Beograd, hapet procesi gjyqësor për masakrën e Srebrenicës

Një gjykatë në Serbi hapi të hënën një proces gjyqësor kundër tetë ish-policëve serbë të Bosnjës nën akuzat për përfshirje në masakrën e Srebrenicës në vitin 1995.
Të tetë ishin arrestuar në Serbi në vitin 2015 që shënonte edhe rastin e parë të arrestimit të personave të dyshuar për përfshirje të drejtpërdrejtë në vrasjen e mbi 8 mijë burrave e djemve myslimanë në Srebrenicë. Më pas ata u lanë të mbrohen në gjendje të lirë.
Zonë e mbrojtur atëbotë nga Kombet e Bashkuara. Srebrenica u shndërrua në vendin e mizorive më të egra pas Luftës së Dytë Botërore në Evropë.
Të tetë akuzohen për pjesëmarrje në vrasjen e qindra myslimanëve në fshatin Kravica, afër Srebrenicës, derisa ata po përpiqeshin të shpëtonin nga masakra.
Rreth një mijë e 300 veta ishin mbyllur në një depo në Kravicë dhe ishin vrarë me granata dore dhe automatikë.
Procesi në gjykatën serbe për krime lufte në Beograd, shihet si provë për vullnetin e Serbisë për t’u përballur me të kaluarën dhe mizoritë e kryera gjatë luftërave që çuan në shkatërrimin e përgjakshëm të Jugosllavisë ndërmjet viteve 1991-1999.
Serbia duhet të dënojë kriminelët e luftës për të përshpejtuar procesin e anëtarësimit në Bashkimin Evropian.
Më 2008, ajo arrestoi ish-udhëheqësin e serbëve të Bosnjës, Radovan Karaxhiç, ndërsa tre vjet më pas edhe komandantin ushtarak Ratko Mlladiç, për t’i dorëzuar në Gjykatën e Kombeve të Bashkuara për Krime Lufte në Hagë.
Të dy ata qëndruan në arrati për më shumë se një dekadë.
Në vitin 2007 një gjykatë serbe dënoi katër pjesëtarë të njësitit paraushtarak Skorpionët, të cilët kishin regjistruar një video ku shiheshin duke vrarë gjashtë të rinj boshnjakë në kohën e masakrës së Srebrenicës.
Atëbotë gjykata tha se nuk kishte prova për të lidhur të dyja ngjarjet.

Artikulli paraprakPence në mbrojtje të urdhrit ekzekutiv
Artikulli tjetërKosovë, shembet muri në veri të Mitrovicës