Drejtori sportiv i Atalantës, Xhovani Sartori, ka folur për të ardhmen e portierit Etrit Berisha, i cili është në huazim te ky klub nga Lacio. “Klubi është shumë i kënaqur nga paraqitja e Etrit Berishës, portieri ynë titullar përveçse edhe numri 1 i Kombëtares shqiptare. Në këtë moment jemi shumë të përqendruar te ndeshjet e fundit, na mbeten edhe 2 muaj deri në fund të kampionatit dhe jemi në valle e duam të vazhdojmë të vallëzojmë”, tha ai duke iu referuar faktit se Atalanta është në garë për kualifikimin në Ligën e Europës.
“Për të ardhmen e skuadrës tonë, kemi vendosur të diskutojmë në fund të sezonit, për të studiuar dhe vlerësuar me kujdes çdo gjë. E ardhmja e tij? Atalanta e ka marrë në huazim për kohëzgjatjen e një viti, duke ruajtur në fund të drejtën e blerjes së plotë të tij. Ndaj edhe për të vlen i njëjti diskutim si të tjerët, vetëm nga qershori e mbrapa do të dimë nëse do të vazhdojë të jetë me ne”, tha ai për mediat italiane.