Ish-Kryeministri Sali Berisha ka denoncuar ditën e djeshme ministrin në ikje të Shëndetësisë, Ilir Beqaj për zhvatje të parave publike edhe në orët e fundit të tij në karrigen e ministrit. Përmes një statusi në profilin e tij në Facebook, Berisha thotë se Beqaj ka thirrur në një mbledhje urgjente Këshillin Administrativ të Fondit të Detyrueshëm Shëndetësor për të miratuar listën e barnave të rimbursueshme. Berisha ka postuar denoncimin e një qytetari, ku thuhet se Beqaj ka marrë shpërblime të majme nga kompanitë farmaceutike.
“Hajne Beqaj nuk ngopet kurrë! Do të vjedhë deri ditën e burgut! Qytetari dixhital informon: Hajne Beqaj ka thirrur me urgjencë së bashku me famozin Zhan Levani, mbledhjen e Këshillit Administrativ të Fondit të Sigurimeve të Detyrueshme Shëndetësore për nesër në ora 16:00 për – miratimin e listës së barnave të rimbursueshme – për të cilat ai ka marrë shpërblimin e majmë nga kompanitë. Lista që vjet është miratuar në qershor -lista nuk u është shpërndarë paraprakisht anëtarëve të komisonit. Kësaj i thonë: do të vjedh, do të vjedh gjer ditën e burgut!”, shkruan Berisha në reagimin e tij. Më poshtë ai publikon edhe denoncimin e qytetarit. “Përshëndetje Doktor, më informojnë që Beqaj ka thirrur me urgjencë mbledhjen e Këshillit Administrativ (KA) të Fondit të Sigurimeve të Detyrueshme Shëndetësore. ‘Njoftim i rëndësishëm: të martën në orën 4 kalon me procedurë të përshpejtuar lista e barnave të rimbursueshme në KA’. Beqaj do ta kalojë listën e barnave të rimbursueshme para se të dekretohet nga Presidenti e të miratohet nga Parlamenti pasardhësja, si duket ka bërë për pazaret e fundit me miqtë e tij nga të cilët është direkt përfitues…
Vjet Lista e Barnave të Rimbursueshme (LBR) është miratuar në mes të qershorit, ndërsa këtë herë po e kalon në urgjencë. Listën nuk e ka shpërndarë. Do ua paraqesë aty direkt anëtarëve të KA. Nuk e ka askush. Kanë organizuar me urgjencë grupin me Zhan Levanin në krye”.