Berisha-Dakos: Si të mori peng Shullazi, donte të të hidhte nga kati 15

Ish-Kryeministri Berisha i ka kujtuar dje kryetarit të Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako se, si Shullazi e ka marrë peng dhe donte ta hidhte nga kati i 15-të i një pallati. Berisha postoi para dy ditësh në Facebook denoncimin e një qytetari për ndërtimin e pallateve pa leje të qeveritarëve në Qerret, por sipas qytetarit dixhital, banorëve u bëhet presion, pasi u thuhet se ato po bëhen nga Vangjush Dako dhe Lulzim Berisha. Dje, reagoi edhe kryetari i Bashkisë së Durrësit, Vangjush Dako, duke thënë se: “Qerreti nuk është nën administrimin e bashkisë që drejton, por bën pjesë tek e Kavajës, ndërsa qytetari dixhital është vetë Berisha”.
Ish-Kryeministri Berisha i ka kthyer përgjigje ditën e djeshme Dakos në një postim në Facebook, duke i shkruajtur se jetën e ke prej qytetarit dixhital, kur ai me guxim denoncoi marrjen tënde peng nga Shullazi dhe tmerri që të krijuan me provat që bënë për të të hedhur nga kati i 15 i një pallati.
“Përgjigje Dakos! Përshëndetje Gjush!
Së pari, dënoj qëndrimin tënd shpërfillës ndaj qytetarit dixhital, për të cilin kurrë nuk duhet të ankohesh, sepse ti jetën e ke prej qytetarit dixhital, kur ai me guxim denoncoi marrjen tënde peng nga Shullazi dhe tmerri që të krijuan me provat që bënë për të të hedhur nga kati i 15 i një pallati. Në atë kohë ishte jo Rama, por qytetari dixhital që denoncoi dhe të shpëtoi, dhe ti nuk kundërshtove as dhe një presje të vetme nga ai status. Por si mos mirënjohës që je, dhe tani që ke marrë Lul Berishën si menaxher të aferave të tua, sulmon qytetarin dixhital.
Së dyti, e vlerësoj përgjigjen tuaj, në të cilën ti, duke u përpjekur të mohosh akuzat e qytetarit dixhital, faktikisht i pranon pothuaj plotësisht ato. Unë i botoj mesazhet e qytetarëve dixhital siç vijnë, nuk marr kurrë përsipër vërtetësinë e tyre, por kësaj radhe qytetari dixhital përveç mesazhit me fjalë ka dërguar dhe fotografinë e shtatë pallateve në rërë e pa leje në Qerret. Pallatet në thes nuk mund të futen, ato flasin më shumë se sa 1 milion fjalë! Pretendimi juaj se qytetari dixhital qenkam unë nuk të mbron, por të akuzon, sepse është thjesht refreni bajat i Ramës “fajin e ka Saliu”!
Së treti Gjush, vërtet Qerreti është në Kavajë dhe nuk është as në Durrës dhe as në Surrel dhe se ti shumicën e krimeve urbanistike, mjedisore e ke kryer në Durrës, por përsëri kjo nuk të mbron nga akuza e qytetarit dixhital pasi dihet mirë se për mafien nuk ekzistojnë kufinj adminstrativë, krahinor madje as dhe shtetëror apo kombëtar.
Mafia si zot njeh vetëm fitimin. Kështu që me këtë argument ti vetëm sa çon ujë në mullirin e qytetarit dixhital!
Ndaj dhe pa dëshirë të falënderoj, sepse faktikisht, si të thuash me argumentin që përdor, pranon se nuk je dorë jashtë në këtë aferë!
Së fundi, unë personalisht nuk di se të kujt janë pallatet e ndërtuara në rërë që ka dërguar me foto qytetari dixhital, por di me dokumenta, të cilat dhe i kam botuar, se ndërtimi i tyre ka filluar së paku 3-4 muaj para zgjedhjeve.
Qytetari dixhital mund të jetë ose jo i saktë për pronësinë ndaj dhe unë u bëj thirrje Prokurorisë dhe autoriteteve vendore të Kavajës të ndërhyjnë me urgjencë për të zbardhur këtë aferë, në të cilën përveç shkeljeve të të gjitha ligjeve të ndërtimit, urbanistikës dhe mjedisit, kemi të bëjmë me larje të miliona euro para të pista!
Këtu më poshtë keni të plotë statusin e botuar sot nga Gjushi si përgjigje ndaj akuzave të bëra në statusin e djeshëm të qytetarit dixhital!!”, shkruan Berisha.
“Sali! Që ti mos ta dish ku bie Qerreti unë s’e besoj dot, sepse përveçse ti i di mirë edhe gjërat që bën sikur s’i di, në Qerret ke edhe shtëpinë verore të Lulzimit tënd. Pra, Qerreti bie në Kavajë Sali jo në Durrës, kështu që thuaji atij qytetarit dixhital, dmth vetes tënde, që me Dakon e ke kot se Dakos nuk i’a ha qeni shkopin (siç e di edhe ti që bën sikur s’e di Sal) dhe pushime të mbara në Vilën e Lalzit, aty po je në Durrësin e Dakos”, shkruante Dako.

Exit mobile version