Pamja e Berat Gjimshitit që mban në dore trofeun e Ligës së Europës në vitin 2024, do të jetë përgjithmonë e ngulitur në historinë e klubit të Atalantës. Por edhe shifrat tashmë konfirmojnë se mbrojtësi shqiptar është mes legjendave të të gjitha kohëve në klubin italian.
Me ndeshjen e luajtur në fundjavë ndaj Veronës në Serinë A, Gjimshiti arriti numrin e 273 ndeshjeve në aktivitete zyrtare me Atalantën.
Një shifër domethënëse pasi bën që ai të kalojë një prej ikonave më të njohura të klubit bergamask, ish-kapitenin suedez Glen Peter Stromberg, duke e bërë mbrojtësin shqiptar futbollistin e 10-të me më shumë ndeshje me Atalantën.
Gjatë këtyre ndeshjeve me Atalantën, Gjimshiti ka regjistruar edhe 10 gola të shënuar, 9 asiste dhe është ndëshkuar 48 herë me karton të verdhë.