Ish-kryeministri Sali Berisha i ftuar në studion e emisionit “Kjo Javë” në News 24 ka komentuar aktualitetin politik, e veçanërisht rekomandimin e Komisionit Europian për hapjen e negociatave të Shqipërisë me BE, si dhe vizitën e kryeministrit Edi Rama për të lobuar në Berlin. Përballë moderatores Nisida Tufa, Berisha ka zbërthyer takimin e Ramës me Merkel e deputetë të tjerë të Bundestagut, atje ku sipas tij, Rama shkoi në kushte më të disfavorshme se në 2016. Berisha tha se Rama iu shpalli gjermanëve luftë të ftohtë dhe mori prej tyre përgjigje të prerë: Që Shqipëria nuk ishte ende gati për hapjen e negociatave në qershor.
Sipas Berishës, kryeministri kërkoi falje për sulmet që disa media në Shqipëri i bënë Gunther Krichbaumit, por edhe aty doli bllof, pasi foli për media të lira e detyroi Florian Hahn t’i kujtojë, siç shton Berisha, që mediat që e sulmuan gjermanin ishin media që kontrolloheshin nga Rama.
Një pikë tjetër për të cilën Berisha thotë se Rama gënjeu, ishin deklaratat për Saimir Tahirin.
Doktor Berisha, Shqipëria ka marrë rekomandimin për çeljen e negociatave, një lajm i gëzueshëm por duket se ka edhe vërejtje për qershorin, kur pritet edhe hapi përfundimtar. Ju vetë jeni ndër ata që keni vërejtje…
Berisha: Unë e kam vlerësuar dhe jam për hapjen e negociatave me BE, jo se Shqipëria ka plotësuar kushtet, se ka realizuar reformat e përcaktuara por se ky është një proces i rreptë mbikëqyrje dhe ndihme, duke patuar parasysh se kemi një qeveri që është e gatshme të shkasë mbrapa çdo ditë, e gjykoj që është në interes të vendit. Kurse për arsye gjeostrategjike e deklaroi edhe vetë Presidenti i Komisionit Europian, sikundër Donald Tusk e deklaroi në Tiranë se ka një mesazh për Europën që është toleranca fetare. Me të gjitha këto jam dakord. Nga ana tjetër e konsideroj antishqiptare përpjekjen e Edi Ramës për të trembur Europën me besimin mysliman të shqiptarëve. Është një ufo të mendosh se feja e shqiptarëve është europeizimi, shqiptarët kanë fetë e tyre vokacioni i shqiptarëve është europeizmi. Antishqiptar dhe i paskrupullit është ai që mendon se mund të hapësh negociatat duke trembur Europën.
Ju si mendoni a do t’i hapë Shqipëria negociatat?
Berisha: Sa i përket kritereve Shqipëria është shumë mbrapa. Le t’ju kthehemi raporteve 2016 dhe 2018, në tre vite ka konstatuar mungesë progresi, por mos harroni që në 2016 s’ka asnjë fjalë për progresin. Edi Rama nuk ka sjellë progres, ka shkarje të qartë mbrapa. Nuk ka ndodhur në historinë e këtij vendi që prokuroria të kërkojë arrestimin e një deputeti për lidhje me bandat dhe Parlamenti ta bllokojë. Që atë ditë kam deklaruar se po merret peng integrimi. Në 28 nëntor 2016, Rama fluturoi në Berlin dhe tha se do ju sjell kartolinën e Angela Merlek për hapjen e negociatave. Atje gjeti atë klimë që meritoi, nuk keni plotësuar 5 prioritetet dhe vendi është mbytur nga droga. Të njejtën gjë bëri para dy ditësh. A shkoi në kushte më të favorshme apo të disfavorshme për çdo shqiptar është e qartë se shkoi në kushte më të disfavorshme. Shkoi me rekorde të zeza të paregjistruara në 2016, shkoi me platformën e shpalosur të luftës së ftohtë, shkoi të kërkojë ndihmë dhe mbështetje në Berlin i shpall luftë të ftohtë, mobilizoi mediat rreth tij të sulmojnë, kë? Kryetarin e atij komiteti që Bundestagu i ka besuar çështjet europiane. Sulmet personale janë të padenja. Ky çfarë iu tregoi? Bundestagu tregoi solidaritet total në qëndrim, sepse ata nuk mund të pranojnë luftën e ftohtë. Ne jemi një ish vend komunist që lufta e ftohtë është si buka e përditshme, por ata s’mund ta pranojnë. Vetë deklarata e Angela Merkel nuk lë ekuivok: Shqipëria nuk ka plotësuar kushtet, janë një seri parakushtesh. Ajo thotë ka realizuar ca gjëra.
Si e patë pritjen e zotit Rama në Berlin? Konferencën me Angela Merkel dhe deklaratat për Gunther Krichbaum?
Berisha: Çfarë pamë? Gunther Krichbaum doli e priti tek dera pavarësisht se ky kishte lëshuar mediat kundër tij. Aty ndodhi një gjë e tmerrshme, por që Rama ia bëri vetes. Pyetjes së deputetëve lidhur me këto sulme iu kërkoi të falur pastaj tha, janë media të lira. Media e Endri Fugës, Mero Bazes, djemve të Dades apo Bledi Manes që mbahen me kockat e Ramës qenkan të pavarura dhe këto i shpallën luftën e ftohtë atij. Kjo e detyroi Florian Hahn t’i thotë ato janë mediat tuaja, i kontrollon ti. Gënjeshtra më e dëmshme ishte pyetja për Saimir Tahirin. U pyet si ka mundësi që Prokuroria kërkon arrestimin dhe ju e bllokoni prokurorinë me imunitetin? Cila ishte përgjigja e Ramës për gjermanët? Mashtrimi më i madh që mund të bëhej: Saimir Tahiri nuk ka asnjë imunitet. Imagjino tani, u ngrit referenti i Bundestagut për Shqipërinë dhe i thotë: Jo o zotëri, ti jo vetëm e bllokove arrestimin, por akoma më keq, ti sulmove prokurorët. Kjo është e rëndë, se gënjeu dhe u tregoi se është skllav i Saimir Tahirit.
Kjo është arsyeja pse Saimir Tahiri flet me gjuhën e Ramës?
Berisha: Kjo është arsyeja që ia kthen batutat. Kur i bëjnë dhe nënat ashtu, ata qofshin janë fatkeqësia e nënave të tyre, kur përdorin ato terma për të cilësuar njëri-tjetrin. Kjo është gjuha kod e mafias. Ai është plumbi në zarf që ata i dërgojnë njëri-tjetrit në kuptimin figurativ.
Me çfarë pikësh minus kthehet Rama nga Berlini dhe sa kohë ka Shqipëria për ti plotësuar këto parakushte?
Berisha: Kthehet me mesazhin e qartë se nuk keni plotësuar kushtet. I referohem deklaratave të kancelares Merkel. Ajo duhet ta ketë të qartë se Rama s’bën gjë tjetër veçse gënjen qytetarët e tij. Të mendosh se do të luftojë krimin është si të kërkosh eskimez në shkretëtirë. Ka 1 vit Xhafaj ministër i Brendshëm, ka kapur vetëm 1 grup, ata që dyshohet se kanë kryer akte terrori në Shkodër, asnjë grup tjetër se ka deklaruar që janë 40. Nje grup që ende s’ka dalë në gjykatë? Cilat janë dosjet e mëdha? Asnjë nuk shkon në gjykatë? Ku është progresi? Ndaj edhe partnerët tanë, jo vetëm Merkel po bien sirenat. Veproni këto dy muaj që ta na bindni. Junker deklaroi se rekomandimi për Shqipërinë dhe Maqedonisë nuk është datë por parim. Data do vendoset nga mbushja e kritereve.
Konkretisht çfarë duhet të bëjë?
Berisha: Me Edi Ramën ka vetëm hapa mbrapa. Ai nuk mund të çmontojë strukturat kriminale që i drejton vetë. Nuk mund të çojë në gjykatë Gjiknurin se ka përvetësuar bashkë me të aferën e CEZ.
Shumë zëra flasin me dëshirë për rikthimin tuaj në PD. Si do t’i përgjigjeshit ju këtyre zërave?
Epoka Berisha, është mbyllur njëherë e përgjithmonë. E kam deklaruar dhe deklaroj. Largimi im është pakthim. Kjo është çfarë bëj unë sot. Asgjë tjetër veçse avokatin e interesit publik ashtu siç e gjykoj unë, sepse nuk mund të them se unë kam monopolin e të vërtetës, por mund të them disa gjëra. Bashkë me disa zëra të shoqërisë shqiptare, kemi mbrojtur kauza të drejta.
Në një foto shiheni ju me elektoratin, një popull që ju do shumë…(Tregohet ne monitor nje foto e vjeter e Berishes)
Berisha: Unë shoh përpara. Jam ndarë nga një periudhë e jetës time si drejtues i PD dhe sot e vërteta është që unë që nga mëngjesi e deri në darkë, bëj avokatin e interesit publik. Nuk bëhet fjalë kurrë që të rikthehem kurrë në PD.
Pse e quani lajthitje, për shkak të betimit?
Berisha: Njeriu i qëndron fjalës, por mendoj se duhet të jenë gjenerata të tjera. Ndodhi një zëvendësim gjeneral, Lulzim Basha është gjeneratë tjetër. Do ta quaja një lloj, po ta them haptazi jo fat të mirë të PD sikur të ishte problemi që të kthehet Sali Berisha në PD. Duhet të bëjë gjithçka që ta çojë vendin në fitore. Epoka e Berishës është e mbyllur.
Mendoni se janë më të shumtë ata që ju duan apo nuk ju duan?
Berisha: Asnjë kalkulim i kësaj natyre nga mua
Por një gjykim duhet ta keni?
Berisha: Nuk është tundim dhe kriter për mua. Gjykoj se kam vepruar jo vetëm në përputhje me dinjitetin tim por edhe të atyre që më kanë besuar mua
Pse ju zgjedhin juve për të denoncuar?
Berisha: Kjo qëndron. Unë do të shpjegoj pse e quaj qytetari dixhital që të ndjehet qytetari që një padrejtësi që atij i bëhet të ketë zë.
Ju ka qëndruar të bini në kurth nga adresimet, si i verifikoni ato që ju sjellin?
Berisha: Ndodh, ka ndodhur por në 98% të rasteve është i saktë. Nëse tregohet Berisha më i vëmendshëm edhe ky 2% përjashtohet.
Një vlerësim, si po shkon reforma në drejtësi dhe pse kemi një kulturë pandëshkueshmërie?
Berisha: Kush po e bën vettingun? Ish-bashkëpunëtorë të sigurimit të shtetit, a u bë vetting për ta? Si mund t’i besoj unë atij procesi. Gënjeshtra ka shpejtësi kozmike në raport më të vërtetën. Fjalën më të mençuar ia tha një prokuror amerikan i ftuar të merrte pjesë në këtë grup. Tha se ky ishte është eksperimenti unik në botë. Si mund të jetë ekspertimeti i Edi Ramës dhe Xhorxh Sorosit ndryshe?
Ju bëni thirrje të forta për revolucion, por aksioni opozitar ka mbetur në mes, çfarë përgjigjeje keni ju për këtë?
Berisha: Nuk është operacion i lënë në mes, me sa di unë do vazhdojë. Kam një thirrje për çdo qytetar shqiptar që do jetën dhe pronën e sigurt, të mobilizohet me gjithë forcat dhe guximin e tij, të mobilizohet për fushatën më të gjerë e mosbindje civile. Të flakim kalbësirën e Edi Ramës siç flakëm Enver Hoxhën.