Beqja pranon terrorin e Shullazit në Hipotekë për hotel “Vollgën”

Ylvi Beqja, përfaqësues i kompanisë “Saubi Brothers Commercial Company” pranon se Shullazi ka ushtruar presion dhe terror ndaj punonjësve të Hipotekës së Durrësit për të regjistruar hotel “Vollgën” si pronë të tij. Pas 14 vitesh nëpër Gjykata, Beqja e gjeti zgjidhjen e halleve të tij tek Emiliano Shullazi. Avokati i Ylvi Beqajt, Roland Samarxhiu në një intervistë për ABC News deklaroi se, paratë për truallin dhe Hotel “Vollgën” në Durrës ishin paguar, por Gjykata ishte duke ia marrë pronën për t’ia kaluar palës tjetër në konflikt. Në atë moment, Ylvi Beqja takon Emiliano Shullazin dhe i kërkon ndihmë për regjistrimin e pronës në Hipotekë.
“Ylvi Beqaj është njohur me Emiliano Shullazin prej shumë kohësh se kanë qenë komshinj. Në një moment kafeje siç pyesim ne shqiptarët, i ka thënë: Më ka gjetur belaja! Kam marrë vendimin për ta regjistruar pronën, nuk ma regjistron Zyra Regjistrimit e Pasurive të Paluajtshme. Ça po thua? Ja këtë po them, spo ma regjistrojnë. E kam çuar edhe për Përmbarim. Të përpiqem unë? Po a ke gjë në dorë?”
Do merrte dy gjëra Emiliano: Do interesohej që të regjistohej kjo pronë që e kishte përmbaruesi, kishte çuar shkresat, kërcënimet që lejon ligja dhe e dyta ishte, do bisedonte me Zanmir Hasën. Tani kjo punë mbaroi. Eshtë e vërtetuar. Do mbyllte punën me Zanmirin që mos vazhdonin gjyqet pafundësisht, se vajtën kaq vjet. Këto ishin detyrat.
Meqë jemi në ekonomi tregu, hyri kjo tjetra: Mirë do i bëj unë këto, po ça do marr unë? Dhe u la që nëse zgjidhte problemin me regjistrimin merrte 10%, nëse zgjidhte problemin me Gjykatën merrte 10% të tjera, që shkonte 20%”, u shpreh avokati i Beqajt.
Avokati është i ndërgjegjshëm se zgjidhja nuk erdhi në rrugë zyrtare, por nepërmjet kërcënimeve dhe presionit të Shullazit ndaj zyrtarëve të Hipotekës. “Po të flasim që shteti do punonte tamam siç duhej nuk do ishte puna për Emiliano Shullazin. Por ama, Ylviu ia njeh për nder atij. Se nuk mund ta ndajë tani. Si? Kush e bëri? Shkon përmbaruesi, i thotë kryeregjistruesit: Ore bëje se do të të jap gjobën, do të të çoj në burg, ai nuk e bën. Nuk po gjente zgjidhje një vendim i dhënë nga Gjykata, që duhej të zgjidhej përmes rrugëve zyrtare dhe jo të tjera. Meqë nuk po gjente zgjidhje i kërkoi ndihmë Shullazit”, tha avokati i Ylvi Beqajt për ABC News.

Historia e pronësisë së hotel ish-“Vollgës”

Historia e pronësisë së hotel ish-“Vollgës” dyshohet se është e ndërtuar mbi falsifikimin e dokumetave. Në 24 mars 1994, kjo pronë i kaloi në pronësi trashëgimtare, Alije Fortuzi. Po në 4 dhjetor të këtij viti, përmes një prokurore të posaçme, shtetasi Ali Sula, në emër të Alije Fortuzit, ia shet atë shtetasit arab, Muhamed Abdulla Bawazeer.
Pikërisht këtu ka dyshime se zë fill falsifikimi i dokumetave dhe nuk përjashtohet mundësia që të jenë përfshirë zyrtarë të Hipotekës së asaj kohe. Pas kësaj ka nisur një proces gjyqësor, mes Alije Fortuzit dhe shtetasit arab.
Pas 9 viteve, në 2003 trashëgimtarja Fortuzi arrin ta regjistrojë pronën në emër të vet. Po këtë vit ish-hoteli i kalon Zanmir Hasës, përmes një prokure të lëshuar në Selanik dhe e firmosur nga Alije Fortuzi. Por edhe për këtë prokurë, hetuesit kanë dyshime se është e falsifikuar.
Në bazë të regjistrit të Gjendjes Civile, Zanmir Hasa ka jetuar në Selanik, aty ku ka lindur edhe vajzën e tij. Por nuk bëhet me dije se si është njohur Zanmir Hasa me Alije Foruzin dhe më pas marrja e kësaj prokurore.
Shtetasi arab Bawazeer hap një proces tjetër gjyqësor dhe në korrik të 2014, Gjykata e Lartë vendos pezullimin e regjistrimit të kësaj prone në emër të tij.
Po gjatë 2014, Gjykata e Durrësit me një vendim të dyshimtë, sipas Prokurorisë, anashkalon Gjykatën e Lartë dhe prona regjistrohet në emër të arabit.
Pas këtij momenti Bawazeer shet 2/3 e pronës tek shtetasit Fejzi dhe Marjeta Kodra për shumën e 671 mijë eurove.
Pjesën të ish –hotelit, shtetasi arab ia dhuron për mirënjohje Emiljano Shullazit.
Prokuroria ka dyshime se Fejzi dhe Marjeta Kodra nuk kanë mundësi financiare të paguajnë një shumë të tillë dhe ka dyshime se kanë pastruar paratë.
Por Fejzi Kodra thotë se paratë ia ka marrë nga miku i tij Luan Leka.
Veprimet e shitjes dhe dhurimit, thotë Prokuroria, janë kryer nga shtetasi Ylvi Beqja, përfaqësues i kompanisë “Saudi Bradhers” të arabit Bawazeer. Dhurimi, sipas organit hetimor, i është bërë Shullazit nën kërcënim.
Nga këto veprime shkruan Prokuroria në dosjen hetimore, dyshohet se është kryer një vepër penale tjetër në Hipotekën e Durrësit dhe Tiranës, siç është ajo e zhdukjes së origjinës së kësaj prone dhe regjistrimin e saj në emër të Emiljano Shullazit.

Prokuroria: Vazhdojnë hetimet ndaj Shullazit për akuzën e “gjobëvënies”

Katër biznesmenët që janë gjobitur nga Shullazi nuk kanë pranuar të dëshmojnë në Prokurori. Megjithatë, Prokuroria e Krimeve të Rënda bëri të ditur se do të vazhdojë hetimet për akuzën e “gjobëvënies” për Emiliano Shullazin, pavarësisht se asnjë nga biznesmenët e kërcënuar nuk pranon të bëjë kallëzim penal.
Hetimet ndaj Shullazit dhe të dyshuarve si pjesëtarë të “bandës” së tij, do të vazhdojnë edhe pse deri më tani, biznesmenët nuk kanë pranuar se janë gjobitur. Për momentin, Prokuroria nuk po merret me pyetjen e këtyre biznesmenëve, pasi po punohet në rrugë operative që të provohet kontakti i tyre me bandën e Shullazit dhe personave ndërmjetës.
Vepra penale, për të cilën akuzohet Shullazi, thonë burimet nuk është vepër penale që personi mund të heqë dorë apo mos të kallëzojë. Kjo vepër ndiqet penalisht edhe me iniciativë të Prokurorisë, për të provuar krimin që të dyshuarit mendohet se kanë konsumuar.
Nga ana tjetër, Prokuroria ka dërguar në Laboratorin e Policisë Shkencore rreth 30 kamera të sigurisë, të cilat janë sekuestruar nga biznese e rrugë të ndryshme në Tiranë. Në mesin e këtyre pamjeve, mësohet se janë pamjet e kamerave të sigurisë së hyrje-daljeve të kryeqytetit, kamerat e Bashkisë që ndodhen në kryqëzime dhe rrugë kryesore, kamera të policisë si dhe bizneset e ndryshme.

Exit mobile version