Ilir Beqaj vazhdon të marrë qindra milionë lekë me “INTECH”-un e tij. Në fillim të këtij viti, kompania e themeluar nga Beqaj ka marrë 320 milionë lekë për një shërbim për Ministrinë e Jashtme. Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun, Grida Duma denoncoi dje skandalin e radhës së Beqajt. Përmes një deklarate për mediat nga selia e PD, Duma publikoi disa dokumente, të cilat faktojnë se si Beqaj zhvat paratë publike përmes kompanisë së tij, ndërsa i ka shtrirë përfitimet edhe tek ministritë.
“Në vijim të denoncimit të oligarkëve të Edi Ramës dhe metodave sesi i vjedhin paratë e shqiptarëve, sot po ndalemi tek ‘INTECH +’ i Beqajt. Sikur të mos mjaftonin miliona euro të koncesioneve në shëndetësi, që nuk janë bërë për qytetarët, por për klientët, Ilir Beqaj vazhdon të marrë qindra milionë lekë me ‘INTECH’-un e tij. Në fillim të këtij viti, kompania e themeluar nga Beqaj ka marrë 320 milionë lekë për një shërbim për Ministrinë e Jashtme. Pra, Beqaj, kampioni i korrupsionit në shëndetësi, ka shtrirë dorën dhe nga godina përballë e Ministrisë së Jashtme. ‘Fastech’ është thjesht një mbulesë për paratë që merr kompania e Beqajt. E kanë rregulluar që të futen si bashkim operatorësh, ose që t’i marrë fastech, pastaj librat e shitjes tregojnë se punët i bën ‘INTECH’, pra paratë në fund i merr Beqaj”, tha Duma.
Ajo solli në vëmendje se kompania e Beqajt vetëm në vitin 2015 arriti të fitonte rreth 11.3 miliardë tendera. “Duhet të kujtojmë këtu se për vitin 2015, ‘INTECH’-u i Beqajt mori 11 miliardë e 257 milionë lekë. 11 miliardë e 257 milionë lekë nga paratë e shqiptarëve. Ky është korrupsioni tronditës që po mbush llogaritë e qeveritarëve, e Ramës e Beqajve, e po zhyt popullin në skamje. Ky korrupsion po sjell varfëri e mjerim, papunësi, krizë të gjithanshme, teksa pasuria dhe luksi i Kryeministrit e oligarkëve të tij rritet çdo ditë”, u shpreh Duma.
Një lumë transaksionesh janë derdhur në llogarinë bankare të “INTECH+”, kompanisë së ministrit të Shëndetësisë, Ilir Beqaj ditët e fundit të vitit 2015. Sipas të dhënave të marra nga Open Data, me shtatë transaksione dhe brenda vetëm një jave, duke nisur nga data 24 dhjetor e për të vijuar pa ndërprerje në datat 28, 29, 30 dhe 31 dhjetor, kompania e Ilir Beqajt ka përfituar jo pak, por plot 1.3 miliardë lekë. Vetëm në datat 30 dhe 31, kompanisë së ministrit të babëzitur i ka kaluar një shumë prej 696 milionë lekësh, një transaksion prej 514 milionë lekësh dhe një tjetër prej 182 milionë lekësh.
Ashtu sikundër tregojnë shifrat, vihet re se në shumicën e transaksioneve që kanë kaluar në llogarinë e kompanisë së Beqajt shumat janë qindra milionëshe, madje në një ditë, ai ka arritur që të marrë 514 milionë lekë dhe ditën tjetër 182 milionë lekë. Të gjitha transaksionet e sipërpërmendura janë kaluar nga vetëm një institucion, nga Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit. Vetëm përmes kësaj agjencie, Beqaj ka zhvatur të tjera miliarda nga buxhteti i shtetit, duke arritur një shifër tenderash prej 1.3 miliardë lekësh.
Arben Shahini