Ish-Kryeministri Sali Berisha ka dënuar ashpër vrasjet raciste të shqiptarëve në Greqi. Me anë të një reagimi në rrjetet sociale, Berisha shkruan se ndaj shqiptarëve ka nisur një hakmarrje primitive nga ekstremistët grekë, që pas vrasjes së ekstremistit Kostandinos Kaçifas gjatë një shkëmbimi zjarri me forcat RENEA.
Ai ju ka bërë thirrje të gjitha institucioneve ndërkombëtare për të ndërhyrë dhe të reagojnë sa më parë për këto akte kriminale dhe raciste ndaj shqiptarëve.
Postimi i ish-Kryeministrit Berisha në Facebook
Ndal serialit të vrasjeve raciste të shqiptarëve në Greqi!
Të dashur miq, pas vrasjes në shkëmbim zjarri nga policia shqiptare të ekstremistit grek nga Bularati, Kostandin Kaçifas, në vendin fqinj, në hakmarrje të verbër raciste e primitive, ka shpërthyer një serial vrasjesh të shqiptarëve në tërësi.
Kështu, në një hark kohor pak javësh janë ekzekutuar në zona dhe rrethana të ndryshme të Greqisë 7 shqiptarë, që të gjithë përveç njërit ekzekutime gjakftohta të bazuara në urrejtjen dhe rracizmin primitiv ndaj shqiptarëve dhe si hakmarrje, akte kriminale albanofobie.
Mbrëmë në Kavalla u regjistrua viktima e 7-të, u gjet i vrare një 18 vjeçar, djalë i një familje emigrantësh shqiptar, anëtar i një ekipi lokal futbolli, për të cilin shkaku i vetëm sipas mediave mbetet racizmi.
Dënoj me ashpërsinë më të madhe këto akte kriminale të mirëfillta raciste dhe i bëj thirrje Komisionit të të Drejtave të Njeriut të OKB, Këshillit të Europës, Komisionit dhe Këshillit të Ministrave të BE të ndërhyjnë pranë autoriteteve greke për një hetim të pavarur mbi shkaqet dhe rrethanat e ekzekutimeve raciste të shqiptarëve në Greqi dhe të ushtrojnë të gjithë presionin e merituar ndaj autoriteteve greke që këto akte kriminale të shëmtuara të ndëshkohen. sb