Berisha e “shkarkoi” Bashën si Raporter për sekuestrimin e aseteve ruse për “hesap” të Kremlinit, apo si hakmarrje ndaj Perëndimit?!

NGA POLI HOXHA

Gjatë gjithë muajit gusht, paralelisht me ofensivën ukrainase brenda territorit të Rusisë, e gjithë diplomacia perëndimore, mediet më të mëdha në glob, analistët gjeopolitik më të njohur dhe shërbimet inteligjente të vendeve të NATO, fokusin kryesorë (Sëbashku me konfliktin Izrael-Hamas&Irak), e kishin te Ballkani Perëndimorë.

Rajoni ynë po konsiderohet hapur si “peri i hollë”, të cilin Rusia e Putin synon që ta këpusë në funksion të luftës në Ukraninë, duke shkaktuar destabilitete ndërkufitare, politike dhe të demokracisë.Vizita e shefit të CIA në Bosnje-Hercegovinë, Serbi dhe Kosovë, dëshmoi pikërisht shqetësimin e madh të SHBA, se Kremlini po aktivizon për “betejën finale” në rajonin tonë, të gjitha asetet e veta të hapura, por veçanërisht ato të fjetura deri më tani.

Në fund të javës së kaluar, BE më në fund lëvroi këstin e parë prej 1.5 miliard dollarësh për Ukrainën nga pasuritë që i ka ngrirë Rusisë. I menjëhershëm ishte reagimi i Moskës, e cila e quajti “vjedhje” këtë akt të BE dhe premtoi kundërpërgjigje. Bashkimi Europian në koordinim të ngushtë me SHBA, po realizon një aksion gjigant për konfiskimin e të gjitha pasurive të Rusisë jashtë territorit të saj, të cilat do të përdoren për të kompesuar Ukraninën për pasojat e pushtimit brutal.

Ky projekt u paraqit në formën e një rezolute në shtator 2023 në Asamblenë e Këshillit të Europës, nga Lulzim Basha. Më datë 4 mars 2024, “Rezoluta Basha”, u miratua nga Komiteti për Çështjet Ligjore i cili zgjodhi po Lulzim Bashën si Raporter për këtë operacion delikat dhe madhorë ndërkombëtarë. Rezoluta e deputetit shqiptar, mori konfirmimin më 16 prill 2024, kur u votua në unanimitet në Asamblenë e Parlamentit Europian në Strasburg. Më pas ajo u certifikua edhe nga Senati amerikanë.

Në këtë kontekst gjeopolitik, kur perëndimi po mobilizohet që të presë duart e zgjatura të Rusisë në rajonin tonë, pikërisht në Tiranë, në parlamentin e Shqipërisë, Kremlini arrin një fitore.

Sali Berisha pasi mori vulën e PD në një proces gjyqësorë në Apel i cili kutërboi nga era e keqe e paktit me Edi Ramën dhe pasi u çertifikua në parlament, (Po prej ortakut në pushtet), si “opozita parlamentare”, ditën e parë të sesionit të ri në Kuvend, (2 shtator 2024), ka goditur pikërisht autorin e rezolutës për konfiskimin e aseteve ruse dhe Raporterin e Këshillit të Europës për mbarëvajtjen e operacionit politik-financiar antirus, Lulzim Bashën.

Nëpërmjet Gazment Bardhit, Sali Berisha, ka “shkarkuar” Lulzim Bashën nga delegacioni i përhershëm në Këshillin e Europës dhe e ka zëvendësuar atë pikërisht me deputeten Albana Vokshi.

Në pamje të parë kjo duket si një hakmarrje inatçore e Berishës ndaj Lulzim Bashës personalisht. Si një shfryrje revanshiste për faktin se ai po qëndron më i vendosur dhe i fortë se kurrë, në krye të një grupi të madh dhe të konsoliduar demokratësh, të cilët edhe pas goditjes së fortë me “Vulën”, jo vetëm që nuk ju bashkuan “nongratës” të amnistuar nga Rama në parlament, por po bëjnë edhe kontrastin e fortë me pazarxhinjtë “opozitarë” dhe bashkëpunëtorët “De Fakto” dhe së fundmi edhe “De Jure” të Edi Ramës.

Mund të jetë edhe thjesht hakmarrja, e cila është tipar politik i zakonshëm i Berishës, por duket se mesazhi dhe goditja shkon shumë përtej emrit të Lulzim Bashës.

Sali Berisha i cili e quan SHBA-BE-Britani e Madhe, “mafie ndërkombëtare”, edhe pasi Apeli dhe Rama e emëruan kryetar zyrtarë të PD dhe “opozitës”, jo vetëm që nuk e çau sadopak për veten e tij izolimin 3 vjeçar, (gati karantinor), të ndërkombëtarëve, por ka bërë që SHBA, BE dhe Britania e Madhe, të nisin distancimin “higjenik” edhe ndaj gjithë “PD zyrtare”, duke paralajmëruar se po vazhduan kështu, e gjithë partia do të futet në rrugën e izolimit. Dhe këtë më mirë se kushdo, e dinë kohët e fundit “proamerikanët” në shërbim të të shpallurit nongrata, Gazment Bardhi, Jorida Tabaku, Belind Këlliçi, etj.

Këtu dalim te hakmarrja e Berishës ndaj ndërkombëtarëve. Ai po e sheh veten që; Pas 3 viteve, me shpenzime marramendëse, me merkato mediatike dhe deputetësh të denja si ato të sheikëve për yjet e futbollit, me një grup të madh parlamentarë, i njohur më në fund si i vetmi pol politik nga mazhoranca, faktor deciziv parlamentarë për ligje të cilësuara dhe duke e lëshuar veten që të keqpërdoret deri në gjynahllëk nga Edi Rama, sërish SHBA dhe BE e trajtojnë thjesht si një “lebroz” të tranzicionit shqiptar.

Ndaj e vetmja gjë që i ka mbetur është të përdor fuqinë parlamentare që i ka dhënë Edi Rama për të nxjerrë keq ndërkombëtarët, për ta vënë në siklet përball Rusisë, Këshillin e Europës, i cili vendosi Lulzim Bashën Raporter për asetet ruse dhe bashkë me atë, edhe gjithë Asamblenë e Parlamentit Europianë në Strasburg që votoi në unanimitet rezolutën e tij. Pra me një urdhër për Gazment Bardhin nga shtëpia-burg ku gjendet i mbyllur nga SPAK dhe GJKKO si i hetuar për korrupsion dhe me një të lexuar të urdhërit të “nongratës” nga Elisa Spiropali, Sali Berisha, synon ti imponohet BE, se kë duhet duhet të ketë Raporter për një nga çështjet e saj më madhore ndërkohë që është në luftë, (Edhe pse ende e pashpallur zyrtarisht), me Rusinë e Putin.

Por lëvizja e Berishës është edhe më malinje se kaq. Nga arresti shtëpiak ai e “zëvendëson” Raporterin e Këshillit të Europës, Lulzim Bashën, (Për të cilin u kryen për muaj të tërë verifikime të thella nga agjencitë perëndimore dhe e miratoi Komiteti për Çështjet Ligjore në KE), pikërisht me një nga ndjekëset e tij pa kushte, Albana Vokshin, e cila ndiqet nga “hije ruse”, edhe pse jo për faj të vet. Janë shumë shkrime, investigime serioze dhe dëshmi, (Mund të gjenden lirisht në Google), të cilat flasin për lidhje të ngushta të bashkëjetuesit të saj, biznesmeni i hidrokarburanteve Arian Tartari, me histori koncesionesh për fushat naftëmbajtëse me biznesmenë rusë të cilët janë indentifikuar nga Perëndimi si bashkëpunëtorë dhe të lidhur ngushtë me pushtetin e Putin.

Edhe në pikën 20 të “akuzës” në dosjen McGonigal, del kjo çështje. Në rastin më të mirë “emërimi” i Vokshit si Raportere për konfiskimin e aseteve ruse, (Të ortakëve të burrit), është tallje me BE&SHBA. Nëse Spiropali e përcjell urdhërin e Berishës në KE, atëherë kemi të bëjmë me provokim të rëndë.

Por edhe sikur urdhëri për “shkarkimin” e Bashës si Raporter për asetet ruse dhe “emërimin” e Vokshit në vend të tij, i firmosur si kryetar grupi nga Bardhi dhe i lexuar në parlament nga Spiropali, arrin që të dërgohet në Strasburg dhe në Bruksel, edhe Berisha vetë e di se heqja e Bashës si Raporter, nuk mund të ndodhë. Kjo si për arsye teknike, po aq edhe për arsye politike. Por koha do ta tregojë.

Gjithsesi synimi, nuk është thjesht Basha. Mjafton që një shkrim i vetëm të botohet te “Pravda” në Rusi me titull, “Sali Berisha shkarkon nga Tirana Raporterin e KE për asetet ruse”, nuk është pak si grusht hakmarrës ndaj Perëndimit që nuk ka ndërmend ta fal dhe është shumë si “shërbim” ndaj Kremlinit të Putin, i cili së fundmi ka nxjerrë një dekret, sipas të cilit Rusia mirëpret këdo që po persekutohet nga qeveritë perëndimore./Alfapress.al

Exit mobile version