Berisha-Bachura: Zëri i ndërkombëtarëve i dobët për kriminalizimin

Ish-Kryeministri Berisha priti dje në një takim ambasadorin e ri të Polonisë në Tiranë, zotin Karol Bachura.
Zoti Berisha i uroi ambasadorit Bachura mirëseardhjen në vendin tonë dhe suksese në detyrë, si dhe i shprehu mirënjohjen për ndihmën tejet të çmuar që Polonia i ka ofruar Shqipërisë gjatë gjithë kësaj periudhe pas rënies së komunizmit.
Polonia është vendi që, në ditët e errëta të shtypjes së çdo lirie nga diktatura komuniste, ka inspiruar kombet dhe vendet e Europës Lindore, e veçanërisht Shqipërinë, në luftën për liri dhe demokraci.
Zoti Berisha theksoi se drejtimi kryesor i Shqipërisë është integrimi në Bashkimin Europian dhe se ky është një proces, i cili duhet të bazohet në plotësim kriteresh. Në këtë takim ai theksoi se pa diskutim ky vit mund të quhet “viti i kanabisit” dhe kanabizimit të Shqipërisë dhe se kjo qeveri e ka kthyer vendin në një Kanabistan. Reportazhe dhe artikuj të shumtë të përditshëm në mediat prestigjioze të huaja tregojnë qartë implikimin e drejtuesve të lartë politikë dhe të policisë në kultivimin dhe trafikun e kanabisit dhe e vërteta është se kemi të bëjmë me një politikë qeveritare, u shpreh ai. Fermerët tregojnë me zë dhe figurë se fitimin që ata nxjerrin nga ky aktivitet ilegal, e ndajnë përgjysmë me policinë. Në mbarë vendin grupe të armatosura banditësh ruajnë arat e kanabisit.
Zoti Berisha theksoi se opozita po denoncon në mënyrë të përsëritur këtë fenomen që po gërryen rrënjët e shtetit të së drejtës, rendit dhe sigurisë publike, po kriminalizon shoqërinë dhe ekonominë, po largojnë investimet e huaja, por që fatkeqësisht zëri i komunitetit ndërkombëtar ka qenë i dobët në këtë drejtim.
Marrja e pushtetit nga mazhoranca aktuale, u shpreh ish-Kryeministri Berisha, solli kthim prapa në standardet zgjedhore më 2015, por rreziku më i madh për zgjedhjet e 2017 vjen nga paraja kriminale e drogës dhe korrupsionit që mazhoranca e Edi Ramës do të përdorë për të blerë votat, ndaj dhe vlerësoi se me këtë kërcënim dhe bllokimin e reformës zgjedhore, zgjedhjet janë në pikëpyetje të rëndë.
Në këtë kontekst së bashku me ambasadorin zoti Berisha shprehu shqetësimin që kjo situatë përveçse dëmton rëndë vendin, nuk krijon një klimë të favorshme për investitorët e huaj, ndërsa të rinjtë të vetmin objektiv kanë largimin nga vendi i tyre ndonëse Shqipëria ofron potencial të madh.
Për zotin Berisha votimi me konsensus i ndryshimeve kushtetuese për reformën në drejtësi ishte moment madhor për vendin dhe hap rrugën për një drejtësi të çliruar nga korrupsioni, efikase dhe të pavarur. Për fat të keq, theksoi ai, qasja e mazhorancës në këtë reformë ka qenë përjashtimi i opozitës dhe kapja e drejtësisë. Ai theksoi se falë këmbënguljes së opozitës, kontributit të Komisionit të Venecias, Washingtonit dhe Brukselit, u arrit kompromisi kushtetues që pengon mazhorancën të fusë në kontroll drejtësinë, por Kryeministri Rama nuk heq dorë dhe ka miratuar ligje në thyerje të Kushtetutës, dhe atë që nuk arriti dot të realizojë me Kushtetutë, pra kapjen e drejtësisë do tani ta realizojë nëpërmjet ligjeve duke rrëzuar Kushtetutën.
Ambasadori Karol Bachura i shprehu zotit Berisha kënaqësinë e marrjes së detyrës së re dhe rikonfirmoi mbështetjen e plotë të Polonisë në avancimin e Shqipërisë drejt integrimit në BE. Ai tha se zgjedhjet e ardhshme do të duhet të shtrojnë rrugën drejt BE. Ai shprehu shpresën që kjo rrugë do të jetë autostradë dhe jo një rrugë me gropa prej standardeve të shkelura.

Exit mobile version