Bernard Berisha në një rrëfim, rrëfen ëndrrën e tij të kahershme, fanellën kuqezi. Shoku i tij i skuadrës te Terek, Bekim Balaj shpreh gjithashtu dëshirën për një kombëtare gjithpërfshirëse. “Që i vogël kisha ëndërr të luaja me kombëtaren shqiptare, me skuadrën e madhe. Por, kjo ëndërr nuk m’u realizua… Ende nuk e di përse, megjithatë jam shumë i lumtur që skuadra arriti të kualifikohej për herë të parë. Përsa i takon Kosovës viti 2016 ishte shumë i suksesshëm sepse ishte shtet i izoluar dhe kampionati nuk ishte cilësor. Tani janë hapur dyert dhe Kosova ka shumë talent. Pavarësisht se jemi në grup shumë të fortë besoj se do të paraqitemi sa më mirë”, u shpreh Bernard Berisha.
“Të paraqiteni mirë sepse luani edhe në ‘Loro Boriçi’ dhe shkodranët nuk mungojnë në mbështetje të Kosovës. I uroj suksese Kosovës edhe pse është në hapat e parë. Dëshira e të gjithë shqiptarëve është që të kemi një kombëtare gjithpërfshirëse, por rrethanat, kushtet dhe politika sollën edhe krijimin e kësaj skuadre. Gjithsesi jam i sigurt që kombëtarja shqiptare do të jetë gjithpërfshirëse dhe do të ketë gjithmonë lojtarë nga të gjitha trevat”, tha Balaj.