Ish-Kryeministri Berisha ka marrë një ftesë të veçantë për të qenë në Kosovë me rastin e 20 vjetorit të hyrjes së NATO-s atje. Ish-Presidentja Atifete Jahjaga, udhëheqëse e fushatës “Për lirinë tonë”, sot bëri të ditur agjendën dhe pjesëmarrjen e miqve të Kosovës për shënimin e 20-vjetorit të hyrjes së NATO-s në Kosovë. Jahjaga deklaroi se për të shënuar 20-vjetorin e hyrjes së NATO-s, janë ftuar miq të shtetit të Kosovës, ku të pranishmit do të jenë ish-presidenti i SHBA-së, Bill Clinton dhe ish-sekretarja e Shtetit, Madeleine Albright dhe shumë personalitete të rëndësishme.
Jahjaga ka bërë publik se ftesa për të qenë pjesë e këtyre fetsimeve i ëhstë bërë edhe ish-Presidentit Berisha. Më 12 qershor në orën 11:00, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, do të mbahet manifestimi qendror, ku janë të ftuar edhe qytetarët e Kosovës, ngase sipas Jahjagës ky aktivitet është qenësor dhe datë historike e Kosovës.
“Për të shënuar këtë përvjetor historik të Kosovës kemi ftuar miq dhe aleat tanë me të cilët ndajmë vlerat e paqes, lirisë dhe demokracisë. Tashmë është bërë e ditur se në këtë përvjetor historik, të pranishëm do të jenë edhe ish presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës Bill Clinton, ish-sekretarja e SHBA-së, Madeleine Albright dhe shumë personalitete të tjera të rëndësishme, po ashtu edhe miq të tjerë të Kosovës.
Për të gjithë vendet e rajonit, duke përfshirë edhe ish kryeministrin Berisha, janë në lista të ftesave dhe kjo është bërë konform protokollit të shtetit”, tha Jahjaga. Ish-presidentja theksoi se shënimi i 20-vjetorit të hyrjes së NATO-s në Kosovë, është iniciativë e presidentit Hashim Thaçi dhe ish-presidentëve Fatmir Sejdiu, Behgjet Pacolli, dhe Atifete Jahjaga, ndërsa është përkrahur nga Qeveria e Kosovës.
“Përmes shënimit të këtij përvjetori, ne po nderojmë të kaluarën tanë dhe vizionin tonë për paqe të qëndrueshme. Ju njoftoj se më 12 qershor, në orën 11:00 në sheshin Skënderbeu do të mbahet tubimi qendror i shënimit të 20-vjetorit të hyrjes së trupave të NATO-s në Kosovë, ku do të flasin edhe presidenti Clinton dhe sekretarja Olbrajt.
Në këtë ngjarje ftojmë ët jenë të pranishëm edhe qytetarët e Republikës së Kosovës, bashkërisht të festojmë me miqtë tanë këtë datë të rëndësishme”, tha ajo. Prej orës 14:00, po në këtë ditë, do të jetë aktiviteti për ecje për liri, prej sheshit “Skënderbeu” dhe do të vazhdojë deri te busti i ish-sekretares Albright, ku do të bëhet përurimi i bustit.
Përveç kësaj, aktiviteti i radhës do të jetë vizita në bulevardin “Bill Clinton”afër shtatores së ish presidentit Clinton. Në përmbyllje të këtij aktiviteti për shënimin e kësaj date në orën 17: 00 do të mbahet edhe Konferenca ndërkombëtare për siguri “20 vjet liri, një vizion për paqe të qëndrueshme”.