Dy pyetje per Edvinin dhe çdo qytetar te Vlores lidhur me betejen Rama-Leli
1-Beteja me Lelin a ka lidhje me qendrimin e tij ndaj zhvillimit te pronave qe spas akuzave me ze dhe figure Rama u rrembeu pasi u be kryeminister i kushurinjve?
2- Emerimi i famozit Qendro, ekspertit te 8 fishimit te çmimive te ndertimit te rrugve me parate e buxhetit si nenkryetar fuqiplote a mos lidhet me ndonje projekt konkret qe i ke vene syrin per ndertim me 8 fishim te çmimeve te ndertimit?
Ketu me poshte keni nje analize te marredhenieve Rama-Leli te cilen sipas deshires mund te lexoni. sb
Rasti i çuditshëm i Dr.Lelit dhe Z. Rama; si u shpall kryebashkiaku ‘armik i partisë’
18:02, 14/07/2021
Përplasja mes kryetarit të bashkisë dhe këshilltarëve bashkiakë të Partisë Socialiste është kthyer në shqetësim për qytetarët e Vlorës, të cilët ankohen se shumë pak vëmendje po i kushtohet problemeve të qytetit
Pritej të ndodhte një gjyq popullor, i ngjashëm me ata që mbaheshin gjatë regjimit komunist, por me 30 qershor, dera e teatrit “Petro Marko” në Vlorë ishte e mbyllur.
Ndërsa anëtarët e Këshilit Bashkiak u mblodhën për të dytën herë brenda muajit për t’i kërkuar llogari kryetarit të bashkisë për atë që ata e quajnë ‘shqetësimi i komunitetit vlonjat për gjendjen e shërbimeve në qytet’, Dritan Leli i priste online.
Këshilltarët kërkojnë që ballafaqimi midiskryebashkiakut dhe Këshillit të ndodhë drejtpërdrejt në skenën e teatrit me 130 vende të ndërtuar në vitin 1977.
Ndryshe nga anëtarët e Këshillit, Leli insiston që mbledhja të mbahet ‘online’ për shkak të masave të distancimit social, që synojnë parandalimin e shpëndarjes së COVID-19.
Kufizimet e vendosura nga autoritet për parandalimin e koronavirusit të ri janë një temë e nxehtë debati politik në të gjithë botën, por përplasja midis këshilltarëve socialistë të Vlorës dhe kryebashkiakut – mjek radiolog nga profesioni, ka pak lidhje me pandeminë dhe shëndetin publik.
Ajo i ka rrënjët në thyerjen e marrëdhënies mes kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut socialist, pas refuzimit të këtij të fundit për ta dorëzuar mandatin në këmbim të kandidimit të tij si deputet në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit.
Refuzimi i Lelit solli dhe dëbimin e tij nga Partia Socialiste, e cila nëpërmjet deputetëve të qarkut Vlorë dhe anëtarëve të këshillit bashkiak por kërkon me insistim dorëheqjen dhe largimin e tij të parakohshëm nga detyra.
Kryebashkiaku i Vlorës, Dritan Leli i tha BIRN se ai nuk kishte kandiduar për deputet, pasi nuk e shihte më të ardhmen e tij në politikë.
“Nuk refuzova, thjesht nuk dëshiroj një stacion tjetër në politikë pas përfundimit të mandatit të dytë në drejtimin e bashkisë,” tha Leli.
Divorci nga partia
Përpara se të zgjidhej kryebashkiak i Vlorës në vitin 2015, Dritan Leli ia kishte kushtuar jetën fushës së mjekësisë, ku mban gradën Doktor i Shkencave nga universiteti “La Sapienza” i Romës.
Gjatë prezantimit të tij si kandidat gjatë fushatës për zgjedhjet vendore të vitit 2015, Rama pati deklaruar se kryebashkiaku i Vlorës do të gëzonte të gjithë mbështetjen e qeverisë për transformimin e qytetit.
“I japim mbështetjen e plotë Dritanit si kryetari më i ri i bashkisë së re,” dekaloi kryeministri në një takim elektoral në 7 maj 2015. “Dritani do jetë në gjendje ta kthejë Vlorën në drejtimin e duhur dhe të shfrytëzojë potencialet e kësaj zone,” shtoi ai.
Në zgjedhjet vendore të qershorit 2015, Leli u zgjodh kryebashkiak me një diferencë prej 15 mijë votash kundrejt rivalit të tij të djathtë nga Partia Demokratike.
Siç kishte premtuar edhe Rama gjatë fushatës, në katër vitet që pasuan, bashkia e Vlorës u bë një nga përfituesit më të mëdhenj të projekteve qeveritare të Rilindjes Urbane, ku spikati zgjerimi i lungomares e financuar nga Bashkimi Europian.
Katër vitet e para të Lelit në krye të bashkisë së Vlorës – rajon që gëzonte një vëmendje të shtuar nga kryeministri Rama për shkak se ishte dhe zona e tij elektorale – ishin relativisht të qeta dhe të patrazuara.
Ai fitoi një mandat të dytë në krye të bashkisë në zgjedhjet vendore të vitit 2019, të cila u bojkotuan nga opozita e udhëhequr nga Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim.
Kritikat e para të kryeministrit Edi Rama ndaj kryebashkiakut Leli u regjistruan në korrik 2020. Në një takim me strukturat e Partisë Socialiste të fshatit Zvërnec, Rama tha se Leli kishte shfaqur mangësi në drejtimin e bashkisë së Vlorës dhe në menaxhimin e punëve publike. Pak ditë vonë, gjatë një vizite në të njëjtën zonë, kryeministri shpalli emërimin e Afrim Qendros si nënkryetar të Bashkisë Vlorë.
Më herët, Qendro mbante postin e Drejtorit të Autoritetit Rrugor Shqiptar, prej nga u largua në janar 2019 pasi emri i tij u lakua në aferën e tenderit të Unazës së Madhe të Tiranës, i cili u fitua nga një kompani guaskë e regjistruar në SHBA me dokumente të falsifikuara.
Ardhja e Qendros vetëm sa i përkeqësoi raportet e Lelit me bazën e Partisë Socialiste dhe në bashki pati një valë shkarkimesh të atyre që u konsideruan si të afërt apo përzgjedhur nga kryebashkiaku. Kjo solli zëvendësimin e drejtorit të Taksave Vendore, drejtorit të Urbanistikës, atij të Projekteve si dhe drejtorit të Ujësjellësit.
Për gati një vit përpara zgjedhjeve parlamentare, strukturat e Partisë Socialiste në Vlorë u ndanë në dy grupe interesi. I pari udhëhiqej nga ish-ministri i Transporteve dhe Infrastrukturës, Damian Gjiknuri dhe tjetri nga kryebashkiaku Dritan Leli.
Pas refuzimit të Lelit për të kandiduar për deputet në zgjedhjet e parlamentare të 25 prillit, Rama qartazi u distancua nga Leli duke e dëbuar nga Partia Socialiste.
“Dritan Leli nuk është më pjesë e jona,” shkroi në një letër që iu paraqit në 10 mars Asamblesë së PS së Vlorës. “Me mua dhe Damianin nuk do të dalë në fushatë,” shtoi Rama, i cili u kërkoi socialistëve që të mos e sulmonin kryebashkiakun gjatë fushatës, por të fokusoheshin në sigurimin e një mandati të tretë.
Dezertor nga partia
Pas triumfit të Partisë Socialiste në zgjedhjet parlamentare të 25 prillit, sulmet ndaj kryebashkiakut Leli nuk vonuan. Në një video të publikuar në 2 maj në faqen Facebook të kryeministrit, Rama shfaqet duke biseduar me një drejtues punimesh në kantierin e zgjerimit të lungomares, të cilit i thotë se punët duhet të ecin më shpejt dhe ata nuk duhet të presin “të vdekurin e bashkisë.”
Komenti i Ramës duket se ka vënë në lëvizje këshilltarët e bashkisë Vlorë dhe deputetët e Partisë Socialiste, të cilët nisën më pas një fushatë për largimin kryebashkiakut Leli.
Këshilli Bashkiak i Vlorës, i cili përbëhet nga 49 këshillatrë të majtë dhe vetëm 2 të Bindjes Demokratike, kërkoi të mbante një mbledhje në 15 qershor, ku i kërkonte krybashkiakut të raportonte mbi gjendjen e shërbimeve publike.
Kërkesa e këshilltarëve u ndoq nga sulme publike drejtuar Lelit nga deputetët e Partisë Socialiste të qarkut Vlorë, të cilët i kërkonin kryebashkiakut të largohej.
‘Kulturalisht e politikisht, ai nuk e përligj më besimin që i është dhënë,” shkroi në një op-ed deputetja Vilma Bello.
“I ka hyrë një sfide që nuk ka asnjë fije lidhje me dinjitetin, d.m.th të qëndrojë medoemos aty ku jo thjesht nuk mund të japë më, por, pikërisht për këtë shkak, të shtiret duke u rropatur, pa asnjë dobi për Vlorën,” shtoi ajo.
Në të njëtën linjë, edhe deputeti tjetër i qarkut Vlorë, Fate Velaj nuk i kurseu etiketimet fyese ndaj kryebashkiakut socialist.
“Dritan Leli ashtu pa forma dhe dinjitet siç erdhi, gjysmak dhe tinzar, ashtu dhe do iki,” shkruante Velaj në një shkrim të botuar në 7 qershor.
“Ishte personi që erdhi me qëllim të caktuar si kaçaku që thikën e mban mes dhëmbëve dhe kërkoi të gjakosë këdo që mendon se është gjahu i tij por, siç e shkruan dhe ti, fatkeqësisht, ishte qyteti i Vlorës me të cilin atë nuk e ka lidhur kurrë asgjë, gjahu i tij,” shtoi ai.
Disa këshilltarë të Këshillit Bashkiak, të cilët nuk pranuan të identifikohen me emër, i thanë BIRN se kërkesa për mbledhjen jashtë rradhe dhe ‘llogaridhënien’ e Lelit kishte ardhur nga Partia Socialiste dhe se ata ishin thirrur vetëm për ta firmosur.
Megjithatë, mbledhja e 15 qershorit nuk u realizua për shkak të divergjencave midis këshilltarëve dhe kryebashkiakut, nëse ajo do të mbahej online ose në teatër. Tre ditë më vonë, me 18 qershor, në atë që u perceptua si një provë force, Këshilli Bashkiak u mblodh në një sallë të Universitetit të Vlorës dhe rrëzoi kërkesën e kreut të bashkisë për lirimin nga detyra të sekretarit të Këshillit, Agron Gjepali, i cili kishte mbushur moshën e pensionit.
Në një takim me socialistët e Vlorës në 27 qershor, kryeministri Edi Rama do ta cilësonte Lelin si dezertor ndaj familjes së tij politike.
“Ne si parti menduam që Leli të kandidonte si deputet, ai dezertoi në këtë betejë,” tha Rama, i cili shtoi se nuk kishte asgjë personale kundër kryebashkiakut. “Do të duhej të kishte dhënë dorëheqjen, nuk pranon në këtë formë, në do vijojmë betejën,” shtoi ai.
Gjatë mbledhjes, Rama u mundua gjithashtu t’u vinte fre spekulimeve se kërkesa për ta kandiduar për deputet Lelin, synonte t’i hapte rrugën nënkryetarit Afrim Qendro për t’u ngjitur në krye të Bashkisë.
“Teorive të konspiracionit për emërimin e Afrimit si kryetar bashkie pas Lelit nuk qëndrojnë dhe nuk kanë për të qëndruar asnjëherë,” raportohe të ketë deklaruar Rama gjatë mbledhjes.
“Afrimin e solla unë në Vlorë të bënte punët publike, që nuk bënte Dritan Leli,” shtoi ai.
Teatër politik
Kushdo qoftë arsyeja për prishjen e marrëdhënieve mes kryeministrit Edi Rama dhe kryebashkiakut Dritan Leli, për shumë vlonjatë përballja ka marrë formën e një gjyqi politik.
“E shoh fiks si gjyqi i partisë për Kadri Hazbiun,” tha biznesmeni Ervin Sota. “Dhe me Lelin nëpërmjet këtij teatri totalisht politik, nëpërkëmbet për fat të keq edhe dinjiteti ynë si vlonjatë,” shtoi ai.
Ish-shef i Sigurimit dhe Ministër i Brendshëm, Kadri Hazbiu ishte një nga drejtuesit më të lartë të regjimit komunist, përpara arrestimit të tij në tetor të vitit 1982. Pas gati një viti hetuesi në 10 shtator 1983, Hazbiu u ekzekutua pasi u dënua për tradhti të lartë ndaj atdheut si “armik i popullit dhe i Partisë.”
“Eshtë për t’u theksuar që pikërisht në qytetin tonë, Vlorë ka edhe një precedent tjetër po identik, që për hir të kapriços së lidershipit, kryqëzohet kryetari i bashkisë,” theksoi Sota, duke iu referuar ish-kryebashkiakut Shpëtim Gjika.
Një nga kryebashkiakët më jetëgjatë të Vlorës, Shpëtim Gjika u largua nga Partia Socialiste në vitin 2015, pas mosmarrëveshjeve me kryeministrin Edi Rama. Një vit më vonë, ai vu nën akuzë nga prokuroria për falsifikim dokumentesh dhe dhënien e lejeve të ndërtimit në kundërshtim me ligjin. Tre vjet më vonë, Gjika u u shpall i pafajshëm nga Gjykata e Apelit Vlorë.
Shpëtim Mahmutaj, një nga dy anëtarët e Këshillit Bashkiak që i përket Partisë Bindja Demokratike, i tha BIRN se lufta mes këshilltarëve të majtë dhe kryebashkiakut nuk ishte e mirë për qytetin.
“Ka një eksportim të problematikave që Partia Socialiste ka në këshill, kanë lindur që përpara fushatës elektorale, dihen nga gjithë opinioni dhe në vazhdimësi është pjesë e një zinxhiri ngjarjesh brenda PS që janë eksportuar në këtë moment brenda këshillit,” tha ai.
“Si këshilltar i Bindjes Demokratike e quaj të papërshtatshme. Vetëm shkresat që po prodhohen këto ditë – si nga administrata e bashkisë dhe këshilli, si dhe impenjimi për çështje të tilla ka sjellë anashkalimin e prioriteteve të qytetarëve,” shtoi Mahmutaj, ndërsa theksoi se “kjo situatë nuk ishte normale.”
Ngjashëm me këshilltarin bashkiak të opozitës, edhe shumë qytetarë e shohin përplasjen politike që ka përfshirë Vlorën si të panevojshme.
“Është e shëmtuar që Vlora po merret me politikë dhe jo me shqetësimet e qytetarëve,” tha Seit Jonuzi, një pensionist nga Vlora. “Tani u kujtuan se kush është Dritan Leli,“ u ankua ai, ndërsa theksoi se kjo situatë është “tejet e lodhshme për qytetin dhe për mbarëvajtjen e punëve të qytetit.” /Reporter.al/