Poritieri Etrit Berisha u shfaq dukshëm i zhgënjyer pas humbjes në fund kundër Francës në “Velodrome”. Gardiani kuqezi mendon se për mënyrën se si luajti kombëtarja, disfata nuk ishte e merituar. “Me siguri që rezultati është zhgënjyes, si në ndeshjen e parë, ashtu edhe në të dytën. Duhet të ishim të përqendruar. Por, në këto raste ndikon edhe eksperienca e ekipit dhe lojtarëve dhe kjo na ndëshkoi. Të gjithë lojtarët që hynë në fushë dhanë maksimumin, por episodin e golit të parë mund të kishim evituar, pasi i gjithë ekipi ishte në mbrojtje. Tashmë kjo ndodhi dhe nuk mund të kthehemi më pas. Nuk do të dorëzohemi. Do të bëjmë gjithçka që është e mundur, për të kapur vendin si e treta më e mirë dhe për ta fituar ndeshjen e fundit”, u shpreh Etrit Berisha.
Në të njëjtën linjë mendimi qëndron edhe Amir Abrashi. “Kemi pësuar gol në minutën e 90-të. Skuadra dha shumë, provuam në maksimum dhe të vjen keq që e humbëm ndeshjen. Nuk e di përse mungon përqendrimi. Harkimi në zonë e gjeti Grizman të vetëm në zonë. Ndëshkimi erdhi prej lodhjes. Lila dhe Kukeli që nuk mund të vazhdonte me lojën u zëvendësuan, por s’mund t’i vëmë fajin askujt. Mendoj se kemi për të marrë pikë me Rumaninë. E treguam në ndeshjen e fundit me Francën që mund të luajmë fort, por nuk duhet të pësojmë më gola në fund”, tha Abrashi.