Benevento, një hap larg Memushaj

Orë vendimtare për transferimin e Ledian Memushajt te Benevento në Serinë A. Skuadra e sapongjitur në elitën e futbollit italian ka intensifikuar bisedimet me drejtuesit abrucezë, për ta mbyllur marrëveshjen brenda gushtit. 30-vjeçari vlonjat do të ishte një dhuratë e çmuar për trajnerin Marco Baroni, që po këmbëngul prej kohësh për afrimin e një mesfushori me profilin e Memushajt. Te Benevento, lojtari i kombëtares shqiptare do t’i bashkohej kuqeziut tjetër Berat Djimsiti, që u transferua te kjo skuadër në formë huazimi nga Atalanta, pas një sezoni mjaft pozitiv te Avellino në Serinë B. Formula e transferimit do të jetë interesante, Benevento do ta huazojë mesfushorin me të drejte blerjeje të detyruar në prezencën e parë në fushë me ekipin e ri siç raporton eksperti i merkatos, gazetari italian Gianliuca Di Marzio.
Pavarësisht se Pescara nuk arriti të mbijetontë në Serinë A sezonin e kaluar, Memushaj ishte ndër më të vlerësuarit te abruzezët, ku aktivizohet prej tre sezonesh. I graduar madje kapiten i Peskarës, Memushaj zbriti në fushë në 35 ndeshje në Serinë A, duke shënuar një gol në humbjen 3-2 në fushën e Romës.

Exit mobile version