Shqiptarët e Preshevës thonë se Beogradi vijon diskriminimin për të drejtat e tyre. Edhe pse ka një marrëveshje të vitit 2001 për integrimin e shqiptarëve të luginës së Preshevës ata shprehen se Beogradi i ka lënë në mungesë investimesh.
Kryetar i Këshillit për të Drejtat e Njeriut në Luginën e Preshevës, Belgzim Kamberi në një intervistë për TV Klan, shprehet se çështja karakterizohet sipas tij nga dy pika kryesore.
“Karakterizohet me dy ngecje kryesore, njëra është mos përfaqësimi i shqiptarëve në institucionet publike që janë jashtë kompetencave të komunave. Ngecja e dytë kryesore faktikisht është ngecja që ka të bëjë më çështjen e zhvillimit ekonomik dhe të punësimit”.
Kamberi apelon për një angazhim më serioz nga qeveritë e Kosovës dhe të Shqipërisë tek ndërkombëtarët për të rritur presionin ndaj Beogradit.
“Të rritet presioni diplomatik që nuk mund të ketë normalizim të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë, përderisa nuk ka përmirësim të pozitës së shqiptareve në Luginë të Preshevës. Shqiptaret e Luginës së Preshevës do të kishin nevojë për një qasje pak më serioze të dy qeverive edhe në Tiranë edhe në Prishtinë”, thotë Kamberi.
Kritika ka edhe për qasjen e ndërkombëtarëve, duke vënë në dukje se demokratizimi i Serbisë dhe të drejtat e pakicave janë lënë në hije për shkak të prioriteteve gjeopolitike dhe çështjeve të sigurisë.