Namir Lapardhaja
Që ky qytet ka vdekur intelektualisht, duke mos ofruar asnjë impuls dhe duke mos treguar asnjë shenjë jete në këtë drejtim, kjo nuk është e re. E kemi ditur prej kohësh. E shohim dhe e jetojmë përditë. Edhe kemi vuajtur prej saj. Njeriu është qenie që mësohet. Dhe kur fillon e ambientohesh me këtë gjë, në fakt, nuk ke bërë gjë tjetër vetëm se ke firmosur me duart e tua kapitullimin tënd, mendor dhe intelektual.
Në Berat ndodh kjo gjë. Përditë vdes nga pak intelektualisht dhe mendërisht. Derisa degradon duke vrarë kohën e radhë kafeneve të qytetit. Por, si për të mos mjaftuar ky kapitullim intelektual dhe mendor, pushteti i sotëm, ai lokal dhe ai qendror, po e vdes Beratin edhe përsa i përket minimumit jetik të përditshëm.
Dje qyteti ka qenë gjithë ditën pa drita, ndërsa sot mbushen 48 orë që Beratit i mungon edhe uji i pijshëm.
I kishim harruar këto mungesa të mëdha dhe minimale në jetesën tonë modeste.
Kujtesa prej pule e këtij populli e ka harruar që ka qenë qeveria e Berishës, ajo që ua zgjidhi shqiptarëve një herë e përgjithmonë mungesën e energjisë elektrike.
Ndërsa uji, edhe pse me orar, nuk ka qenë ndonjëherë problem kaq i madh. Së paku, flas për Beratin.
Nuk do të ndalem gjatë për të rreshtuar problemet që ka çdo qytetar nga mungesa e ujit kaq gjatë, e as nuk dua të merrem e të flas për qytetin turistik, turizmin, vizitorët etj. As nuk më intereson fare.
Imagjinoni për një moment një situatë ku qyteti merr i gjithë era nga mungesa e ujit?! Situata sigurisht që nuk është kjo, mirëpo nuk është çudi që edhe të ndodhi kështu.
Një ndër premtimet elektorale të kryetarit aktual të Bashkisë në fushatën e fundit elektorale ka qenë furnizimi me ujë të pijshëm 24 orë. Duke qenë shumë afër fushatës së kandidatit të djathtë në atë kohë, personalisht refuzova të bëheshim pjesë e një diskuri që në vitin 2015 do të kishte si premtim elektoral pikërisht ujin e pijshëm, i cili nuk kishte qenë problem në këtë qytet as në vitin e largët ’88 e jo më tani.
Mirëpo, mendimi i atëhershëm i imi paska qenë i gabuar. Kryebashkiaku i ri e mbajti premtimin e ujit: i la qytetarët e Beratit pa ujë jo 24 orë, por 48 orë. Punë e paqme.
Dhe ja, ndërsa njerëzit janë të zënë me betejat televizive, se i tha…, po ç’a i tha…, po si ia tha…
Ia tha… ia plasi… u ngrit e shahu… në burg… kriminel etj., Berati vijon të jetë pa ujë…. Ndërsa era është në grahmat e saj të para…