Berisha: Endrra ime, të luftoja për Kosovë dhe jo politika

Në prag të përvjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës, ish-Kryeministri Berisha në një intervistë të gjatë rrëfen detaje në lidhje me çështjen shqiptare shumë dekada më parë deri në ditët e sotme.
– Shpallja e Republikës së Kosovës në 17 shkurt 2008, në rrafshin historik është parë si krijimi i një shteti të dytë shqiptar. Në këtë proces Republika e Shqipërisë ka luajtur një rol shumë të rëndësishëm, dhe në 10-vjetorin e shpalljes së pavarësisë, për të diskutuar mbi marrëdhënien midis Republikës së Shqipërisë dhe asaj të Kosovës do të bisedojmë me ish-Kryeministrin zotin Sali Berisha. Zoti Berisha shumë faleminderit që na pritët në zyrën tuaj!
Kënaqësia është e imja.
– Do doja menjëherë ta nisja me periudhën pas Luftës së Dytë Botërore, është koha kur Kosova ndahet për të dytën herë prej Shqipërisë. Viçidoli, fshati ku ju keni lindur pikërisht në këtë kohë në vitin ‘44, është fare pranë Kosovës. A ishte e pranishme Kosova, kosovarët në familjen tuaj?
Në familjen time, por në të gjithë Tropojën kryetemë e të gjitha bisedave ishte vetëm një, dhe kjo ishte Kosova. Unë kam arritur odën, sepse kulla ime ka patur odë burrash, dhe në odën e burrave çështja më kryesore që diskutohet ishte Kosova. Në familjen time patriarkale burrat nuk qanin kurrë, nuk përloteshin, të paktën jo në prani tonën si fëmijë. Por i kisha parë të përloteshin për Kosovën. Ata kishin në shpirt një brengë të jashtëzakonshme. Diskutimet e tyre nuk ishin për Tiranën, nuk ishin për Durrësin apo Elbasanin, por diskutimet e tyre ishin të gjitha për Prizrenin, Pejën, Gjakovën, Prishtinën, natyrisht kishin një veneracion për Shkodrën, sepse i kishte pritur bujarisht kur ishin detyruar të shpërngulen nga hordhitë serbe, kështuqë e gjithë jeta e tyre, i gjithë universi i tyre ishte Kosova. Do të tregoj një ngjarje.

Në shtëpinë tonë kishte një bari, ai ishte bariu i deleve dhe gjithë jetën e kalonte me tufën e deleve. Një ditë kthehem nga shkolla dhe shoh se ishin përhapur shumë delet në shpat, dhe i them vetes të shkoj ta ndihmoj, t’ia mbledh. U ngjita përpjetë, i mblodha një pjesë, kur e shoh që ishte i ngrirë, i ulur mbi gurë, kishte vënë duart në dy faqe dhe nuk lëvizte. U trëmba se mendova mos ka vdekur. I afrohem me vrap dhe e pyes çfarë ke, mos je i sëmurë? Më thotë, – “Jo Sali nuk jam i sëmurë, po a i sheh ata gurë?” Gurët ishin në qafën e Morinës sa për sqarim. “T’më thotë njëri mua sot a dua ti skuq ata gurë me gjakun tim apo zgjedh Bankën e Shqipërisë, unë më përpara zgjedh të parën se të dytën!” E tregova këtë histori për të thënë se çfarë brenge kishin ata për Kosovën. Një brengë më të madhe se sa vetë ata që ishin në Kosovë, sepse shihnin e flisnin çdo ditë për tokën e tyre të ndaluar, sepse Kosova për t’a ishte bërë tani tokë e ndaluar.
– A vlen e njëjta gjë edhe për shtetin shqiptar?
Tradhëti absolute kombëtare. Që në vitin 1941 deri në 1990. Fatkeqësia dhe mjerimi është se shqiptarët, sidomos në Kosovë, për arsye të kuptueshme, krijuan një farë miti dhe kulti të njeriut që shiti më barbarisht, më poshtërsisht Kosovën se askush tjetër në historinë e këtij kombi. Partinë Komuniste shqiptare e themeluan serbët në Tiranë, e udhëhoqën serbët në Tiranë, aradhat partizane i krijuan dhe udhëhoqën serbët në Shqipëri. Cilido që sot i sheh dhe i merr me dyshim këto fjalë të miat i them vetëm një gjë: lexoni pleniumin e Beratit të viti 1944, pra nuk po them asgjë tjetër vetëm atë çka pohon Enver Hoxha dhe gjithë klika e tij në atë plenium haptaz. Pra u nisën ushtritë partizane me urdhër të Titos për të çliruar, në fakt për larë me gjak Kosovën, për të përgatitur pushtimin e Kosovës.

Enver Hoxha bëri gjithçka për bashkimin e Shqipërisë me Kosovën. Sot ka dokumenta që faktojnë se ai në Byronë Politike propozoi Titon për Sekretar të Përgjithshëm të PKSH. Nëse për masakrën e tmerrshme të Babi Jar që u krye për hebrenjtë në Ukrainë, Jevgeni Jevtushenko shkruajti poemën e famshme të Babi Jar, që në kohën e Stalinit, sepse Stalini e mbante si gjysëm të fshehur Babijarin, sepse kishte marrë vesh se kishin marrë pjesë njërëzit sovjetikë në realizimin e saj. Në Tiranë s’guxonte kush ta përmendte masakrën e Tivarit, ku me qindra të rinj kosovarë u vranë në rrugën Morinë-Shkodër. Po ju tregoj diçka. I ngarkuari anglez shkon e takon Beqir Ballukun dhe e pyet çfarë janë këta, çpo ndodh? Këta janë, – i thotë – fshatarë serbë që po transferohen në zona të tjera. Pyet një malazez se çfarë janë këta. Këta janë armiq shqiptarë, i thotë. Pra, kjo ishte Shqipëria dhe ky ishte Hoxha. Dy kanë qenë komunitetet më të terrorizuara, më të burgosura e më të masakruara në Shqipëri; grekët minoritarë dhe kosovarët, të cilët quheshin shtetas jugosllavë dhe ishte sinonim i titizmit.
– A ndryshoi qëndrim shteti shqiptar pas demonstratave të ‘81?
Fatmirësisht unë jam shumë në brendësi ngjarjes së demostratave të ‘81. Në atë kohë, unë isha thirrur nga spitali si mjek për një anëtar të Byrosë, të cilit i kishte rënë infarkt. Hasa në një tërbim nga ana e zyrtarëve të lartë aty se çna duhet ai. Më vonë, disa ditë, ata dërguan njerëz. Sepse Enver Hoxha mbante tezën se nuk mund të ketë dy shtete shqiptare. Mbi këtë tezë, ai u tha përfaqësuesve të Akademisë së Shkencave të Kosovës në festimet e 500-vjetorit të Skënderbeut, që nuk duhet të luftoni për republikë në Kosovë. Po kur rinia e Kosovës nuk e dëgjoi më dhe shpërtheu në demonstrata në ‘81, atëherë ai u detyrua të pajtohet me këtë situatë, por pas mesazheve që i dërguan grupet udhëheqëse të kësaj lëvizje Hoxhës.

– Kishte plan shteti komunist i kohës të ndërhynte në luftë me Jugosllavinë për shqiptarët që jetojnë atje, pas ngjarjeve të 81?
Absolutisht kurrë, fantazira. Diktatori kishte vetëm një preokupim; mbijetesën e Nexhmijes dhe fëmijëve të tij. Për këtë mbijetesë ai preu kokat e udhëheqjes që buronte e tëra nga zona e parë operative, zgjodhi Alinë, gjë që su mor vesh kurrë. E para, Alia ishte komandant divizioni në kohën e masakrave që u kryen nga forcat partizane shqiptare bashkë me ato serbo-malazeze në Kosovë kundër brigadave nacionaliste, kundër njerëzve që shihnin një mundësi shumë të madhe tani të bashkimit të Shqipërisë me Kosovën. Së dyti, e ka thënë një herë Kadare, dhe unë jam i prirur shumë ta besoj, se në një farë mënyrë Hoxha kishte një kasetë për Alinë. Ishte kjo çështje agjenture apo tjetër këtë nuk e di, por Kadare e mbante këtë tezë dhe unë kam prirjen ta besoj. Pra zgjodhi Alinë vetëm për të mbijetuar Nexhmija dhe fëmijët e tij.
– Thonë se ai kishte një lloj depozite?
Kishte, pa diskutim. Nuk i takonte atij se ai ishte i fundit në hierarkinë e Hoxhës.
– Eshtë folur dhe se Alia është konsideruar si më i moderuar, më liberal. Ndoshta diktatori Hoxha ishte i vetëdijshëm se komunizmi do të binte dhe, për të shmangur një rënie të përgjakshme, ai qëllimisht po zgjidhte një pasardhës më të butë.
Enveristët përpiqen t’i veshin shumë variante idhullit të tyre. Por mund të them një gjë, nuk ka diskutim që Alia nuk ishte Hoxha, ama Ramiz Alia në vitin ‘90 në kufijtë e Shqipërisë janë pushkatuar me regjistër 96 të rinj, dhe jo vetëm janë pushkatuar, por janë zvarritur kufomat e tyre në Gjirokastër, Shkodër, Sarandë, Korçë e qytete të tjera, zvarritje këto që bëheshin vetëm në vitet ‘50, në ditët më të egra të regjimit të Hoxhës. Kështuqë Ramiz Alia nuk ishte një liberal. Ai e ka thënë vetë se pranoi pluralizmin se nuk donte një Bukuresht. Po kur ne rrëzuam shtatoren e Hoxhës, ai bëri gjithçka për të kaluar në gjendje të jashtëzakonshme dhe për të kaluar në metoda shumë të rrezikshme, por dështoi.

– Në ‘92, dy muaj pasi jeni zgjedhur President i Shqipërisë jeni pritur në Shtëpinë e Bardhë nga Bush i vjetri, dimë që keni diskutuar edhe për Kosovën. Çfarë saktësisht? I kërkuat ju diçka Presidentit ameriakan apo ata kishin një plan të tyre për Kosovën?
Unë nuk mund të them se kishin një plan, një projekt për Kosovën në atë kohë, por ajo çka unë i kam thënë Presidentit Bush është kjo: Situata është dramatike në Kosovë, Millosheviçi ka një projekt, dhe ky projekt është ndarja e Kosovës, spastrimi etnik nga pjesa dërrmuese e Kosovës e shqiptarëve dhe nisja e tyre drejt rrafshit të Dukagjinit dhe Shqipërisë. Dhe i kam thënë se, Shqipëria nuk sulmon Jugosllavinë, por, në rast se Millosheviç ndërmerr hapin më të vogël në këtë drejtim, Shqipëria do të hapë kufijtë dhe shqiptarët do të luftojnë dhe reagojnë si komb i vetëm. I thashë se ne na kanë ndarë e na kanë coptuar me një padrejtësi historike shumë të madhe, por i drejtova një pyetje: pse do lëshojnë shtëpitë e tyre ata që kanë mijëra vjet aty? Dhe ai më tha: right point, pra pikë e drejtë. I thashë se, shqiptarët do rrëmbenin armët për ekzistencën e tyre dhe se do ishte një luftë shumë e egër. Këtë i kam thënë Presidentit Bush. Më vonë, Presidenti Bush ka tërhequr, ka shpallur vijën e kuqe. A u ndikua apo jo nga unë këtë s’di ta them. Edhe Ibrahimi është pritur më vonë dhe është pritur shumë mirë nga Këshilltari i Sigurimit Kombëtar, ku i ka paraqitur platformën e 13 pikave. A ishin këto shtysa për shpalljen e vijës së kuqe apo jo këtë s’mund t’a them. Por vija e kuqe ishte kjo: nëse ti do të zbresësh me ushtrinë në Kosovë, do të përballesh me të gjithë arsenalin e bombardimeve të SHBA, përveç bombave atomike, të gjitha llojet e raketave. Ky ishte paralajmërimi. Dhe në fakt ai u përmbajt, kishte korpusin në Nish dhe donte të fuste ushtritë.

– Biseda juaj me Bush është thënë se është zhvilluar mbi një hartë për Ballkanin. Eshtë e vërtetë kjo?
Absolutisht po. Ai bisedën me mua e ka filluar me Kosovën, ka marrë një atlas, e hapi atë dhe kemi folur fillimisht për Kosovën. Më pyeti çfarë mendon ti dhe si është gjendja. Dhe unë ja shpjegova të gjitha, i shpjegova planin e Millosheviçit, i shpjegova se është regjim aparteidi dhe segregacioni, dhe i shpjegova të gjitha projektet serbe për shfarrosjen e shqiptarëve. Kjo ishte pak a shumë ajo bisedë.
– A kishte një vijë të kuqe mbi hartë apo jo?
Tani nuk e mbaj mend në kishte vijë të kuqe, por bisedën e kemi zhvilluar mbi hartë. Berisha: Klinton më tha, mbështes çdo variant për Kosovën përveç Pavarësisë
– Në shtator të vitit ‘95 jeni takuar sërish me Presidentin amerikan Clinton në Shtëpinë e Bardhë. A keni biseduar sërish për Kosovën, a kishin ndryshuar qëndrimet e Amerikës ndaj Kosovës apo Presidenti Clinton ka vazhduar politikat e Presidentit Bush ndaj Kosovës?
Në çdo takim unë e kisha temë kryesore. Në çdo kohë në mënyrë absolute. Presidenti Clinton natyrisht thoshte mbështesim çdo variant përveç pavarësisë. Sepse të jemi të sinqertë, pavarësinë që mbronte arkitekti i saj Rugova, nuk e mbështeste askush në rrafshin ndërkombëtar, por mbështesnin vendosjen e lirive dhe të drejtave, mbështesnin demokracinë, mbështesnin një hapësirë demokratike për të cilën nuk e realizuan, sepse kishin një njëri që thoshte se ata janë të lirë më shumë se të gjithë europianët dhe ky ishte Millosheviçi.

– Po ju vetë e besonit apo ishit dhe ju skeptik ndaj idesë së Rugovës?
Të shkojmë pak te fillimi i bisedës. Midis meje dhe atyre që më dhanë mua leksionet më të mëdha për Kosovën kishte një dallim. Ata nuk besonin kurrë se do ta shihnin më Kosovën, kurse unë nuk besoja se nuk do ta shihja Kosovën të çlirohet. Dhe kjo ide më ka shoqëruar mua gjithë jetën time. Duke ditur gjithë historinë e Kosovës, kisha një bindje të thellë se nuk do jetë e largët dita kur Serbia s’mund ta mbajë dot dhe kur Kosova të çlirohet prej saj. Unë e kisha këtë bindje, por natyrisht unë isha për bashkim kombëtar. Unë u rrita me idealin më të shenjtë, atë të idealit kombëtar. Për mua, Kosova ishte provincë e Shqipërisë dhe nuk mendoja kurrë që duhet të jemi për pavarësi. Kur u angazhova për politikë në vitin ‘90 bëra shumë takime me përfaqësues të Kosovës dhe konstatova se ata e kishin serioze idenë e pavarësisë. Në shkurt të ‘91 erdhi Ibrahim Rugova dhe përsëri ai ma shpjegoi dhe theksoi se pavarësia është rruga në të cilën duhet ecur dhe pastaj shihen problemet. Pasi u binda se kjo nuk ishte një tezë fasadë për t’u paraqitur, por ishte një tezë që bazohej në një realitet, të cilin unë nuk e njihja, një realitet të krijuar në 50 vite në Prishtinë, atëherë unë e kam mbështetur plotësisht se përndryshe do dilnim me idera aneksioniste çka ishte e pamundur për mua që unë të kisha ato ide. Dhe kam ndryshuar qëndrimin tim, jam pajtuar me idenë e pavarësisë, por isha i bindur në mënyrë absolute se një ditë Kosova do të dalë nga pushtimi serb.

– Në kohën kur ju ishit President i Republikës së Shqipërisë, grupe të UÇK janë stërvitur brenda territorit të Shqipërisë. Kishte pranuar shteti shqiptar që ato të stërviteshin brenda territorit shqiptar, kishte presion ndërkombëtar që të bëhej kujdes? Presion ndërkombëtar kishte, këto grupe nuk ishin të mëdha, ishin grupe disa qindra vetësh…
– Si vendosët t’i përkrahnit?
Që të jemi realistë, që të gjitha këto janë bërë me qeverinë e Kosovës. Qeveria e Kosovës kishte këtu më së shumti dhe kryeministrin, por kishte ministër Mbrojtje, kishte organizimin e vet dhe ishte qeveria e Kosovës, e cila merrej me çdo gjë me ta, kurse ne, si qeveri shqiptare, komunitetit ndërkombëtar i thonim se ishin refugjatë, u kemi dhënë strehë si refugjatë, por ndodh ndonjëherë që ndonjë prej tyre çojnë foto nëpër ambasada, duke u stërvitur. Kjo që u thonim ne ishte një gjë jo shumë bindëse. Por këto nuk ishin të shumtë. Një meritë të jashtëzakonshme kishin ama. Imagjino, një grup i vogël njerëzish, të cilët besojnë se do ta çlirojnë me armë Kosovën është një gjë me të vërtetë e jashtëzakonshme. Dhe në fund të fundit, ai vendim i tyre u tregua përcaktues për çlirimin e Kosovës. Pa diskutim që ëndrrën e pavarësisë e ndërtoi Rugova. Ai ishte një gjeni në politikën shqiptare, sepse arriti të ndërtojë dhe të bëj një popull të tërë të besojë në projektin e pavarësisë. Por, në një farë mënyre, ndofta ai e konkretizoi në kushtet e pushtimit, si rrallë kush në historinë e Europës dhe njerëzimit, me pushtetin paralel që krijoi. Pavarësisht se policinë, forcën e kishte Millosheviçi, por popullin dhe shoqërinë e kishte tërësisht Rugova, dhe pushteti i tij paralel ishte sfida më e madhe që i bëhej pushtimit serb. Institucionet paralele, parlamenti, shpallja e republikës, shumë njerëzve dhe sot mund t’u duken si akte jo qënësore, por jo, ato ishin akte qënësore, akte thelbësore, sepse mbi to u ndërtua ëndrra e pavarësisë së popullit të Kosovës dhe mbi to kjo ëndërr shkoi në të gjitha kancelaritë e botës, mbi to kjo ëndërr u bë motivi kryesor i luftës dhe sakrificës për liri të mijëra e mijëra vajzave dhe djemve të Kosovës.

– Kur ka qenë hera e parë që keni vizituar Kosovën?
Hera e parë që kam vizituar Kosovën për fat të keq e kam vizituar në fatkeqësi. E kam vizituar kur vdiq Presidenti Rugova. U nisa një herë tjetër, por UMNIK u trëmb, se ata ndiqnin një praktikë idiote që s’duhet t’i lëmë shqiptarët të afrohen se po na bashkohen, dhe më njoftuan në Kukës se nuk mund të kalosh kufirin se guvernatori i asaj kohe, Kushner nuk ka dhënë miratimin. Unë mbajta një konferencë shtypi dhe dënova qëndrimin. Pavarësisht nga kjo, unë kam shumë respekt për punën që Kushner ka bërë për Kosovën, ishte mik, por e bëra një denoncim për qëndrimin e tij në atë rast.
– Shqiptarët e Kosovës kanë një lloj simpatie të veçantë për ju dhe shumë thonë që kjo ndodh edhe për shkak të mbiemrit tuaj, Berisha është një nga mbiemrat më të përhapur në Kosovë.
Fisi Berisha, që është dhe fisi më i madh e më numerik i të gjitha fiseve, në Tropojë është pakicë, ndërsa në Kosovë është shumicë. Kështuqë edhe kjo mund të ketë luajtur rol, por më shumë nga të gjitha them se kanë luajtur rol përpjekjet e përbashkëta dhe të suksesshme që kemi bërë me autoritetet e Kosovës për ndërkombëtarizimin e çështjes së Kosovës.

– E keni përjetuar si përgjegjësi simpatinë e kosovarëve?
Kosovën e kam përjetuar si një detyrë time kryesore. Po të marrësh Sali Berishën të ri, ose Sali Berishën në shkollë të mesme ose fëmijë, ëndrra e tij nuk ishte kurrë politika, ëndrra e tij ishte të luftonte për Kosovën, sepse unë kisha parë te ata njerëz të mi një brengë të atillë, dhe ata ndiheshin shumë të brengosur dhe poshtëruar që Kosova për t’a ishte tokë e ndaluar. Kështuqë e kam thënë kur takova luftëtarët në ‘92, pasi bëra një ekspoze mbi një orë më kthehet njëri e më thotë, “çfarë do bësh t’i për ne”?
I them unë nuk e kam ndërmend të sulmoj Jugosllavinë, por unë gjysmën e kohës do punoj për Shqipërinë dhe gjysmën e kohës për Kosovën. Dhe unë i jam përmbatur kësaj me shumë vendosmëri dhe pa u lëkundur asnjëherë. Mendoj se ka qenë e një rëndësie shumë të madhe rezoluta, dokumenti i samitit të organizatës së sigurisë dhe bashkëpunimit europian ku ne arritëm të shkëpusim çështjen e Kosovës nga ish-Jugosllavia dhe ta nxjerrim veças, se përpara trajtohej me Serbinë, mirëpo kjo i njihte Serbisë autoritetin mbi Kosovën.
Fakti që e nxorrëm veças në një paragraf të veçantë, futëm aty për herë të parë që çështja duhet të zgjidhet me dialog ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit me ndërmjetësimin e palës së tretë. Kjo ishte një arritje e jashtëzakonshme për kohën. Kjo autorizonte palën e tretë, pa marrë leje nga Millosheviçi, që të zbriste në Prishtinë dhe të ftonte Prishtinën që të takohej në mënyrë të pavarur me ta.

Për këtë paragraf, rusët e kanë mbajtur deri në dy të natës samitin, por në fund, pasi ne nuk lëshuam, u pranua kjo. Kjo pastaj solli mbrapa angazhimin e Lordit Owen dhe Sajrus Uens në zgjidhje, pastaj shkoi gradualisht, duke e shkëputur problemin nga çështje e të drejtave të njeriut në çështje madhore politike, dhe përpjekja jonë u konkludua në 1994 me rezolutën në të cilën 137 shtete votuan në OKB për të drejtën e vetëvendosjes popullit të Kosovës. Kjo rezolutë ka shërbyer si bazë e të gjitha dokumentave të tjera ndërkombëtare pas saj. Dhe nëse e merrni dokumentin e parë të Rambujesë, është transkriptim i kësaj rezolute, natyrisht të imponuar nga NATO, i cili thoshte trupat e NATO-s futen në Kosovë dhe pas një periudhe trevjeçare, Kosova bën një referendum për të vendosur. Pastaj e modifikuan në Rambuje, por dhe ky krijonte mundësi për pavarësinë e Kosovës, ishte më dredharake, por sërish e krijonte. Ata u përpoqën shumë që të zëvendësonin NATO-n me OSBE si garant, po kjo ishte pastaj pa asnjë lloj perspektive për Kosovën. Pra, diplomacia shqiptare u angazhua me të gjithë potencialet e saj, natyrisht këtu rol kryesor kishin SHBA, të cilët u treguan përcaktues në Helsinki, ishin ata që e thyen delegacionin rus dhe që u vendos ai paragraf. Rezoluta e 94 ishte një arritje shumë e rendësishme në rrafshin ndërkombëtar.

– Kur keni pritur në atë kohë në pozitat si kryeministër Presidentin amerikan Bush, për shqiptarët e Kosovës ka ngelur e paharruar deklarata e tij se Kosova do bëhej e pavarur me çdo kusht. Cila ka qenë biseda juaj paraprakisht, ishit në dijeni që do bënte një deklaratë të tillë?
Ai erdhi me ndjenjat më miqësore për Shqipërinë. Unë edhe me të atin kam patur shumë miqësi. Në zyrë më pyet dhe më kërkon ti flisja për Kosovën dhe situatën në rajon. Cila është zgjidhja që mendon ti, më pyet. Dhe unë i them se pavarësia është e vetmja zgjidhje dhe i bëj argumentimin. Më pyeti kur mendon ti. Anëtarët e delegacionit shtangën. E kuptova që shtangën, sepse mendonin se unë do t’u thoja pas dy javësh. Natyrisht, unë i thashë se meqë ju e keni ndarë mëndjen për këtë punë, merrni kohën tuaj që ju duhet, ne u jemi mirënjohës, sepse kjo është një gjë e jashtëzakonshme, por përsëri merrni kohën që ju duhet për të diskutuar me partnerët këtë çështje. Ai vinte nga takimi i Grupit të 8 në Gjermani, ku për hir të së vërtetës nuk e kishin mbështetur idenë e pavarësisë. Fillimi i vitit 2005 pati një lloj ujdie që skemi zgjidhje tjetër përveç pavarësisë, pastaj se çfarë ndodhi në gjysmën e dytë të 2005 dhe fillim 2006, por në Europë përveç britanikëve e vërteta është që nuk e mbështeste më njeri.

– E dini pse ndryshoi ky qëndrim?
Jo nuk e kam kuptuar. Jam perpjekur, por nuk e kam kuptuar. Natyrisht në të gjitha takimet, unë Kosovën kisha problemin kryesor. Në atë kohë shtrova tezën që pavarësia e Kosovës është rruga e vetme për ti dhënë fund fluiditetit të faktorit shqiptar në Ballkan. Interlokutori im në Bruksel më pyet: “Po Shqipëria është një shtet kaq vite i pavarur”. I them se është, por është në shtrëngicë, tani kombi duhet të marrë një zgjidhje dhe zgjidhja është pavarësia e Kosovës.
– Cili ishte reagimi?
Shënim dhe e shpërndau në të gjitha kancelaritë europiane tezën. Se dhe kaq me dëshirë rikthimin tim për çështjen e Kosovës nuk e kishin se mendonin se mos po dal me ndonjë tezë. Unë e kisha shumë të unifikuar qëndrimin tim me autoritetet e Kosovës, por kishte dhe idera se mos unë do dilja me idenë e bashkimit kombëtar etj, gjë të cilën unë e kisha ndarë mendjen se do respektoja zgjidhjen e autoriteteve të Kosovës. Në shpirt unë atë quaj zgjidhjen më të shkëlqyer për kombin, por në vend të një zgjidhje maksimale je i detyruar të pranosh një zgjidhje optimale.

– Çfarë ju tha Presidenti Bush kur i thatë se mund të merrni kohën e duhur për të përgatitur shpalljen e pavarësisë?
Ata që ishin rreth Presidentit Bush u gëzuan që të gjithë, sepse ata gjatë drekës më thanë se ishin shtangur se mendonin se po u thoja për dy javë. Mbrapa Presidenti më tregoi se kishte patur debate, se europianët, me qëllim apo pa qëllim, përdornin rusët duke thënë që rusët dhe Vladimiri nuk pranojnë dhe pse të prishemi me ta. Plus këtu nuk ishte ndofta vetëm Vladimir, por ishin ndofta dhe vendet europiane që se njohën Kosovën më vonë dhe që kishin problemet e tyre dhe gabimi më i madh i tyre ishte që i projektonin me Kosovën.
Teza jonë dhe e amerikanëve ishte “Kosova rast sui generis”. Këtu ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm i ngarkuari i Presidentit Bush, Frank Uisner, i cili është një diplomat me një energji të jashtëzakonshme, me një energji të kristaltë dhe me njohje të hershme për shqiptarët.

– Eshtë i njohur roli që kanë patur amerikanët në shpalljen e pavarësisë. Cili ka qenë roli i Republikës së Shqipërisë në fund të 2007 dhe në fillim të 2008 në përgatitjen e shpalljes së Republikës së Kosovës?
Më shumë se në përgatitjen e shpalljes, ne jemi përpjekur të ushtrojmë ndikimin tonë në drejtim të qëndrimit të autoriteteve të Kosovës ndaj pakicave, ndaj pakicës serbe. Në atë kohë, ku përsëri gjaku nuk ishte tharë akoma, vetkuptohet që shkalla e armiqësisë, shkalla e mosbesimit ishte jashtëzakonisht e lartë. Në fakt në atë kohë ne jemi përpjekur të japim të gjithë ndihmesën tonë për një mirëkuptim më të madh me pakicat. Komuniteti ndërkombëtar për herë të parë në histori bombardoi një mik, Serbia ishte mike. Tani u dha aq shumë pas pakicës serbe, sikur ajo të ishte në kushtet më të paimagjinueshme në një kohë, kur ato ishin në kushte pothuaj normale, dhe mbi këtë bazë ata e bënë një çështje shumë të madhe çështjen e pakicave. Po të vësh re, Ahtisari, të cilit i detyrohemi shumë për atë projekt, por krijoi një superpakicë që është absolutisht e padobishme për shumë aspekte. Ja shih ç’bëjnë serbët tani. Në vend se të shohin të ardhmen shohin se si të destabilizojnë në Veri Kosovën. Pakica kemi kudo, ka karta për pakicat, ka të drejta për pakicat, është një mozaik që i zbukuron shtetet dhe kombet prania e tyre. Mirëpo serbët kishin arritur të krijojnë një përshtypje në botë se pakica serbe është në ditën më të zezë, në terrorin më të madh, çka nuk ishte fare e vërtetë.

– Ka qarkulluar shumë në media pamjet e 17 shkurtit të 2008 ku ju përcillnit nga ekrani televiziv fjalimin nga salla e Kuvendit të Kosovës. E kujtoni si u ndjetë kur deputetët nga Kuvendi i Kosovës shpallnin pavarësinë?
Pas pavarësisë së Shqipërisë, ajo ishte dita e dytë më e rëndësishme e shqiptarëve. Natyrisht pavarësia e Shqipërisë qe një gjë e madhe se u arrit që të ketë një shtet që të shërbejë si piknisje për projekte të tjera. Për mua ajo ka qenë dita më e gëzueshme e jetës time.
– Ka ekzistuar një bindje që kur Kosova të jetë e pavarur, të ketë shtetin e saj, elitat politike në Tiranë e Prishtinë do të jenë shumë më bashkëpunuese, por e vërteta është se ka ndodhur që qeveritë nuk kanë qenë dhe aq bashkëpunuese. Përse ka ndodhur kjo? Eshtë ndonjë dakortësi e heshtur që të mos përzihen në punët e njëri-tjetrit?
Jo, jo absolutisht përkundrazi. Eshtë një mendësi, një mentalitet i vjetër i Ramës që e konsideron qëndrimin paternalist ndaj Kosovës dhe idenë që duke u pyetur për Kosovën merr peshë më të madhe, gjë e cila e ka dëmtuar shumë problemin qoftë të dialogut me Beogradin, qoftë marrëdhëniet në tërësi. Qeveria shqiptare dhe qeveria e Kosovës duhet në radhë të parë të heqin doganat. Ne patëm bërë një punë shumë të mirë përgatitore. Studiuam modelin slloveno-austriak dhe përgatitëm gjithçka për instalimin e këtij modeli. Tani këta mblidhen, e shpallin dhe s’bëjnë asgjë. Po rikujtoj këtu së gjatë mbretërisë së Shqipërisë dhe mbretërisë së serbo-kroato-sllovene zona rreth 16 km afër kufirit nuk kishin dogana. Sikundër është e paimagjinueshme që biznesmenë në Shqipëri apo Kosovë të ngrihen kundër heqjes së doganave. Eshtë një akt i shëmtuar. Fizibiliteti është kombëtar dhe jo mbi milionat e njërit apo tjetrit, sepse në mënyrë absolute edhe ai që mendon se humbet, por në fakt fiton, sepse krijohet një hapsirë shumë më e madhe tregu. Këtu në Shqipëri thonë që biznesmenët e Kosovës nuk e lejuan qeverinë e Kosovës, por kam parë burime të tjera që vetë qeveria shqiptare nuk lejon që të ndërtohet dogana e Kosovës në Durrës.

Nuk di si qëndron e vërteta, por di që ndërtimi sa më parë i një hapësire të përbashkët ekonomike, ndërtimi i hekurudhës… Kjo qeveri ska bërë asgjë. Po të paktën të bëj projektin Milot-Prizren po ky ska bërë asgjë. Ajo është hekurudha më fizibël e rajonit, ajo do t’i shërbejë të gjithë rajonit, sepse portet e Shqipërisë janë portet më të përshtatshme të të gjithë rajonit. Ose në energji psh. E ndërtuan rrjetin tani e bllokon Vuçiç. Eshtë e paimagjinueshme që ai të bllokojë funksionimin e një linje tensioni, që është e tëra investim gjerman. Ose fare mirë mund të bëjnë ndërtime të përbashkëta. Shqipëria dhe Kosova mund të ndërtonin një termocentral bashkarisht diku në rrafshin e Dukagjinit, edhe për interesa të përbashkëta, por dhe si një frymë bashkëpunimi. Pra, për fat të keq nuk po ecin siç duhet ecur me kapërcimin e dasive shekullore që ka ndikuar jo pak në ndarjen e kombit.
– Ka më shumë se dy vjet që diskursi publik politik në Kosovë është i dominuar nga dy tema: marrëveshja për asosacionin e komunave me shumicë serbe dhe marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi, kjo i vënë si një parakusht për liberalizimin e vizave për më tepër që kohët e fundit ka përpjekje nga deputetë të Kosovës për të shfuqizuar nene të caktuara të Kushtetutës për dhoma të specializuara të Gjykatës Speciale. Si i keni parë këto zhvillime?

Lidhur me asosacionin e komunave serbe mendoj se përgjigjen e ka dhënë Gjykata Kushtetuese e Kosovës, e cila urdhëron rishqyrtimin e marrëveshjes dhe përshtatjen e saj me Kushtetutën e Kosovës. Lidhur me demarkacionin e kam theksuar dhe e theksoj se jam që ky projekt të votohet. A kanë ngelur territore të Kosovës në Mal të Zi? 100% kanë ngelur. Por të gjitha kufijtë ne i kemi në tokat tona, i kemi në territore shqiptare. Unë i besoj plotësisht deklaratës së DASH, të cilët kanë bërë matje dhe thonë se Mali i Zi nuk i merr një metër katror, mbi atë kufi administrativ që ata kanë marrë për bazë, Kosovës. Unë nuk besoj se DASH ka asnjë lloj interesi që Kosova të humbasë territore nga ajo ndarje.
Unë e kuptoj nostalgjinë. Njëri ka bjeshkën aty, tjetri ka vorret. Janë të vërteta të gjitha këto. Por kufirin e përcaktuar të vitit ‘74, Kosova mbi atë bazë është bërë shtet i pavarur. Ndaj dhe nuk duhet që të pengohet. Ndërsa lidhur me çështjen tjetër do thoja që ajo është një ide absurde, pavarësisht se e gjithë problematika që sjell ajo Gjykatë, ajo është një marrëveshje e votuar, një ligj i votuar në Parlamentin e Kosovës ‘pacta sun servanta’. Ky është ligji i burrave dhe institucioneve serioze i të gjitha kohërave.

– Mund të rrezikojë marrëdhëniet e shtetit të Kosovës me faktorin ndërkombëtar?
Në mënyrë absolute i rrënon, jo i rrezikon por i rrënon. Komuniteti ndërkombëtar nuk mund të pranojë një poshterim të tillë. Sepse mbi bazën e atij ligji komuniteti ndërkombëtar ka bërë investime qindra milionë euro. Dhe i ka bërë ato i autorizuar plotësisht nga vendimi sovran i Kuvendit të Kosovës. Përveç kësaj, kjo krijon ndërhyrjen immediate të Këshillit të Sigurimit, fuqizimin e mekanizmave të OKB dhe është një veprim suicidal politik. Por unë përshëndes vendimin e udhëheqjes që rishqyrtoi vendimin e mëparshëm dhe u tërhoq. Eshtë shumë e drejtë që u tërhoq. A ka gjykatë që sbën gabime? Ska gjykatë që sbën gabime. Por e ka një problem komuniteti ndërkombëtar, nuk krahasojnë agresorin me viktimën. Edhe ata e dinë se kush ishte agresori dhe kush ishte viktima dhe kur erdhi puna ata qëndruan me të gjithë forcën e tyre ajrore në anën e viktimës. Por prap se prap e dinë që krime, rregullat e luftës i thyejnë të gjitha palët. Unë nuk besoj kurrë në shpifjet e trillimet e Dick Martit, për transplantin dhe e kam thënë dhe e them se nëse ajo ka ndodhur, e kanë organizuar vetë serbët, ajo është vepër serbe për të akuzuar shqiptarët, sepse në mënyrë absolute nuk ka asnjë nga drejtuesit dhe jo drejtuesit që kanë menduar në atë kohë të bëjnë para duke shitur organe njerëzish. Ka diçka. Pse Millosheviçi nuk e shtroi këtë asnjëherë në Hagë? Nëse do kishte ndodhur nga pala shqiptare nuk kishte njeri më të informuar në botë se sa Millosheviç dhe ai do ta kishte tundur atë flamur atje ditë për ditë. Ndaj dhe të marrim, ta presim atë gjykatë, të tregojmë që i nënshtrohemi ligjit ndërkombëtar dhe ligjit kombëtar dhe Kosova të eci përpara.

– Janë bërë 10 vjet nga shpallja e pavarësisë së Kosovës. Si e shihni të ardhmen politike të Kosovës, rrugën që duhet të ndjekë?
Të ardhmen politike të Kosovës, me gjithë vështirësitë që përjeton unë e shoh shumë të mirë. Kosova këto 10 vjet, megjithëse ka dalë nga lufta, megjithëse u rrënua mbi 120 mijë banesa dhe qendra publike u shkatërruan, Kosova në 10 vite ka ndërtuar shumë më tepër se Shqipëria në 10 vitet e para të diktaturës, pakrahasimisht më tepër. Po të jap një shembull. Në vitet ‘92-‘96 ku shqiptarët e filluan me 204$ në vit për frymë, ne arritëm të ndërtojmë gjithsej 5 ose 6 km autostradë ndërsa Kosova ndërtoi autostradën “Ibrahim Rrugova”, Kosova po ndërtohet, sot është ekonimia e vogël më vibrante në rajon me rritjen më të mirë. Mendoj që çështja e marrëveshjeve dhe negociatave në Bruksel uroj që të shtohet dhe prania amerikane dhe Kosova duhet ta marrë më gjerësisht. Duhet të them që praktika që u ndoq në Vjenë ishte një praktikë e shkëlqyer suksesi, ku delegacionet qenë të gjëra dhe u bënë hapa shumë të pjekur, dhe këtu në përfaqësim në këto negociata mund të përfshihet më shumë edhe opozita mendoj unë. Mund t’i vonojë pak kjo si procedurë, por i bën shumë më të qëndrueshme. Duke thënë këtë është Beogradi që spo respekton asnjë marrëveshje.

– A mendoni se Kosova dhe Shqipëria një ditë mund të bashkohen?
Mendoj se ideali i bashkimit kombëtar është i përjetshëm dhe i pavdekshëm, por mendoj se ajo mund të ndodhë kur Kosova dhe Shqipëria të jenë dy shtete sovrane dhe të zhvilluara e të pavarura dhe kur fqinjët përreth dhe miqtë e parterët tanë.. se Kosova u shpall e pavarur mbi bazën e një projekti ndërkombëtar, mbi bazën e përpjekjeve mbinjerëzore të popullit të saj, por dhe mbi bazën e një projekti ndërkombëtar, dokumentit Ahtisari, i cili nuk e lejon që të bashkohet as me Shqipërinë e as me Serbinë. Ne e kemi mbështetur atë dokument. Kështuqë në këtë kontekst kur dhe palët e tjera të binden se një komb shqiptar i bashkuar do të prodhojë edhe më shumë stabilitet në rajon dhe fqinjët tanë të çlirohen pak nga albanofobia primitive që kanë trashëguar në shekuj ndaj shqiptarëve, unë them se bashkimi është i pashmangshëm. Çdo përpjekje tjetër do të jetë jashtëzakonisht e dëmshme për territoret shqiptare, për materien shqiptare dhe do krijojë probleme të mëdha për ndërkombëtarët.
– Urimi juaj për bashkim mund të merret si urim i juaj për kosovarët në këtë 10 vjetor të pavarësisë?
Urimi im për kosovarët në këtë përvjetor të pavarësisë është që të kenë suksese gjithnjë e më të mëdha në ndërtimin e lirisë, ndërtimin e demokracisë, në konsolidimin e pavarësisë së Kosovës. Kjo është rruga që shkon drejt realizimit të mëvonshëm të idealit të bashkimit kombëtar, i cili është një ideal që nuk vdes kurrë!

– Si e konsideroni rrugëtimin e Kosovës këto 10 vite?
Rrugëtimin e Kosovës këto 10 vite unë e konsideroj një rrugëtim të suksesshëm. Natyrisht pritshmëritë mund të kenë qenë dhe më të mëdha po arritjet dhe sukseset e saj janë të pamohueshme. Në këto 10 vjet, Kosova, nga hiri dhe shkrumbi i luftës, është sot një vend që ecën drejt horizonteve të zhvillimit. Ka forcuar pozitën e saj ndërkombëtare, ka fituar Gjykatën e Hagës për problemet ligjore, një numër i madh, 95% e vendeve të botës së lirë e kanë njohur Kosovën si shtet i pavarur, ka ndërtuar një infrastrukturë moderne dhe po e ndërton atë, ka një ekonomi vibrante me rritjen më të madhe në rajon. Unë nuk them se nuk ka vështirësi dhe se nuk mund të bënte më shumë, por prap nuk duhet të harrojmë se këto janë 10 vitet e para në liri të shqiptarëve të Kosovës dhe kanë patur në rrugën e tyre një seri pengesash të diktuara në një shkallë të caktuar nga Beogradi, por dhe faktorë të brendshëm. Sidoqoftë ky 10-vjetor është një 10-vjetor që na bën krenar me arritjet e Kosovës.

– Cilat mendon që janë sfidat kryesore të Kosovës dhe cilat kanë qenë problemet më të mëdha me të cilat është hasur ajo këto 10 vjet?
Sfida më kryesore e Kosovës dhe rajonit me efekte imediate janë marrëveshjet e Kosovës me Beogradin dhe zbatimi i këtyre marrëveshjeve, të cilat i çelin rrugën Kosovës drejt integrimit europian dhe euroatlantik, por njëkohësisht marrëveshjet e zbatuara midis Kosovës dhe Beogradit shndërrohen në marrëveshje paqe dhe bashkëpunimi, një rëndësi e madhe kjo për Kosovën dhe rajonin.
Mendoj se një sfidë tjetër madhore është bashkëpunimi ndërshqiptar. Për fat të keq konstatoj se këto katër vitet e fundit, qeveria shqiptare nuk ka investuar as dhe një grosh në drejtim të kapërcimit të dasive që janë trashëguar nga e kaluara midis dy vendeve. Nuk është bërë progres dhe ky progres është jetik për shqiptarët. Dogma se shqiptarët do të bashkohen në Bruksel është një justifikim bajat. Në Bruksel shqiptarët do të bashkohen dhe me të gjithë kombet e tjera, ata nuk kanë kohë për të humbur, duhet të njësojnë me qindra e qindra procedura, duhet të adaptojnë standardin e dyshtetësisë, duhet të ndërtojnë infrastrukturën më moderne midis dy vendeve, natyrisht, duke ruajtur dhe respektuar kufijtë ndërshtetërorë, pasi statusi i Kosovës është i fiksuar në marrëveshjet ndërkombëtare dhe Shqipëria është e zotuar në respektimin e saj të plotë. Eshtë një mal pune për t’u bërë që shqiptarët në të dy vendet të ndjehen si në një vend të vetëm, i cili të jetë krejtësisht simbolik dhe kjo jo vetëm që nuk kërcënon por përkundrazi, i bën këto vende më stabile, më të prosperta, më të begata. Për fat të keq, përveç fasadës dhe fotografive të bukura nuk kemi parë hapa konkrete këto katër vitet e fundit.

– Zoti Berisha, një çështje tjetër është pikërisht çështja e flamurit. Eshtë çuar shumë pluhur në Prishtinë ku është i vendosur një nga flamujt më të mëdhenj që është vendosur në Kosovë. Dhe me rastin e 10-vjetorit qeveria e Kosovës ka vendosur që të hiqet flamuri kombëtar dhe të vendoset ai i Kosovës me rastin e shënimit të përvjetorit të 10 të pavarësisë.
Protokolli i Kosovës është përgjegjës për të gjithë territorin e Republikës së Kosovës. Nuk më përket mua të diskutoj çështje të protokollit të Republikës së Kosovës. Janë Bashkia e Prishtinës dhe qeveria e Kosovës ato që vendosin për dekorin e Prishtinës dhe Kosovës dhe nuk kam ndërmend të komentoj këtë. Besoj se shpallësit e pavarësisë së Kosovës treguan një mençuri kur paraqitën flamurin shtetëror të Republikës së Kosovës dhe sigurisht mbajtën dhe flamurin kombëtar kuq e zi që është dhe flamuri i Shqipërisë dhe shqiptarëve në tërësi.
– Janë të shumtë zërat që identifikojnë lindjen e një kombi të ri nën flamurin e Kosovës
Këta që çojnë këto zëra, këta janë një vazhdimësi e jugosllavizmit të dikurshëm, përpjekjeve qesharake të Titos dhe klikës së tij që të krijojnë kombin kosovar. Kombi është një dhe i pandarë, dhe 100 vija po ti heqësh në trup shpirti i tij mbetet i njëjtë. Ndaj dhe ata të cilët flasin për komb kosovar, përsërisin si papagaj tezat e dikurshme të Beogradit dhe asgjë tjetër. Flamuri nuk është i kombit, flamuri është shtetëror dhe Kosova pa një flamur shtetëror nuk mund të pretendonte të ishte shtet i pavarur as dhe të regjistrohej në ndonjë vend si i tillë.

– Megjithatë aspiratat janë përulëse në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, po e theksoj të kombeve jo të Shteteve të Bashkuara.
Ajo është një problem semantik që ka ngelur kur është themeluar lidhja e kombeve, por faktikisht ajo është organizata e shteteve të pavarura dhe kjo është e vërtëta dhe thelbi i saj. Kështuqë nuk ka përpjekje më don kishoteske dhe më qesharake se sa të pretendohet krijimi i dy kombeve shqiptare. Kombi është i vjetër, ky është një komb i lashtë, nuk është ndarë kurrë, nuk e ndau as linja e Teodosit, i cili i ra përsëgjati trupit të tij dhe ai mbeti përsëri shqiptar.
– Zoti Berisha, ju falenderoj që gjetët kohën për të bërë këtë prononcim dhe këtë urim në 10-vjetorin e pavarësisë së Kosovës?
Shfrytëzoj rastin të bëj një urim shumë të përzemërt dëgjuesve tuaj, stafit të radios dhe televizionit tuaj, dhe të gjithë qytetarëve të Kosovës kudo që janë në këtë 10-vjetor të pavarësisë së Kosovës, datës më të rëndësishme për shqiptarët pas pavarësisë së Shqipërisë.

Intervista radiofonike dhënë për gazetarin Ermal Panduri për Radio “Dukagjini”!

Exit mobile version