë mjaft të rafinuar të një politike profesioniste nga Departamenti amerikan i Shtetit edhe për shkak të negociatave për dialog që pritet të ketë gjatë ditëve të ardhshme.
DASH nuk flet me gjuhë druvarësh. DASH ka dhënë një target të qartë për qeverinë dhe opozitën, duke lënë edhe terren për zgjidhjen e tij.
Indirekt Rama ka marrë dje mesazhin nga Uashingtoni se ai duhet të lëvizë drejt kërkesave të opozitës si dhe i është bërë e qartë vija e kuqe për 18 Qershorin; “zgjedhje me të gjitha partitë”.