Beogradi: Si gënjeu Rama shqiptarët e Preshevës

“Nuk ka asnjë pengesë për njohjen e diplomave për shqiptarët e Luginës së Preshevës, të cilët kanë studiuar në Shqipëri dhe Maqedoni”. Kështu ka pohuar Kryeministri Edi Rama gjatë qëndrimit të tij në Serbi, ku ka pasur takime me përfaqësues të Luginës së Preshevës, por edhe me Kryeministrin serb Vuçiç, për të bërë një analizë të zhvillimeve pozitive në këtë zonë. Por pak ditë pasi Kryeministri Rama tha në Beograd se nuk ka asnjë pengesë për njohjen e diplomave të studentëve nga Lugina e Preshevës, Medgjeva e Bujanovci, të diplomuar në Shqipëri, opozita shqiptare vazhdon të shprehë shqetësimin se diçka e tillë nuk po konkretizohet edhe 2 vjet pas nënshkrimit të marrëveshjes nga Rama e Vuçiç. Deputeti demokrat, Aldo Bumçi e ngriti këtë shqetësim në Komisionin e Jashtëm parlamentar ku u miratua ngritja e zyrës rajonale për bashkëpunim rinor në Tiranë, një nismë e kryeministrave Rama e Vuçiç. “Kjo është e rëndë dhe e turpshme, pasi ne ua njohim diplomat serbëve. Për çfarë shërben kjo zyrë rajonale që do të ngrihet? Ky është spastrim etnik”, tha Bumçi.
Në forumin e Beogradit që u mbajt javën që shkoi në kryeqytetin serb dhe në Nish me Aleksandar Vuçiç, ku mori pjesë dhe Kryeministri shqiptar, Edi Rama e më pas edhe liderë nga Lugina e Preshevës, duket se ishin më tepër takime për fotografi, shtrëngim duarsh apo ndërrim të kartëvizitave. Sipas agjencisë “Presheva Jonë”, burimet zyrtare nga Beogradi thonë se nga vizita e Ramës dhe e liderëve nga Presheva në Beogard e as Nish nuk ka pasur kurrfarë marrëveshje që ka të bëjë me tekstet shkollore apo me diplomat për shqiptarët në Luginën e Preshevës. “Në forumin e Beogradit e as në Nish ku mori pjesë dhe Kryeministri shqiptar, Edi Rama nuk ka pasur kurrfarë marrëveshje as verbale e as të nënshkruar me Kryeministrin tonë Vuçiç, gjegjësisht mes Beogradit dhe Tiranës”, kështu ka deklaruar për agjencinë e lajmeve “Presheva Jonë”, Suzana Vasileviç, shefe e kabinetit të qeverisë serbe, duke demantuar disa zëra dhe portale se gjoja “ishte arritur marrëveshje mes Rama-Vuçiç, për tekstet shkollore dhe diplomat për shqiptarët e Luginës”.
Të njëjtën gjë e ka kofirmuar edhe znj. Dragica Gavriloviç, zëdhënëse e Ministrisë së Arsimit në qeverinë e Serbisë. Sipas shefes së kabinetit “Kryeministri Vuçiç me liderët e Preshevës ka qëndruar krejt pak minuta, me të cilët vetëm është përshëndetur dhe kanë marrë një fotografi për kujtim”. Vasileviç madje shkrimet e disa portaleve rreth kësaj “marrëveshjeje” mes Ramës dhe Vuçiç i ka cilësuar spekulative.

Demarkacioni, s’ka marrëveshje pozitë-opozitë

Kuvendi i Kosovës, në seancën e të enjtes, më 27 tetor, pritet të shqyrtojë dhe të votojë për miratimin e një deklarate me të cilën do t’i drejtohet Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave, duke kërkuar që çështja e demarkacionit me Malin e Zi të mos jetë pengesë dhe se ajo do të zgjidhet sa më shpejt të jetë e mundur.
Por, në seancën e ditës së enjte, nuk pritet të ketë konsensus të partive politike, atyre në pushtet dhe atyre në opozitë, lidhur me atë se çfarë duhet të përmbajë draft-rezoluta me të cilën Kuvendi do t’i drejtohet Bashkimit Evropian.
Harmonizimi i draft-rezolutës ka dështuar edhe gjatë një takimi të përfaqësuesve të partive politike parlamentare, i cili u mbajt të martën në Prishtinë.
Ata nuk pajtohen lidhur me pikën e tretë të draft-rezolutës ekzistuese, e cila thotë që “partitë në pushtet dhe opozita, pavarësisht dallimeve që kanë lidhur me çështjen e shënjimit të vijës kufitare me Malin e Zi, megjithatë qëndrojnë të bashkuar në qëllimin që ky proces të përmbyllet sa më shpejt që të jetë e mundur”.
Përderisa partitë në pushtet e përkrahin këtë pikë, partitë opozitare e kanë kundërshtuar atë.
Përfaqësuesit e Lëvizjes Vetëvendosje, subjekt ky opozitar më i madhi në Kuvend, thonë se në tekst duhet të thuhet se, “marrëveshja ekzistuese për demarkacionin me Malin e Zi është e vdekur dhe ajo duhet të kthehet në pikën zero”.
Xhavit Haliti, nënkryetar i Kuvendit të Kosovës nga Radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, parti në pushtet, thotë për Radion Evropa e Lirë se opozita ka dërguar sinjale se nuk do të tërhiqet nga qëndrimi i saj.
“Në qoftë se nuk ka konsensus, atëherë unë e shoh si problematikë vetë diskutimin, sepse mendimi im është që edhe opozita nuk mund të tërhiqet nga qëndrimi i vet dhe nuk do të tërhiqet. Kështu që, nëse zhvillohet debat dhe nuk arrihet asgjë, është problem në vete. Por, sidoqoftë, nëse s’ka konsensus, edhe një deklaratë me shumicë votash në qoftë se miratohet, nuk do të ishte diçka e keqe për Kosovën”.
Në anën tjetër, Albulena Haxhiu, deputete e Kuvendit të Kosovës nga radhët e subjektit opozitar, Lëvizjes Vetëvendosje, thotë se në rast që propozimet e opozitës nuk përfshihen në draft-rezolutë, atëherë deputetët e këtij subjekti, do të jenë të rezervuar ndaj kësaj deklarate.
“Në qoftë se nuk pranohen propozimet, të cilat do t’i dërgojë Lëvizja Vetëvendosje – sepse tani, në këtë moment, ne nuk i kemi të gjitha të shkruara, mirëpo natyrisht që ato do t’i procedojmë para seancës plenare – dhe në qoftë se nuk pajtohen me propozimet tona, atëherë nuk ka kuptim që ta përkrahim një draft-deklaratë, e cila është më shumë hedhje hi syve të qytetarëve dhe nuk zgjidh asgjë. Pra, ne shpresojmë që të njëjtit do të na i përkrahin këto propozime dhe në qoftë se po, atëherë natyrisht që do ta përkrahim një deklaratë. Në të kundërtën, do të rezervohemi karshi të njëjtës”.

Artikulli paraprakPolicia terror në Durrës, gjoba shoferëve për të mbushur arkën
Artikulli tjetërOpozita me shoqërinë civile kundër plehrave